“Pas pezullimit të futbollit, morëm pagat dhe premio”, Ardian Abazaj: Nuk dua sukses në tavolinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 5, 2020 | 17:39

“Pas pezullimit të futbollit, morëm pagat dhe premio”, Ardian Abazaj: Nuk dua sukses në tavolinë

Sfera e rrumbullakët është ndalur që në muajin mars, ende nuk dihet kur do të rifillojë futbolli. Është një situatë krejtësisht e pazakontë, por ka edhe nga ata që e shohin me optimizëm ditën e rikthimit në fushë. Njëri prej tyre është edhe trajneri i Pogradecit kryesues në Grupin B të Kategorisë së Parë, Ardian Abazaj.Abazaj222

Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai thotë se të gjithë futbollistët gëzojnë një gjendje shumë të mirë shëndetësore dhe se po stërviten në mënyrë individuale, sipas një plani të detajuar stafi teknik. Abazaj gjykon se kampionati duhet të vazhdojë dhe të mbyllet në fushë. Nuk e do vendin e parë nga tavolina, sipas hipotezës që po përflitet se mund të jemi edhe një Superiore me 14 skuadra sezonin e ri.

Abazaj, në radhë të parë, si është gjendja juaj shëndetësore dhe e futbollistëve të Pogradecit?

Falë Zotit, deri në këto momente nuk kemi asnjë futbollist të sëmurë dhe asnjë nga familjarët e tyre. Edhe unë jam shumë mirë dhe këtë uroj për të gjithë popullin shqiptar në këto momente, për ta kaluar këtë situatën sa më lehtë. Shpresoj që shumë shpejt të shihemi përsëri në fushën e futbollit dhe jashtë saj.

Ardian Abazaj

A ka pasoja financiare për Pogradecin kjo situatë?

Për sa i përket anës financiare, mund të them se në momentin që u ndërpre kampionati ne morëm pagesat, si dhe një premio nga kryebashkiaku. Ata futbollistë janë edhe familjarë, kështu që ju duhen më shumë se kurrë pagesat, ndaj dhe rrogat e këtij muaji kanë kaluar. Kjo është shumë pozitive.

Ju keni kontakte me futbollistët, si po stërviten ata në këto kushte?

Lojtarët po stërviten në kushte individuale, sipas një plani të detajuar. Ne ju japim ngarkesat fizike, si me vrapime kush ka mundësi, ashtu edhe me ushtrimet e forcës në kushtet e shtëpisë dhe shumë prej futbollistëve e kanë këtë mundësi.pogradeci

Jeni në vendin e parë dhe nëse do të ndalej gjithçka këtu, jeni në Superligë. Ka një hipotezë se mund të mbyllet këtu sezoni dhe mund të ketë një Superiore me 14 skuadra sezonin tjetër…

Jo, nuk do ta doja këtë gjë. E them me pastërti, nuk do të desha kurrë  të ndalej gjithçka këtu, do të desha të vazhdonim dhe jam i bindur se ne do të kalojmë në Superligë. Por natyrisht që do të respektonim çdo vendim të FSHF-së. Nëse rifillojmë dhe shpresoj se do të ndodhë kështu, dua të na jepet të paktën dy javë kohë, sa për të rimarrë gjendjen fizike. Ne ishim në momentin më të mirë kur patëm ndalesën dhe kjo kohë prej dy javësh do të ishte mëse e domosdoshme.

Superliga me 14 ekipe?

Të them të drejtën, është shumë ide e mirë dhe nëse realizohet, është pozitive, kampionati do të ketë më shumë shtrirje, do të ketë rivalitet dhe njëkohësisht edhe një tërheqje më të madhe të sportdashësve. Po të shikosh, edhe në kategorinë tonë ka ekipe cilësore që nuk dallojnë nga Superliga dhe kjo do të krijojë një garë edhe më të fortë. Por e përsëris, Supeligën e dua nga fusha dhe jo nga tavolina.

Romeo Xinxifi

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"