Pas 90 ditësh me grup të plotë, portieri i Besës: Mundim Egnatian, duhet që të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 9, 2021 | 23:30

Pas 90 ditësh me grup të plotë, portieri i Besës: Mundim Egnatian, duhet që të…

Pas thuajse 90 ditësh, Besa është përgatitur me grupin e plotë të lojtarëve. Në takimet e fundit kavajasve u ka munguar Hyseni, Shimaj, Sefa, Kukaj, madje edhe Kaina. Kjo gjë ka qetësuar ndjeshëm stafin teknik dhe sidomos kur në prag është përballja me kryesuesin e grupit. Egnatia u ka rrëmbyer katër pikë në dy ndeshjet mes tyre, ndaj verdhezinjtë duan revansh. Për portierin Klajdi Kuka shanset janë të mëdha, megjithatë për “Panorama Sport” paralajmëron vetëm që të bëhet kujdes në dy drejtime.

Kuka

“Nëse keni parë golat që kemi pësuar me keqardhje konstatoj se shumica e tyre kanë ardhur jo për meritë të kundërshtarëve, por prej gabimeve tona. Kanë qenë pasime të gabuara ose thënë ndryshe gola të dhuruar. Kjo nuk duhet të ndodhë ndaj një ekipi si Egnatia. Përballë saj duhet të luajmë të qetë. Rrogozhinasit nuk ta lejojnë mundësinë, që më pas ti t’u shënosh, fjala bie, 3 gola. Së dyti, gjykoj se si asnjë ekip tjetër, Besa ka shpërdoruar raste flagrante shënimi. Mjafton të shihni ndeshjet dhe konstatoni se kemi gabuar edhe me 5 metra larg portës.

Nuk është Egnatia ekip që mund t’i dalësh 10 herë pastër për gol. Ndeshja fitohet edhe me 1 gol të vetëm nëse di ta ruash atë e të mos pësosh”, tha fillimisht gardiani. Kontigjenti i plotë i jep besim edhe Kukës para kësaj sfide. “Më në fund jemi të plotë dhe Mërgjyshi ka çfarë zgjedh nga stoli në rast nevoje. Pas 90 ditësh, shoh Besën e plotë dhe kjo më bën të besoj se ndaj Egnatias i kemi të gjitha kushtet të synojmë vetëm fitoren. E di se kemi distancë me ekipet e tjera, por meqë do të luajmë nga dy herë ndaj tyre, fitoret marrin vlera të dyfishta. Duhet të bëjmë lojën tonë e të besojmë deri në fund se të paktën vendi i dytë është plotësisht i arritshëm”, përfundoi portieri.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"