Partizani, Trashi rinovon për 3 vite me 40 mln lekë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 9, 2015 | 16:40

Partizani, Trashi rinovon për 3 vite me 40 mln lekë

trashi Partizani i sezonit 2015-2016 po përpiqet të mësojë nga gabimet e së shkuarës. Rasti i Amir Rrahmanit, që u la të ikte me parametër zero, ka bërë që drejtuesit e klubit të rinovojnë me lojtarët që janë në planet afatgjatë, por që u skadon kontrata në fund të sezonit. Të shtunën e kaluar, kryeqytetasit “blinduan” me një kontratë 5- vjeçare talentin më të ri të klubit, Jurgen Bardhi, pikërisht një ditë pasi mbushi 18 vjeç.

Dje ka qenë radha e Lorenc Trashit për të rinovuar. 23-vjeçari dhe klubi kanë rënë dakord për një rinovim të kontratës edhe për tre vitet e ardhshme. Partizani asnjëherë nuk ka dhënë shifra për përfitimet që marrin lojtarët, duke e lënë gjithçka konfidenciale. Trashi u afrua para një sezoni nga trajneri Shpëtim Duro dhe me atë që ka dhënë e ka justifikuar më së miri fanellën e kuqe. Ai bën pjesë te grupi i lojtarëve me rroga jo të larta, por me kontratën e re pritet që të përfitojë më shumë. Ndonëse nuk jepen shifra zyrtare, flitet se me kontratën e re Trashi do të përfitojë rreth 40 milionë lekë të vjetër në vit, shifër që mbetet evazive, pasi palët nuk preferojnë të japin detaje ekzakte. Me lojën e tij mesfushori jo vetëm që ka justifikuar fanellën që mban veshur, por gjithnjë ka ardhur duke e rritur nivelin dhe këtë sezon ka shënuar dy gola me vlerë për ekipin. Mësohet se sipas kontratës së re, Trashi mund të largohet para kohe nga Partizani, vetëm në rast se ka ndonjë ofertë nga jashtë vendit.

Lajmërimi i klubit

Klubi nuk ka preferuar që ta nxjerrë lojtarin para mediave pas rinovimit të kontratës, praktikë e cila është ndjekur edhe me afrimin e disa lojtarëve në verë. Por gjithçka është mjaftuar me një njoftim në faqen zyrtare të klubit: “Lorenc Trashi mbetet i kuq edhe për 3 sezonet e ardhshme. Mesfushori energjik ka arritur marrëveshjen me klubin  duke rinovuar kontratën. Bashkëpunimi mes palëve është zyrtarizuar me firmosjen e kontratës, e cila do të jetë e vlefshme edhe për 3 vitet e ardhshme. Mesfushori 23-vjeçar mbetet ndër pikat më të forta të skuadrës së kuqe. Ky rikonfirmim tregon edhe një herë politikën e klubit dhe presidentit Demi, ku synohet të ruhet baza e ekipit dhe të garantojë një vazhdimësi pozitive për të ardhmen.”

Mungoi me Laçin, por grumbullohet nga Kombëtarja

Kapiteni i “demave të kuq”, për shkak të plagës që pësoi në transfertën e Durrësit, mungoi në ndeshjen e fundit me Laçin. Stafi mjekësor nuk preferoi që të rrezikojë me portierin, pasi në rast të ndonjë përplasjeje të mundshme, plaga mund të bëhej problematike. Por një lajm i mirë ka ardhur dje për “gardianin” e të kuqve, pasi trajneri Xhani De Biazi e ka grumbulluar Hoxhën për dy miqësoret e radhës. Pra, ndonëse i dëmtuar në buzë, portieri do të jetë pjesë e kuqezinjve për ndeshjen me Kosovën më 13 nëntor, si dhe më 16 nëntor ndaj Gjeorgjisë. Pas angazhimit me Kombëtaren, Alban Hoxha pritet t’i bashkohet Partizanit për sfidën me Flamurtarin

Përgatiti: ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"