Pashkët në prag, Skënderbeu e do festë ndaj Korabit/ Korçarët kanë shans në ditën e shënuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2023 | 22:13

Pashkët në prag, Skënderbeu e do festë ndaj Korabit/ Korçarët kanë shans në ditën e shënuar

Skënderbeu është duke i dhënë dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen e së shtunës, teksa pret Korabin në Korçë në orën 15:00. Ky takim është shumë delikat për ecurinë e korçarëve, që pavarësisht barazimit të fundit në Vlorë ia kanë dalë të mbajnë kreun e renditjes.

Skenderbeu

Tashmë kur mbeten për t’u luajtur edhe katër javë, te Skënderbeu nuk duan t’i lënë asgjë rastësisë dhe trajneri Ivan Gvozdenoviç është duke llogaritur gjithçka. Edhe në seancën e djeshme stërvitore, serbi i pankinës bardhekuqe ka mbajtur ekipin e përqendruar te finalizimi i aksioneve, me qëllim që të përmirësojë aspektin ofensiv.

Duke parë që në ndeshjet e fundit sulmi ka çaluar disi, ndërsa pjesa tjetër e ekipit ka bërë ndeshje të mira, Gvozdenoviç ka lëshuar të gjitha bateritë e tij për këtë repart. Nga sa u pa në seancën e së enjtes, trajneri ka mbajtur ekipin për më shumë se 20 minuta në fazë sulmuese, duke provuar kombinime të ndryshme dhe kthyer disa herë ushtrimet nga fillimi. Këshillat për futbollistët kanë qenë të shumta, duke filluar që nga heqja dorë e individualitetit të lojtarëve dhe deri te përgjegjshmëria në finalizimin e aksioneve.

Gjatë kësaj seance, serbi ka provuar gjithçka, duke vendosur herë Abubakar dhe herë Nikaj apo Moses në krah të Temitopes dhe Likës, për të nxjerrë se cili është tredhëmbëshi më efikas për ndeshjen e radhës. Po ashtu ka kërkuar edhe nga mesfushorët Liço dhe Moraesh që të jenë më të shpejtë në vertikalizime dhe të shfrytëzojnë hapësirat për të nxjerrë në pah shpejtësinë e sulmuesve të Skënderbeut. Kjo e bën edhe më efikas sulmin korçar, në mënyrë që kundërshtari të kapet në kundërkohë.

FESTA, SI OGUR I MIRË

Skënderbeu-Korabi është ndeshja e javës së madhe në Korçë për vetë faktin se do të luhet në vigjilje të Pashkëve ortodokse dhe si e tillë është një ogur i mirë për bardhekuqtë. Kjo, edhe duke parë faktin se në tri viteve të fundit, kur Skënderbeu ka luajtur në shtëpi ndeshjet në javën e pashkëve asnjëherë nuk ka humbur.

Janë tri fitore në tri takimet e luajtura për Pashkë në Korçë. Në vitin 2018 ndaj Flamurtarit me rezultatin 2-0, në 2020 kundër Bylisit 2-1 dhe në 2022 me Kastriotin në shifrat 2-0. Një shans i mirë ky për bardhekuqtë që do të shpresojnë edhe te statistikat për të marrë maksimumin ndaj Korabit, në këtë ndeshje të rëndësishme të javës së 23-të.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"