Partizani “tallet” me Barletin, fitore me 60 pikë diferencë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 4, 2017 | 11:48

Partizani “tallet” me Barletin, fitore me 60 pikë diferencë

Java e 4-t e basketbollit për meshkuj ka nisur me ndeshjen e luajtur në pallatin e sportit “Asllan Rusi” ndërmjet skuadrës së Partizanit dhe Barleti Eagles, e cila nuk pati histori pasi skuadra e të kuqve ka fituara me tri shifra. Kjo fitore e ka dërguar përkohësisht ekipin e Partizanit në krye të tabelës me 7 pikë, por që pritet superndeshja e mbrëmjes së sotme që do të luhet në Durrës ndërmjet skuadrës kryesuese të javës së kaluar Teuta dhe Tirana.

partizani skenderbeu basketboll

Kjo do të jetë një nga ndeshjet më interesante të kësaj jave. Siç dihet, Tirana ka pësuar humbjen e parë gjatë këtij sezoni në tavolinë pas ndërprerjes së ndeshjes së derbit, të cilën e fitoi skuadra e Partizanit 0-20. Njëkohësisht me dënimin që mori ekipi i Tiranës nuk përfitoi as pikën e humbjes e kështu ajo, për momentin, ndodhet në vendin e 4-t pas Vllaznisë.

Shkodranët do të presin Kamzën e vendit të fundit, e cila ende nuk ka dalë te fitorja, duke i humbur tri takimet e mëparshme. Në Superligën e basketbollit të meshkujve po shtohet rivaliteti midis 4 skuadrave që renditen të parat në tabelën e kalsifikimit. Më të vështirë këtë javë do ta ketë ekipi i Tiranës, e cila duhet të përballojë 2 ndeshje në tri ditë.

Kështu që nesër mbrëma kryeqytetasit do të shkojnë në Durrës në një sfidë mjaft të vështirë, kur dihet që Teuta kishte një ecuri të shkëlqyer në këto tri javët e para duke marrë tri fitore, 82-72 në Shkodër ndaj Vllaznisë, 104-54 ndaj Barleti Eagles në Tiranë dhe 85-83, ndaj Kamza Basket në Kamzë.

Skuadra, e cila drejtohet nga Xhelal Kalaja, është në delir dhe do të kërkojë një tjetër fitore ndaj Tiranës, ndërsa kryeqytetasit, përpos kësaj ndeshjeje të vështirë, u duhet të përballen edhe të martën më 7 nëntor kundër KK Kumanovës 2009, në ora 18:30.

Për sa i përket takimit të vetëm të zhvilluar dje në pallatin e sportit “Asllan Rusi” ndërmjet Partizanit dhe Barleti Eagles, nuk ka pasur ndonjë histori, sepse të kuqtë e kanë zgjidhur shumë shpejt fitoren, teksa kanë shkatërruar Barletin Eagles në të 4 periodat me rezultatet të thella, kështu në periodën e parë 30-10, duke pasur një diferencë prej 20 pikësh.

Po kështu, në periodën e dytë 28-13 duke e thelluar diferencën në 35 pikë. Gjatë fraksionit të dytë, fitojnë të tretën 27-21 dhe në të fundit 31-10, duke arritur një rezultat shumë të thellë 114-54 me një diferencë prej 60 pikësh. Kjo fitore e Partizanit e ka dërguar skuadrën e Arben Fagut në krye të tabelës së renditjes.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"