Pas Shvajnshtaigerit, edhe Roben “rikthehet” te… Bajerni

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 1, 2020 | 0:24

Pas Shvajnshtaigerit, edhe Roben “rikthehet” te… Bajerni

 “Mr. Wembley” është rikthyer sërish të stërvitet me ish-kolegët e tij të Bajernit të Mynihut. “Bild” ka mësuar se Arjen Roben, po stërvitet me ish-shokët e skuadrës së tij virtualisht prej ditës së premte. Këtë javë, pas së hënës e cila ishte pushim, 33-vjeçari i është bashkuar skuadrës në videostërvitjen e saj me biçikletën ergometrike dhe ushtrimet gjimnastikore, duke nisur prej orës 11:00.

DRALO

Holandezi fluturues, i cili e mbylli karrierën në Mynih në vitin 2019, ka vendosur ta bëjë diçka të tillë për të karikuar shokët e tij, me kampionatin që është ndërprerë dhe nuk dihet se kur do të rifillojë. Roben është ish-ylli i dytë i skuadrës që i bashkohet stërvitjes së skuadrës së Bajernit në shtëpi.

Të mërkurën, edhe Bastian Shvajnshtaiger bëri të njëjtën gjë. 35-vjeçari, gjithashtu i ka varur këpucët në gozhdë dhe në këtë mënyrë ka vendosur të mbajë trupin në formë.

Bavarezët stërviten prej shumë ditësh virtualisht në shtëpitë e tyre, ndërkohë që gjithçka kontrollohet nga stafi teknik i kampionëve të Gjermanisë. Edhe skuadra e futbollit të femrave ndjek të njëjtën strategji për të ruajtur parametrat fizike në pritje të rifillimit të sezonit, gjithnjë në rast se pandemia e Koronavirusit do të vihet në kontroll.

ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"