Pas suksesit në Ligën e Kombeve, Benzema kërkon trofeun personal: Dua “Topin e Artë” dhe… Mbapenë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2021 | 15:07

Pas suksesit në Ligën e Kombeve, Benzema kërkon trofeun personal: Dua “Topin e Artë” dhe… Mbapenë

Sulmuesi i Realit të Madridit, Karim Ben zema, ka dhënë një intervistë për telerevistën e televizionit spanjoll “TVE” ku ka folur për disa tema të rëndësishme që kanë të bëjnë me të dhe me Madridin. Sulmuesi 33-vjeçar po kalon një formë të shkëlqyer duke qenë golashënuesi numër një në ligat më të mëdha në Europë në këtë fillim sezoni.

BENZEMA 1

Forma e tij dhe suksesi me Francën në Ligën e Kombeve e kanë bërë atë të jetë dhe një nga kandidatët për të fituar “Topin e Artë”. Benzema nuk e ka fshehur se e dëshiron këtë trofe personal dhe këtë gjë e ka përforcuar edhe në intervistën për “TVE”.

“’Topi i Artë’ është një trofe që të gjithë lojtarët e ëndërrojnë dhe duan ta fitojnë. Këtë trofe e kam menduar që në fëmijëri. Sigurisht nëse do të shkoj deri te ky trofe, një meritë të madhe do të kenë dhe të gjithë shokët e ekipit, sepse së bashku kemi humbur e fituar”, ka thënë fillimisht Benzema. Sulmuesi i Realit ka folur edhe për trofeun më të fundit të fituar me kombëtaren e vendit të tij, Ligën e Kombeve, që ishte i pari për të me Francën.

“Ishte një trofe që vlen shumë për mua. Jam shumë krenar për veten dhe punën time. Ka qenë një periudhë shumë e vështirë, 5 vjet pa luajtur me kombëtaren. Kam punuar si kafshë, fizikisht dhe mendërisht dhe mezi pres të zbres sërish në fushë e të fitoj të tjerë trofe me Francën”, ka nënvizuar 33-vjeçari. Dëshira e parë e Benzemasë ishte “Topi i Artë”.

Një dëshirë e dytë për francezin është të luajë në krah me Kilië Mbapenë. Natyrisht që ai e bën te Franca, por Benzema e dëshiron një gjë të tillë te Reali. “Argëtohem me Mbapenë te Franca. Tani pse jo dhe te Reali? Është një lojtar i madh, por duhet të tregojmë respekt për PSG-në. E kam thënë dhe e përsëris, shpresoj që një ditë të jemi bashkë te Reali”, ka deklaruar Benzema.

Në fund dhe një fjalë për takimin në Champions kundër Shahtjorit. “Është një ndeshje vendimtare, duhet të shkojmë e të fitojmë në Ukrainë. Më pas vjen klasikja me Barçën”, ka mbyllur ai.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"