Partizanin e ndjek fati i keq, dy lojtarët e të kuqve probleme me dëmtimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2021 | 12:45

Partizanin e ndjek fati i keq, dy lojtarët e të kuqve probleme me dëmtimet

Partizani triumfoi me rezultatin e pastër 3- 0 kundër Bylisit ndoshta në ndeshjen më të bukur që kanë bërë këtë sezon. Gjithçka u duk se shkoi në mënyrë perfekte për të kuqtë, por në fund, pati edhe disa shqetësime të vogla. Esat Mala u largua nga fusha e lojës i dëmtuar, ndërsa Jasir Asani u zëvendësua dy minuta pasi shënoi golin e tij, kjo dhe për shkak të një shkeljeje që mori nga Belica gjatë festës së golit. Duket se Partizanin e ka parë “syri i keq”.

ESAT MALA 100

MALA – Edhe pse u largua nga fusha e blertë i dëmtuar, mbrojtësi nuk pritet të mungojë kundër Kastriotit në fundjavë. Goditja e marrë në kavilje e shqetëson Malën, por me shumë gjasë do të jetë në ndeshjen kundër krutanëve. Mala ka qenë një ndër lojtarët më të rëndësishëm të Partizanit, duke luajtur në mesfushë dhe në krahun e djathtë të mbrojtjes, ku ka bërë një punë të shkëlqyer deri më tani.

Asani

ASANI – Kur kanë kaluar 27 javë nga fillimi i sezonit, nuk kishim parë që një futbollist të dëmtohej nga shoku i skuadrës. Por, kështu ka ndodhur me Jasir Asanin, që gjatë festës së golit të tij, mori një shkelje të pavullnetshme nga Belica. Megjithatë, asgjë serioze për anësorin 25-vjeçar, që ka parë anën gazmore të këtij momenti, duke e publikuar më pas edhe në rrjetet e tij sociale. Partizani e nis fazën e katërt në “AirAlbania”, në një sfidë kundër Kastriotit ku konsiderohet si ekipi favorit për të triumfuar.

VERONIK ISTREFAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"