Partizani paguan për tifozët ndaj Laçit, “demat” me një rikthim të madh në mbrojtje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 9, 2018 | 16:29

Partizani paguan për tifozët ndaj Laçit, “demat” me një rikthim të madh në mbrojtje

Java e 12-të e Superiores ka folur për Partizanin, i cili pas dy javësh kthehet sërish në vend të parë, duke qenë 2 pikë para korçarëve. Në kampin e kuq janë të vetëdijshëm se kryesimi ruhet duke qenë të gjithë faktorët të bashkuar, ndaj drejtuesit e klubit janë të vetëdijshëm se sa shumë ka nevojë skuadra për mbështetjen e tifozëve në stadium.

Kjo gjë u pa qartë në sfidën e fundit në “Redi Maloku” në Fushë-Krujë, ku dominimi i “Ultras Guerrils” në tribuna bëri që edhe ekipi të besonte më shumë te fitorja. Pas ndeshjes me Skënderbeun, Disiplina e dënoi Partizanin me zhvillimin e dy ndeshjeve pa spektatorë. Të parën e shlyen në ndeshjen me Kamzën dhe tjera i binte të dielën me Laçin.

gega lojtaret partizani

Por, ashtu siç u përfol prej ditësh, klubi ka vendosur që të sakrifikojë, duke e hequr dënimin e mbetur me pagesë. Duke ditur rëndësinë e ndeshjes, por edhe nevojën e mbështetjes së tifozëve, Partizani ka paguar 5 milionë lekë, në mënyrë që të dielën ndaj Laçit të luhet me spektatorë në “Selman Stërmasi”. Këtë gjë e ka njoftuar edhe klubi dje, ku pas dhënies së lajmit ka publikuar edhe çmimet e biletave për këtë takim.

NJOFTIMI- “Klubi njofton se në prag të përballjes ndaj Laçit ka vendosur të shlyejë financiarisht dënimin e Komisionit të Disiplinës, duke i mundësuar tifozërisë të jetë prezent në stadiumin “Selman Stërmasi” në mbështetje të ekipit. Ftojmë të gjithë familjen e kuqe në stadium të dielën të dhurojmë një atmosferë festive në përkrahje të skuadrës në këtë moment mjaft pozitiv të sezonit, ku me meritë pas 12-të javëve kryesojmë të vetëm. Biletat në tribunat A1, A2 dhe B1, B2 kushtojnë 1 500 lekë.

Biletat në tribunat: C1, C2, D1, E, F, G1, G2, H1, H2 kushtojnë 400 lekë. Tifozëria e kuqe do të ketë në dispozicion tribunat: A1, A2, B1, B2, C1, C2, D1, E, F, G1, G2. Tifozëria mike ka në dispozicion tribunat: H1, H2.”. Biletat dalin sot në shitje.

FORMACIONI- Në dallim nga tri ndeshjet e fundit, për Laçin trajneri Skënder Gega do ta ketë të plotë grupin, pasi nuk ka asnjë lojtar të pezulluar apo të dëmtuar. Për takimin e javës së 13-të rikthehet Sodiq Atanda, që ndaj Kastriotit ishte i pezulluar nga kartonët. Me rikthimin e nigerianit mbrojtja e të kuqve kompletohet dhe Atanda pritet të jetë titullar. Renato Gojkoviç e zëvendësoi afrikanin ndaj Kastriotit, po boshnjaku tregoi se stoli ka lënë pasoja tek ai, duke mos qenë i sigurt në lojën e tij. Me kompletimin e mbrojtjes, dilema e vetme qëndron nëse Kote do të jetë sërish titullar ndaj Laçit apo kësaj radhe trajneri Gega do t’i besojë nga minuta e parë një ish-lojtari bardhezi, Emanuel Mensah.

PËRGATITJET – Ngjeshja e kalendarit bën që Partizani të nisë menjëherë punën për ndeshjen e radhës, ku të dielën, në orën 17:00, në “Selman Stërmasi” presin Laçin, i cili në të njëjtin stadium u bëri nder “dermave” duke mundur Skënderbeun. Ndaj Kastriotit, të kuqtë vuajtën shumë amortizimin e stadiumit “Redi Maloku”, si dhe lojën e fortë të krutanëve. Por duke qenë se dueli me kurbinasit është në derë, në kampin e kuq nuk ka kohë për pushim. Dje skuadra i është nënshtruar një seance shkrythëse dhe lojtarët që vuajtën më shumë ngarkesën e së mërkurës iu nënshtruan edhe seancave të mazhit dhe rigjenerimit. Ndërsa nga sot trajneri Gega do të nisë të mendojë më konkretisht për Laçin, ku edhe përgatitjet do të kryhen në terren. Për momentin problemet fizike janë të vogla, ndaj stafi pritet ta ketë të plotë grupin.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"