Pas mbrojtësit të Veronës, Skënderbeu pret “qershinë mbi tortë” të merkatos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2022 | 16:45

Pas mbrojtësit të Veronës, Skënderbeu pret “qershinë mbi tortë” të merkatos

Skënderbeu i ka befasuar të gjithë me një goditje “big” në merkato. Edhe pse në Kategorinë e Parë, klubi korçar ka arritur të huazojë një futbollist nga klubi i Veronës në Itali. Bëhet fjalë për Dramane Konate. 28-vjeçari u bë pjesë e bardhekuqve vetëm një ditë pasi u bë pjesë e Veronës, që e mori me parametër zero ekipi i Paganezes.

Memelli Lici

Ai është një mbrojtës shtatlartë dhe ka qenë pjesë e shumë ekipeve të njohura në shtetin fqinj si, Empoli, Ankona, Pro Verçeli, Gubio, Kasertana, Paganeze dhe Verona. E thënë ndryshe, një afrim cilësor i Skënderbeut që tashmë është i konfirmuar. Lojtari pritet të bashkohet me ekipin gjatë fundjavës dhe vetëm javën e ardhshme do të jetë në dispozicion të trajnerit Memelli.

Skenderbeu Stervitje

Konate është një lojtar shumë i rëndësishëm për bardhekuqtë, që do të duhet të ndërtojnë nga e para prapavijën pas largimeve të shumta. Me afrimin e tij, mbrojtja e korçarëve duket e konsoliduar. Kujtojmë që më herët te Skënderbeu është transferuar Prençi dhe Rapa.

MERKATO NË VAZHDIM- Veç mbrojtësit që vjen nga Verona, korçarët duket se presin edhe të paktën tri afrime të tjera, që do t’i japin cilësinë e nevojshme ekipit, me synimin e qartë, rikthimin në Kategorinë Superiore. Burime në klub bëjnë me dije se korçarët janë drejt finalizimit të marrëveshjes së transferimit me dy futbollistë afrikanë. Gazeta mëson se bëhet fjalë për dy lojtarë ganezë, njëri prej tyre është mesfushor shkatërrues dhe tjetri sulmues anësor.

Skenderbeu2

Afrimi i tyre do të shtojë më tepër koloninë e lojtarëve afrikanë në juglindje. Por merkatoja bardhekuqe nuk mbyllet këtu. Me dështimin e transferimit të Carkanjit në Korçë, presidenti Ardian Takaj duket se do ta mbyllë me një surprizë. Numri një i klubit bardhekuq i ka premtuar Migen Memellit “qershinë mbi tortë” të kësaj merkatoje. Bëhet fjalë për një mesfushor shumë cilësor, që do të ishte një luks për të gjitha ekipet e kësaj kategorie. Gazeta mëson nga burime brenda klubit, se bëhet fjalë për një futbollist që e njeh mirë Kategorinë Superiore dhe mund të mbajë peshën e një reparti të tërë. Për momentin emri mbahet sekret, por shumë shpejt do të vijnë konfirmimet.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"