Pas dështimit në Botëror, Kombëtarja i nis keq edhe kualifikueset e Europianit

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Nëntor 24, 2017 | 11:33

Pas dështimit në Botëror, Kombëtarja i nis keq edhe kualifikueset e Europianit

Pas dështimit në Botëror, kombëtarja jonë i ka nisur keq edhe paraeliminatoret për Europianin 2021, pasi ka humbur në takimin e parë kundër Armenisë 63-80, të luajtur dje në Kompleksin “Olimpik Park” të kryeqytetit në palestrën sportive “Feti Borova”. Dy muaj pasi ka dështuar në eliminatoret e Botërorit 2019, kombëtarja e basketbollit vinte disi e rinovuar, tashmë e drejtuar nga një trajner tjetër, sërish i huaj, pikërisht nga Antonios Dukas, që drejton edhe ekipin e Tiranës.

Shqiperia basketboll

Kjo ka qenë një humbje jo e këndshme dhe e pranueshme, pasi e vetmja diferencë mes dy ekipesh ishin gjuajtjet nga distanca ku skuadra armene ka shënuar 12 trepikësha. Sa i përket ndeshjes, djemtë kuqezi shënojnë dy pikët e para me anë të Ndojit, por i menjëhershëm ka qenë reagimi i skuadrës armene, ku është Botrajt që realizon një trepikësh. Ndeshja ka nisur e vrullshme, ku nuk gabon asnjëra skuadër dhe të gjitha aksionet përfundojnë në kosh.

Por, dalëngadalë, skuadra armene, në sajë të 5 trepikëshave, arrin ta fitojë periodën e parë me 10 pikë diferencë 18-28. Perioda e dytë është më e mira për tanët, pasi jo vetëm që kemi rikuperuar diferencën prej 10 pikësh, por arrijmë të kalojmë edhe një pikë në avantazh. Taflaj që ka barazuar 33- 33 dhe Rei Pullazi kalon për herë të parë ekipin tonë në epërsi 35-33.

Por kundërshtarët tanë, në sajë të kombinimeve të bukura të Botrajt dhe Çrabasoj, arrijnë ta mbyllin pjesën e parë në favor të tyre 38-42, pavarësisht se kjo periodë u fitua nga ne 20-14. Duke parë rezultatin e ngushtë, në fillimin e pjesës së dytë u shpresua se do të kishim një përmbysje, por tanët gabojnë shumë në gjuajtjet, por edhe në pasimet dhe, për pasojë, pas periodës së tretë, e cila fitohet nga armenët 16-24, diferenca thellohet përsëri në 11 pikë, kur rezultati i përgjithshëm regjistronte shifrat 54-65.

Duke qenë një rezultat i tillë, në periodën e fundit Armenia vazhdon ta ruajë ritmin duke mos lejuar asnjë hapësirë për të depërtuar lojtarët tanë. Kombëtarja jonë tashmë duket disi e dorëzuar dhe fillon të shthuret totalisht në fundin e ndeshjes, ndoshta duke parë se e ka të pamundur që t’i afrohet kësaj diference.

Përfitojnë armenët, të cilët fitojnë edhe periodën e fundit 9-15 dhe përfundimisht regjistrohet rezultati përfundimtar 80-63 për Armeninë, me një diferencë pikësh prej 17. Ndeshja e radhës do të jetë me Danimarkën, më 22 shkurt 2018.

ABDULLA DUSHKU





www.minuta90.com