Partizani “shpikje” për dëmtimet, udhëton 66 kilometra në ditë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2018 | 23:14

Partizani “shpikje” për dëmtimet, udhëton 66 kilometra në ditë

Partizani gjen zgjidhje për dëmtimet. Fakti që kohët e fundit shumë lojtarë të kuq kishin shfaqur probleme me dëmtimet, ka bërë që drejtuesit të gjejnë një fushë tjetër që skuadra të zhvillojë seancat stërvitore.

Partizani

Kryesuesit e kampionatit u stërvitën për disa kohë në kompleksin stërvitor “Internacional” në Pezë Helmës ku fushat janë me bar artificial. Dhe duket se kjo ka ndikuar që disa lojtarë të shfaqin probleme. Në këtë mënyrë, drejtuesit kanë vendosur që ekipi t’i zhvillojë stërvitjet në Elbasan.

ZHVENDOSJA

Ekipi do të udhëtojë çdo ditë vajtje-ardhje rreth 66 kilometra drejt Elbasanit për të zhvilluar seancat stërvitore. Të kuqtë kanë zgjedhur kompleksin “Pepa” për zhvillimin e seancave. Dhe ekipi që nga dita e djeshme ka nisur përgatitjet në qytetin fqinj. Gjatë dy viteve të fundit, Partizani e ka preferuar në shumë raste Elbasanin.

partizani-7-770x470

Madje, përpara takimeve të rëndësishme, ekipi është grumbulluar për disa ditë në Elbasan ku ka zhvilluar edhe seancat stërvitore. Ndërsa, përpara sfidës së të dielës me Luftëtarin, drejtuesit kanë vendosur që ekipi të udhëtojë çdo ditë nga Tirana në Elbasan për të zhvilluar seancat stërvitore.

Të kuqtë po kalojnë një moment shumë të mirë dhe nuk dëshirojnë që të rrezikojnë me dëmtimet e lojtarëve vetëm për shkak të fushës. Trajneri Skënder Gega i ka pasur të gjithë lojtarët në dispozicion, përveç portierit Alban Hoxha, i cili është i dëmtuar dhe nuk do të jetë në dispozicion në sfidën ndaj Luftëtarit. Të kuqtë do të kërkojnë vetëm fitoren në ndeshjen ndaj gjirokastritëve.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"