Partizanit i rikthehet edhe “shtylla” e mbrojtjes, Sormani “fërkon duart”. Me grup të plotë në derbi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2020 | 14:19

Partizanit i rikthehet edhe “shtylla” e mbrojtjes, Sormani “fërkon duart”. Me grup të plotë në derbi

Partizani ka qenë i detyruar që në tri javët e fundit të bëjë ndryshime në qendër të mbrojtjes, lëvizje të cilat kanë qenë të detyruara për shkak të dëmtimit të Egzon Belicës dhe Deian Boldorit. Mbrojtësi nga Struga u dëmtua në ndeshjen me Luftëtarin dhe në dy javët në vijim dyshja e qendrës së mbrojtjes u përbë nga Boldori dhe Bitri.

egzon belica

Por, problemi u zmadhua para takimit me Bylisin, ku të kuqtë humbën për probleme fizike edhe mbrojtësin rumun. Në mungesë të dy qendrave, në Ballsh trajneri Sormani adaptoi Esin Hakajn në qendër dhe ashtu si në Vlorë edhe ndaj Bylisit mbrojtësi shkodran bëri një paraqitje pozitive.

Java përgatitore për derbin e 10 korrikut ka nisur me lajme të mira për stafin teknik, pasi pritet që dy qendërmbrojtësit e dëmtuar të jenë gati. Shanset më të mëdha për të qenë titullar ndaj bardhebluve i ka Egzon Belica, i cili dje është përgatitur normalisht me grupin. Parashikim optimist ka edhe për mbrojtësin rumun, por garancia që jep për momentin Belica bën që “demat” të jenë të kompletuar në mbrojtje për derbin.

Cinari Partizani festa

Në ndeshjet e fundit Partizani ka treguar më shumë siguri në fazën defensive, duke bërë që ekipi të kthehet te tradita e viteve të fundit, ku kanë pasur mbrojtjen më të mirë të Kategorisë Superiore. Ky faktor shpresohet të dalë në pah për Partizanin në përballjen e javës së 33-të me Tiranën, ku kërkohet me ngulm fitorja në mënyrë që të mbeten në lojë për sigurimin e një bilete për Ligën e Europës.

Solomon – Përveç gatishmërisë së dyshes të qendrës së mbrojtjes, të kuqtë do të kenë një tjetër rikthim për derbin, duke bërë që trajneri Sormani ta ketë më të plotë grupin. Theofilus Solomon ka qenë i pezulluar për ndeshjen me Bylisin pasi kishte plotësuar numrin katër të kartonëve të verdhë.

Cara, Braun, Solomon

Nigeriani është gati për stafin, por mbetet për të parë nëse trajneri do ta përzgjedhë si titullar, pasi që nga turpi në derbin e 28 shkurtit, Solomon ka humbur terren në formacion. 24-vjeçari është aktivizuar në 21 ndeshje në kampionat me të kuqtë, ku ka shënuar edhe katër gola, mes tyre edhe një në derbin e fazës së parë ku Partizani fitoi 2-1.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"