Pas Skënderbeut, e ka radhën Kukësi. Starova: Partizani ka dy vite që e ka fituar titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 16, 2017 | 17:54

Pas Skënderbeut, e ka radhën Kukësi. Starova: Partizani ka dy vite që e ka fituar titullin

Sulejman Starova, ish-trajneri i skuadrës së Partizanit në sezonin e shkuar, rikthehet të flasë për skuadrën e kuqe pas ndryshimeve më të fundit që ajo ka bërë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Starova konfirmon edhe pozicionin e tij brenda klubit kryeqytetas. “Nuk duhet të më pyesni në lidhje me pozicionin tim, pasi kjo është diçka e konfirmuar tashmë edhe nga vetë presidenti Demi”, ka thënë shkurtimisht trajneri që shprehet se gjatë kësaj periudhe ka qenë me pushime.

starova

“Kam kaluar një periudhë pushimesh, por ne si klub kemi bërë shumë afrime të reja që janë cilësore. Presidenti Demi ka bërë një investim të madh në një klub që ka nevojë për gjithçka, pasi ka edhe një trajner të ri në krye dhe jam i bindur se nuk do të ndalet. Natyrisht që i gjithë investimi është bërë për të arritur objektiva madhorë që jam i bindur se do të realizohen.

Por, në futbollin tonë dihet si janë gjërat dhe sulmet janë të pranishme. Skënderbeu dhe Kukësi do të vazhdojnë të jenë rivalët e Partizanit”, ka thënë këshilltari i presidentit Demi.

SULMI

Largimi i Ekuban krijoi zbrazëti në sulmin e Partizanit dhe drejtuesit e kuq reaguan menjëherë duke afruar Edgar Çanin, të cilin e kthyen edhe në lojtarin më të paguar të Superiores me një pagë prej 20 mijë eurosh në muaj me një kontratë dyvjeçare. “Të gjithë e kanë parë se çfarë ka bërë Ekuban në sezonin e shkuar. Arriti të shënonte 17 gola “bio” do t’i quaja, pasi asnjë prej tyre nuk u shënua nga pika e bardhë.

starova partizani

Sa i takon Çanit është një sulmues cilësor dhe derisa është bërë pjesë e jona, natyrisht që është koshient për objektivat. Gjithashtu, krahas objektivave që ka klubi, ai do të tregojë vlerat e tij edhe për të arritur objektivin personal që është rikthimi në ekipin kombëtar”, është shprehur Starova në lidhje me ndryshimet në sulm.

TITULLI

Të kuqtë ishin shumë pranë titullit kampion në sezonin e shkuar futbollistik, por këtë trofe arriti ta ngrinte Kukësi, edhe pse për Starovën ai është i vjedhur. I pyetur nëse pas gjithë këtyre ndryshimeve dhe lëvizjeve në merkato, ky është viti i duhur për fitimin e titullit kampion, Starova shprehet se Partizani “de facto” ka fituar titullin dy sezonet e fundit.

starova partizani goli

“Partizani ka dy vite që e ka fituar titullin. Edhe sezonin e shkuar e ka bërë punën e tij dhe mund të quhet fitimtar, pas asaj që ndodhi dhe të gjithë e pamë. Ndërsa titulli i para dy sezonesh duhet t’i ishte dhënë tashmë. Shoh që pothuajse nuk shkruan askush për atë çështje. Partizanin e ka njohur UEFA si fitues të titullit, pasi i dha të drejtën të luante në Champions, por nuk e njeh FSHF. Federata nuk mund ta lërë një trofe vakant, pasi ky është një turp. Në rast se kjo ndodh, Armand Duka le ta mbajë edhe këtë turp”, ka mbyllur Starova.

ARMAND HALILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"