Pas fitores me Partizanin, atmosferë e ndezur te Besëlidhja: Jemi për Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 31, 2020 | 15:45

Pas fitores me Partizanin, atmosferë e ndezur te Besëlidhja: Jemi për Superiore

Jehona e fitores 3-0 e Besëlidhjes ndaj Partizanit të mërkurën për Kupën e Shqipërisë ende nuk është shuar në Lezhë. Entuziazmi është në kulm pas asaj fitoreje të madhe dhe karikimi për të bërë mirë edhe në kampionat është në shkallën më të lartë. Stafi drejtues dhe ai teknik e ka përqendruar vëmendjen te ndeshja ndaj Tërbunit, e vlefshme për javën e 14-të kampionatit.Beselidhja

Lezhjanët kanë si objektiv parësor ngjitjen në Superiore dhe ajo fitore ndaj Partizanit i ka bërë ata të besojnë se mund t’ia dalin. Pastaj edhe Kupa nuk do të lihet pas dore, pasi janë shumë afër kualifikimit si dy sezone më parë. Duke mos u larguar nga fitorja e së mërkurës, për “Panorama Sport” flasin dy nga protagonistët e ndeshjes, Ded Bushi dhe Patrik Fetaj, të cilët shënuan ndaj të kuqve.

DED BUSHI – “Jam mjaft i kënaqur me fitoren, një fitore më se e merituar, e dalë nga loja jonë. T’i shënosh gol një skuadre si Partizani që është kampion në fuqi dhe për më tepër kur je një kategori më poshtë, është kënaqësi speciale. Golin ua dedikoj familjarëve të mi dhe tifozërisë që na mbështeti, duke u bërë faktor në atë fitore. Tani të gjithë vëmendjen e kemi të përqendruar te ndeshja ndaj Tërbunit, pasi në kampionat kemi objektivin madhor dhe për më tepër nuk jemi fort mirë.

Duke qenë se diferenca me kreun është goxha e madhe, duhet shumë punë në mënyrë që të mos gabojmë, por të ecim para për të kapur sa më shpejt kreun. Pa dyshim që fitorja ndaj Partizanit na mban lart psikologjikisht, por duhet të ulemi me këmbë në tokë. Vetëm vlerësimi maksimal i kundërshtarit të sjell sukses, këtë e tregoi fitorja e thellë ndaj Partizanit. Besëlidhja do të bëjë detyrën në shtëpi edhe ndaj Tërbunit, pasi i kemi të gjitha mundësitë”, thotë Bushi, autori i golit të parë ndaj Partizanit.Beselidhja foli i dyte

PATRIK FETAJ – Lezhjani që ka qenë pjesë e të rinjve të Partizanit, Fetaj, thekson: “Fitorja ndaj Partizanit mund të pritej, por jo kaq thellë. Shpirti i garës i të gjithë futbollistëve dhe puna e trajnerit na dhanë krahë për këtë fitore të madhe. Të gjithë e mendojnë shënimin e golit kur nis ndeshja, por nuk e kisha menduar se do t’i shënoja Partizanit, ndaj dhe jam shumë i gëzuar. Kisha pjesëtarët e familjes në shkallët e stadiumit dhe goli është për ta. Një mbështetje të madhe na dha edhe tifozëria, që besoj se edhe ndaj Tërbunit nuk do të na mungojë.

Fitorja me Partizanin nuk është vetëm një trampolinë drejt çerekfinaleve të Kupës, por edhe një paralajmërim se Besëlidhja i përket Superiores dhe nuk mund ta ndalë askush. Duke lënë pas euforinë e kësaj fitoreje të madhe, tani po mendojmë për ndeshjen e fundjavës ndaj Tërbunit që do ta zhvillojmë në Lezhë dhe që po e vlerësojmë, pasi kjo është pika kyçe e suksesit. Jemi të bindur për fitoren ndaj Tërbunit, nëse do të minimizojmë gabimet dhe kjo është e mundur, ndaj nuk shqetësohem”.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"