Partizani premio 15 mijë euro në Laç, tani radha e Kukësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2018 | 9:36

Partizani premio 15 mijë euro në Laç, tani radha e Kukësit

Nëse sezoni nisi me gjoba te Partizani, tani ka ardhur koha që sukseset të shpërblehen. Ecuria e mirë e skuadrës së drejtuar nga trajneri Klevis Dalipi, kryesisht fitorja 3-0 në transfertën e Laçit, ka bërë që presidenti i Partizanit, Gaz Demi, të hapë kuletën dhe të shpërblejë lojtarët. Gëzimi i fitores në Laç ka qenë i madh në kampin e kuq, pasi për herë të parë në këtë sezon ata janë ngjitur në vendin e tretë. Kështu, menjëherë sapo ekipi është kthyer në kryeqytet, mësohet se presidenti ka akorduar një premio prej 15 mijë eurosh, e cila u është shpërndarë menjëherë lojtarëve. Partizani i presidentit Demi nuk e ka zakon që të bëjë “show” me premiot dhe rrogat, pasi si praktikë klubi e ka që të ardhurat duhet të jenë sa më kofidenciale.
partizanii
Për këtë arsye është vonuar për t’u mësuar se të kuqtë janë shpërblyer për trepikëshin që morën në Laç. Por, ky shpërblim shikohet thjesht si pikënisje, pasi nëse sot skuadra merr një tjetër fitore në Kukës, presidenti Demi nuk do të kursehet duke i akorduar ekipit një tjetër shpërblim. Madje, kësaj radhe mendohet se premio mund të jetë më e madhe se ajo që përfituan pas ndeshjes me Laçin. Që pas suksesit në transfertën e Kamzës u tha se te Partizani po troket koha e shpërblimeve, pasi përveç rezultateve, ekipi po i kënaq tifozët dhe drejtuesit edhe me lojën që po zhvillon në fushë. Tani, të besuarit e trajnerit Klevis Dalipi e kanë vetë në dorë për të realizuar objektivin e klubit, pjesëmarrjen në Europë, mundësinë për të ruajtur vazhdimësinë në sezonin e ri, si dhe për të përfituar më shumë të ardhura nga premiot që vendos presidenti Demi. Takimi me Kukësin është i një rëndësie të veçantë për Partizanin. Në rast fitoreje do të ishin më të sigurt drejt sigurimit të biletës europiane, por do të hynin fuqishëm në luftën për vendin e dytë, që mendohet se mund të çojë në turet paraeliminatore të Champions-it. Partizani ka dhënë prova se di të fitojë në transfertën e Kukësit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"