Partizanin e tradhtoi sulmi ndaj Besëlidhjes, faza ofensive çaloi dukshëm. Problematika nisi që në Champions

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2020 | 0:05

Partizanin e tradhtoi sulmi ndaj Besëlidhjes, faza ofensive çaloi dukshëm. Problematika nisi që në Champions

Partizani nuk arriti të kualifikohej në Kupë ndaj Besëlidhjes, edhe pse të mërkurën fitoi 3-1. Të kuqtë paguan humbjen 3-0 të para dy javëve në Lezhë. Misioni i përmbysjes arrihej vetëm duke pasur një sulm efektiv, por duke parë se si vajti ndeshja, ku të tre golat u shënuan nga një mesfushor shkatërrues dhe me goditje standarde, është e qartë se ku ka çaluar ekipi. 

Partizani4555

Partizani në Kupë u tradhtua nga reparti që pritej më shumë në ndeshjen e kthimit në “Elbasan Arena”, sulmi. Skuadra pati disa raste të pastra shënimi me lojtarët e fazës sulmuese, por finalizimi ishte në kufijtë e amatorizmit. Sulmuesve të kuq ka nisur t’u duket kuadrati i portës sa një vrimë gjilpëre, pasi nuk dinë të realizojnë edhe shumë pranë dhe të pamarkuar. Llogarit se çfarë mund të presësh më shumë nga lojtarë të tillë që nuk dinë të shënojnë as me portën bosh. Nëse finalizimi do të ishte në standardin mesatar ndaj Besëlidhjes, Partizani do ta shikonte veten në çerekfinale të Kupës përballë Tiranës.

Edhe trajneri Sormani ndodhet përballë një halli të madh, pasi me taktikat dhe skemat e tij ekipi krijon dhe shkon te porta, por finalizimi i lojtarëve të vijës së parë është problem. Një shprehje popullore thotë: “Moti i mirë duket që në mëngjes”. Ndaj, moti i këtij Partizani është parë që në verë, pikërisht në Baku ndaj Karabakut, ku Solomoni shumë pranë portës nuk arriti të shënonte dhe të mbushte arkat e klubit. Të kuqtë investuan shumë në verë për sulmin, duke afruar lojtarë me super-rroga, por shifrat e tyre në karrierë ishin dyshuese.

partizani

Partizani ka shënuar 26 gola në 21 javë kampionat, 1.23 gola për ndeshje. Nga këto, vetëm 3 mbajnë firmën e sulmuesve të huaj, pikërisht të Solomonit, pasi Braun akoma nuk e ka bë “sefte” duke u mjaftuar me tre golat e Superkupës. Erald Çinari është golashënuesi më i mirë i Partizanit me 4 gola. Më pas vijnë Solomon, Telushi, Melo dhe Asani, që është larguar, me nga 3 gola. Bardhi ka shënuar 2 gola.

sulmi

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"