Pas supergolit në Rusi, flet sulmuesi Bekim Balaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 21, 2016 | 9:25

Pas supergolit në Rusi, flet sulmuesi Bekim Balaj

Pas tri ndeshjesh, Bekim Balaj ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës për skuadrën e Terek. Shkodrani e ka bërë “sefte” në një fitore të rëndësishme të ekipit që përfaqëson Republikën e Çeçenisë në Superligën ruse. Në javën e katërt, Terek Grozni ka fituar në transfertë përballë Ufa-s me rezultatin 1-3.

balaj

Sulmuesi i Kombëtares që ka hapur serinë e golave në këtë takim me një gol të bukur me kokë duke “iu vjedhur” mbrojtësve pas një krosimi nga e djathta, për faqen zyrtare të klubit ka konfirmuar ftesat nga Kombëtarja kuqezi për grumbullimin e radhës.

“Është e rëndësishme që skuadra arriti një fitore. Pas humbjes ndaj Krasnodarit, e humbëm përqendrimin dhe kishim shumë nevojë që të rimblidhnim forcat për të vazhduar përpara. Terek ka bërë shumë ndryshime dhe si unë, ka edhe të tjerë lojtarë të rinj që kanë nevojë për kohë që të mund të ambientohen plotësisht. Sa i përket kampionatit, ndihem shumë mirë”, është shprehur fillimisht shkodrani.

Goli

Në fjalën e thënë pas takimit, Balaj është shprehur optimist për ecurinë e skuadrës, që sipas tij do të jetë ndihmesë edhe për të.

“Goli është i rëndësishëm për çdo futbollist, por kur erdhi edhe me një fitore me rezultat të kënaqshëm, atëherë kënaqësia është e shumëfishtë. Besoj se sa më shpejt që skuadra të gjejë ritmin e duhur, edhe unë do ta kem më të lehtë për të shënuar. Kam pasur disa mundësi, por tashmë uroj që të kemi sa më shumë ditë si kjo me rezultate pozitive”, ka vijuar sulmuesi i Terek Groznit.

Shkodrani ka realizuar mjaft bukur me kokë që është një armë e fortë për të duke parë edhe shtatlartësinë që ka: “Nuk ka rëndësi nëse shënoj me kokë apo me këmbë, por e rëndësishme është që goli t’i shërbejë ekipit”.

Kombëtarja

Me anë të intervistës për faqen zyrtare të ekipit çeçen, Balaj ka konfirmuar edhe ftesën e radhës nga trajneri De Biazi për të dhe Odise Roshin.

Balaj-i-Roshi-Na-EURU-bismo-voljeli-izbjeci-Hrvate-znamo-da-su-kvalitetni_ca_large

“Jemi të gëzuar për ftesën dhe mbetemi gjithmonë në kontakt me stafin e kombëtares. Ata interesohen gjithmonë për formën e lojtarëve. Për momentin, e rëndësishme është që të përgatitemi për Rostovin që do të jetë ndeshja e radhës dhe më pas do të jetë radha e Kombëtares për të dhënë maksimumin”, ka deklaruar Bekim Balaj në përfundim të ndeshjes ku ai hapi serinë e fitores për Terek në transfertë me Ufa-n.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"