“Partizanit nuk i sjell dot Mesin”, Dervishi flet pa doreza: Sormani katastrofë! Kush humb derbin 5-1, s’mund të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2020 | 23:56

“Partizanit nuk i sjell dot Mesin”, Dervishi flet pa doreza: Sormani katastrofë! Kush humb derbin 5-1, s’mund të…

Ndër të paktat herë që Adolfo Sormani vendosi të flasë pa doreza, ngjalli menjëherë reagime. Ish-drejtori i Partizanit, Dritan Dervishi, nuk bie dakord me Sormanin se përgjegjës për situatën është forma e disa lojtarëve apo cilësitë e tyre.

dritan dervishi

Sipas ish-drejtuesit të kuq, me këta futbollistë Partizani doli kampion dhe se italiani po justifikon rezultatet katastrofike që ka marrë së fundmi. “Sormani ka mendimin e tij pasi kërkon të justifikojë punën katastrofike që ka bërë”, deklaron Dervishi. Më pas, ish-drejtori komenton edhe situatën te “demat” dhe bën apel për një trajner shqiptar.

KRITIKAT PËR SORMANIN

“Këta lojtarë ishin kampionë vjet dhe këta që erdhën këtë vit janë në përgjithësi futbollistë cilësorë. Jam i befasuar nga deklaratat e tij, sepse nuk e di se çfarë lojtarësh donte ky trajner. Ndoshta donte Mesin te Partizani…”, thotë Dervishi për gazetën. Ai pohon se për gjendjen aktuale kanë përgjegjësi edhe lojtarët, por nuk mund të shpëtojë as stafi. “Përgjegjësi për një sezon si ky kanë lojtarët, por edhe stafi teknik.

Dervishi-Sormani Panorama Sport

Të dyja palët janë përgjegjëse, sepse nuk gjejnë akoma harmoninë e duhur në fushën e lojës. Unë e ndoqa në TV intervistën e trajnerit dhe ai akoma vazhdon me justifikime dhe sulme për hallka të klubit. Është e pabesueshme ajo që dëgjova… Nuk e kuptoj pse vazhdon të justifikohet, ndërkohë që ai ka për detyrë të punojë dhe të arrijë objektivat.

Të mos harrojmë se mori një Partizan kompetitiv që ndodhej në vendin e dytë dhe ishte në garë për Kupën. Shikoni ku është tani! Për më tepër, kush humb derbin 5- 1, nuk mund të vazhdojë me justifikime të kota”, deklaroi ish-drejtori i Partizanit.

DUHET TRAJNER SHQIPTAR

Sipas Dritan Dervishit, duhet një trajner shqiptar në të ardhmen në krye të stolit të kuq, edhe nëse të kuqtë arrijnë të sigurojnë një vend në kompeticionet europiane. “Për mendimin tim, Partizani është skuadër kompetitive. E them me bindje se është një skuadër me talente dhe është një klub i mirorganizuar.

Ka një president që nuk kursen asgjë dhe shumë gjëra mund të bëheshin më mirë. Asnjë nuk duhet të justifikohet me dilema të paqena. Duke marrë shkas nga ecuria e këtij sezoni, unë mendoj se Partizani edhe nëse arrin të shkojë në Europë, i duhet një staf teknik që të punojë për Partizanin dhe jo të gjejë justifikime mbas çdo dështimi. Unë jam për një trajner shqiptar.

Nuk e prisja një reagim të tillë nga Sormani. Si mundet një trajner të flasë kështu për lojtarët kur ka edhe 7 javë kampionat?! E mori ekipin në vend të dytë, pati kohë për të punuar dhe tani thotë që lojtarët ishin mbipeshë ose shënojnë pak… Pse nuk e tha trajneri në fillim që lojtarët nuk kanë nivelin e duhur, por e tha dje?! Presidenti dhe drejtori duhet të ndërhyjnë. Unë i qëndroj mendimit se Partizani ka lojtarë cilësorë dhe çdo justifikim është i pakuptimtë. Nuk ka Tirana me Kukësin lojtarë më cilësorë se Partizani”, u shpreh Dervishi.

lorenc trashi

URIMI PËR TRASHIN

Dervishi tha se transferimi i Trashit drejt skuadrës kuvajtiane të Al Qadsisë duhet të jetë një shembull frymëzimi edhe për lojtarët e tjerë më të rinj se ai. “Gëzohem për Trashin dhe për klubin e Partizanit. I uroj lojtarit fat dhe mbarësi, por ky transferim duhet të stimulojë edhe lojtarët e tjerë që të punojnë siç punon Trashi. Me llafe nuk të blen askush…”, tha Dervishi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"