“Pas Ronaldos, dua të shijoj Mesin”, Hakimi: Konte më bëri lojtar, ja pse u largova nga Interi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2021 | 11:46

“Pas Ronaldos, dua të shijoj Mesin”, Hakimi: Konte më bëri lojtar, ja pse u largova nga Interi

Ashraf Hakimi ishte një prej afrimeve fenomenale të merkatos së verës te PSG-ja, së bashku me Serxho Ramosin, Xheorxhino Vajnaldumin dhe sidomos Xhanluixhi Donarumën e Lionel Mesin. Ish-anësori i Interit solli në arkat zikaltër 68 milionë euro, por me sa duket, nuk është bërë aspak pishman që ka lënë Milanon, ndonëse dikujt më shumë se të tjerëve i detyrohet pa fund:

hakimi

“Në Itali kalova shumë mirë, pasi më shumë se çdo gjë tjetër më pëlqeu puna e bërë me Antonio Konten. Në fillim më dukej shumë i ashpër, më lodhte shumë, pasi përveçse të stërvitesha në fushë, më vinte që të studioja shumë video, më përgatiste edhe individualisht kur të tjerët largoheshin, duke më mësuar shumë sidomos mbi aspektin taktik, përveç pozicionimit të duhur si anësor që duhet të bëja si fazën mbrojtëse e atë sulmuese, por edhe për agresivitetin që nevojitej në nivele të larta.

Dhe në fund, metoda e Kontes ishte e drejtë, pasi më transformoi si lojtar më bëri një futbollist më të mirë. Atë që jam sot, një mbrojtës modern dhe ofensiv.

Pse ika nga Interi? Unë doja që të mbetesha në nivele të larta dhe duke parë lëvizjet që bënë, intuita më çoi që pas ofertës së PSG-së të vendosja t’u bashkohesha atyre, duke parë kampionët e mëdhenj që afruan. Madje, edhe sot që e mendoj, nuk jam bërë pishman që lashë Interin, por dua ta shijoj sa më shumë këtë aventurë dhe të fitoj trofe të rëndësishëm, siç është edhe Liga e Kampioneve.

Efekti Mesi te PSG-ja? Leo ka nevojë ende për pak kohë që të ambientohet më mirë, por unë jam krenar që pasi kam luajtur me Ronaldon dhe Halandin, tashmë do të shijoj edhe bashkëjetesën me Leon te PSG-ja. Por të mos harrojmë edhe Mbapenë, me të cilin kam një sfidë personale se cili është futbollisti më i shpejtë (qesh)… Bëj shaka, por realisht me mua afrimet e tjera këtë verë, pres një sezon të madh nga ne”, deklaroi Ashraf Hakimi për “L’Equipe”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"