Partizani, rituali i radhës në Elbasan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 8, 2017 | 13:48

Partizani, rituali i radhës në Elbasan

Partizani nuk has pengesa përballë Elbasanit në basketboll për meshkuj, teksa kanë fituar në transfertë në shifrat 91-34, në ndeshjen hapëse të javës së 16-të të Kategorisë së Parë që foli nga minuta e parë dhe deri tek e fundit më mirë për miqtë. Elbasani, i përbërë më shumë me djem të rinj, rezistoi pak vetëm në periodën e parë, më pas lodhja dhe eksperienca e Partizanit bënë që të kuqtë ta fitonin pa shumë probleme.

Basket

Sigurisht që në këtë përballje favoritë vinin miqtë nga kryeqyteti, për vetë pozitat që kanë në klasifikim me vetëm fitore, por edhe për sa i përket përbërjes së lojtarëve që ka në skuadër. Kështu, perioda e parë e ndeshjes pati një rivalitet midis skuadrave, me Elbasanin që përpiqet të rikuperojë topa në tabelë dhe të shtyjë përpara, por gjithsesi në fund kryeqytetasit do ta mbyllnin në favor të tyre 10-18. Këto defekte të të dy ekipeve u reflektuan më pas edhe në pikët që morën gjatë periodës së parë.

Edhe perioda e dytë do të fliste më mirë për miqtë nga Tirana, të cilët e shtrëngojnë disi lojën dhe thellojnë më tej diferencën e pikëve. Të kuqtë nuk duan të lënë asnjë shteg për hap fals në këtë përballje, ndaj shtyjnë shumë përpara për të siguruar sa më parë fitoren. Partizani e mbyll këtë periodë me avantazhin 8-17 dhe shkon në pushim me një diferencë prej 17 pikësh. Me këto shifra, kryeqytetasit ndihen më komodë dhe më të qetë për të vijuar lojën.

Elbasani - Partizani skeda

Përpos diferencës në dy pjesët e para, të kuqtë nuk lëshojnë pe dhe periodën e tretë nuk mundohen që të ruajnë avantazhin e dy periodave të para, por ta thellojnë akoma më tej atë, duke ia arritur qëllimit. Madje, në të tretën ndërrojnë “marsh” dhe arrijnë të shënojnë akoma më shumë pikë, plot 32, përkundrejt 9 të vendësve.

Perioda e katërt luhet thjesht sa për kronikë, sepse nuk kishte më asnjë dyshim se fitues të kësaj sfide do të ishin miqtë e Partizanit. Djemtë e Fagut arrijnë të fitojnë në shifrat 23-7, duke e mbyllur krejt takimin në favorin e tyre me rezultatin e përgjithshëm 91-34.

Renditja

Partizani duket i sigurt drejt ngjitjes në Superligë, ndërsa elbasanasit janë në kampionat thjesht sa për ta respektuar atë, duke parë problemet e kohëve të fundit. Edhe pse në skuadër janë rikthyer tre “rebelë”, ata nuk do të luajnë për skuadrën gjatë këtij kampionati, ndaj Elbasani po u jep më shumë mundësinë djemve të rinj.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"