Partizani, vetëm barazim në testin ndaj Gostivarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2014 | 15:32

Partizani, vetëm barazim në testin ndaj Gostivarit

PArtizani ne mavrovePartizani ka barazuar 1-1 në ndeshjen e dytë miqësore të luajtur në Mavrovë të Maqedonisë. Kundërshtari i radhës ka qenë Gostivari, klubi që këtë sezon do të militojë në ligën e dytë maqedonase. Të kuqtë kanë zhvilluar një lojë bindëse, por nuk kanë arritur të shënojnë më shumë se një gol. Skuadra e Shpëtim Duros ka qarkulluar mirë topin gjatë pjesës së parë, teksa ka krijuar edhe disa raste për shënim. Cuculi, Batha dhe Mazrekaj kanë spikatur, ndërsa goli i avantazhit për të kuqtë erdhi në minutën e 37-të. Pas një gjuajtje “bombë” të Fejzullahut, topi përplaset në shtyllë dhe më pas përfiton braziliani Magalhaes, i cili e dërgon atë në rrjetë. Nuk kaluan as katër minuta nga ky gol dhe të kuqtë u ndëshkuan nga një goditje standarde. Gostivari barazoi pas një pasigurie në mbrojtjen e Partizanit dhe pjesa e parë u mbyll 1-1. Përtej dominimit të ekipit të Duros, rastet e humbura ishin një problem më vete gjatë pjesës së dytë. Trajneri freskoi skuadrën, duke aktivizuar Trashin, Dajën, Vatnikajn dhe portierin Xhika. Mesfushori që mbylli sezonin te Lushnja ishte i pafat, pasi goditi shtyllën në minutën e 62-të. Mirëpo, në një hark të shkurtër kohor, ai u ndëshkua me dy kartonë të verdhë për ndërhyrje të rënda. Në shtatë minutat e fundit Partizani luajti me 10 lojtarë, por sërish pati raste për të kaluar në avantazh. Thuajse gjatë gjithë 90 minutave loja ka qenë e rëndë dhe me ndërhyrje që i kalonin caqet. Tensioni nuk mungoi, por u evituan incidentet. Në kompleksin ku u zhvillua takimi Partizani kishte edhe mbështetjen e tifozëve të kuq, ndërsa edhe nga Gostivari kishin ardhur shumë shqiptarë për të ndjekur miqësoren.

FK GOSTIVARI – PARTIZANI 1-1
GOLAT: Magalhaes 37′
Formacioni i Partizanit Në portë: A.Hoxha; Në mbrojtje: B.Krasniqi, Ibrahimi, Rrahmani, Cuculi; Në mesfushë: Fejzullahu; Shabani, Mustafa, Batha, Mazrekaj; Në sulm: Magalhaes; SKEMA: 4-1-4-1 (U aktivizuan: Xhika, Trashi, Daja, Vatnikaj).
KARTON I KUQ: Trashi 83′

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"