Partizani-Tirana, derbi i frikës. Në lojë janë 1 milion euro për kampionë, sa shumë arsye për të mos dalë blof në këtë duel rivalësh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 10, 2020 | 8:39

Partizani-Tirana, derbi i frikës. Në lojë janë 1 milion euro për kampionë, sa shumë arsye për të mos dalë blof në këtë duel rivalësh

Derbi nuk ka nevojë për motivim ekstra për ta fituar. Është thjesht ndeshja më e rëndësishme për dy skuadrat e një qyteti dhe kjo vlen edhe për Partizanin e Tiranën. Derbi i 157-të i kryeqytetit do të mbahet mend për shumë gjëra dhe dueli i sotëm është një ndeshje krejt tjetër: është një derbi frike… Jo vetëm prej pandemisë dhe frikës nga “COVID-19”, por edhe për shumë arsye të tjera. Le t’i marrim me radhë…ngo tirana partizani

Partizanit i rezultuan 2 lojtarë, Deian Boldor dhe Besnik Ferati, me “COVID-19” dhe do të ishte hipokrizi të thuhet se ata që do të zbresin në fushë, nga të dyja kampet, nuk do ta kenë merakun e infektimit.

Partizani luan Europën në këtë ndeshje. Për të qenë korrekt: i ka si finale deri në fund, por nëse humb ose barazon në derbi, i jep duart edhe objektivit të fundit.

Trajneri Adolfo Sormani e humbi një derbi 5-1. Nëse nuk ia del mbanë as në këtë, atëherë mund të ketë mbështetjen e drejtuesve për mbylljen e sezonit, por jo për sezonin e ardhshëm.

Kush humb një derbi kaq vendimtar sa ky, rrezikon edhe kontratën. Nuk e kemi vetëm për Sormanin apo Egbonë, por edhe për “senatorët” e dy skuadrave. Në kampin e të humburve mund të ketë një “fshesë” të frikshme pas ndeshjes.

Po Tirana? Edhe ajo e ka derbin e frikës. Nëse humbin me Partizanin, jo vetëm që do të thellojnë krizën ku janë futur, por do të ndienin rrezikshëm edhe frymëmarrjen e Kukësit pas shpine. Dhe ata të Tiranës e dinë se Kukësi po u afrua me 3 pikë, nuk është më i rrezikshëm, është thjesht i frikshëm… tirana partizani

Rrezikojnë edhe drejtuesit e Tiranës në këtë derbi. Jo vetëm titullin, por edhe klimën me tifozët. Hetimi i ndeshjes me Ballshin ka filluar t’u shkaktojë dhimbje koke me kohë, por derbi mund t’i bëjë për ilaçe…

Po është frikë edhe për stafin e Tiranës, që do të kënaqej edhe me një barazim. Po, por barazim u duhej edhe me Kukësin e nuk e morën dot. Nëse Egbo humb sërish, atëherë Halili do të mendohet mirë para se t’i ofrojë kontratën e re.

Por është edhe frikë mbi të gjitha për 1 milion euro. Nëse Tirana shkon në Champions, do shëndoshte arkat. Por ja që edhe Champions-i kalon nga derbi…

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"