Pas 10 ditësh pezullim, sot Tirana merr vendimin mbi çështjen “Taku”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 22, 2017 | 10:11

Pas 10 ditësh pezullim, sot Tirana merr vendimin mbi çështjen “Taku”

Çështja “Taku” ka qenë kryefjala e javës së fundit te Tirana. Jo vetëm në ambientet stërvitore, por edhe në media. “Rebelimi” karshi trajnerit i kushtoi rëndë autorit të 8 golave me fanellën e kryeqytetasve. Zyrtarisht bëri 10 ditë jashtë skuadrës, megjithatë mësohet se kjo histori mund të marrë fund. Mbetet ende e paqartë masa që do të merret ndaj tij, por mësohet se do të ketë zhvillime mbi këtë rast për çështje orësh.

Taku Tirana

Edhe vetë mesfushori më në fund do të mësojë të ardhmen e tij, nëse do të jetë apo jo pjesë e bardhebluve për pjesën e mbetur të këtij sezoni. Do rikthehet në ekip apo do përjashtohet, kjo mbetet ende një “rebus”. Megjithatë, fjala e fundit i takon vetë presidentit. Refik Halili javën e kaluar ka dëgjuar variantet e të dyja palëve, të lojtarit fillimisht dhe më pas trajnerit, por pa dalë në një vendim zyrtar. Por, përtej zgjatjes, shanset janë që kjo histori do të mbyllet pikërisht sot.

Dhe që kjo ngjarje të ketë fund të lumtur, ka vetëm një rrugëzgjidhje: Takut do i duhet të bëjë prapakthehu. Forma e vetme është që të bëjë autokritikë, pse jo duke kërkuar edhe ndjesë para të gjithë ekipit. Dhe duket thënë se shanset për një rikthim janë shtuar. Vetë Mirel Josa e ka thënë dhe stërthënë që e ka mbyllur këtë kapitull. Ai ka sqaruar se pret vetëm vendimin e klubit.

Ndoshta drejtuesit nuk duan që të humbasin golashënuesin më të mirë këtij sezoni, që në disa takime ka rezultuar përcaktues. Të shumta kanë qenë ekipet që pas debatit janë munduar të përfitojnë. Rasti më konkret është Partizani. Drejtuesit e të kuqve e kanë takuar mesfushorin dhe i kanë kërkuar që të bëhet pjesë e ekipit për Kupat e Europës, por pse jo edhe për sezonin tjetër. Por nuk janë të vetmit, pasi interes shfaqi edhe Skënderbeu dhe Flamurtari.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"