“Pas tri tentativash, e binda Maganin që të vinte”, kryebashkiakja Sefa zbulon prapaskenat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 8, 2023 | 23:07

“Pas tri tentativash, e binda Maganin që të vinte”, kryebashkiakja Sefa zbulon prapaskenat

Zyrtarizohet Gugash Magani. Ishte vetë kryebashkiakja Erisleda Sefa që prezantoi në ambientet e stadiumit “Roza Haxhiu”, trajnerin e ri. Akordi ishte arritur prej ditësh, por kontrata u nënshkrua dje në prani të mediave.

MAGANI

Do të jetë sezonale, por me opsion rinovimi për një tjetër vit. Në takimin e zhvilluar në sallën e konferencave, presidentja tha se e bindi peqinasin pas tri tentativash.

“Jemi këtu për të diskutuar ecurinë e ekipit të Lushnjës, që pati një sezon jo të kënaqshëm edhe për ne që e drejtojmë edhe për sportdashësit lushnjarë. Gjatë kësaj periudhe kemi vazhduar me investimet në terrenet sportive. Vëmendja jonë vazhdon të jetë e drejtuar te futbolli, si nga ana infrastrukturore edhe tek akademia. Sigurisht që vëmendje të shtuar do të ketë edhe ekipi i parë. Duam që sportdashësit e Lushnjës të marrin atë që meritojnë nga ekipi i zemrës. Kam kënaqësinë që sot(dje) të prezantoj trajnerin që do të drejtojë sezonin e ardhshëm ekipin e Lushnjës.

Në fakt, është hera e tretë që Gugash Maganin e thërrasim për t’u bërë pjesë e ekipit tonë. Ndihem shumë e lumtur të them ‘e treta, e vërteta’. Magani tashmë është pjesë jona. Si unë, edhe qytetarët lushnjarë, tifozë të ekipit, janë shumë të kënaqur.

Kjo ka qenë edhe një kërkesë e tyre e vazhdueshme, që kur unë kam drejtuar si presidente klubin e futbollit, që Gashi të drejtonte ekipin e Lushnjës. Kam besim se tani do t’ia dalim të arrijmë ata objektiva që kërkojmë ne si klub, por edhe të kënaqim tifozët e Lushnjës”, përfundoi e para e Bashkisë Lushnjë dhe njëherësh presidente e klubit të futbollit.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"