Partizani nuk njeh humbje, Tirana befasuese

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 4, 2016 | 9:54

Partizani nuk njeh humbje, Tirana befasuese

Derbi mbetet i zjar rtë, pa hedhur sytë nga renditja. Dy skuadrat me rivalitetin historik më “të egër” do kërkojnë të triumfojnë për tifozët dhe jo vetëm. partizani tirana 2-0Nëse më pas vendos të shikosh klasifikimin, arsyet se pse bardheblutë apo të kuqtë duhet të marrin tri pikët, shtohen më tepër. Jo vetëm çështje zemre, por edhe “lapsi”. Gjithsesi, të bësh parashikuesin në një duel të tillë, duhet shumë guxim. Madje, edhe ai guxim të jetë “i verbër”.

Në bilancin e të dyja skuadrave, mëson se secila ka mjaftueshëm argumente për të pretenduar një rezultat pozitiv që, në rast se nuk i bën maksimalisht punë, minimalisht do t’i shkaktonte mjaftueshëm dëm rivalit…

Agostineli i pathyeshëm

Epoka e trajnerit italian nis me vitin kalendarik 2016. Që nga ajo kohë, Partizani ka qenë një ekip pa asnjë shije disfate në kampionat. Saktësisht, humbja e fundit daton më 23 dhjetor 2015, në shtëpi kundër Teutës. Agostineli numëron në total 14 takime në Superiore dhe shifrat janë me të vërtetë për t’u vlerësuar, edhe pse nuk kanë mjaftuar që të jetë në krye të renditjes.

“Demat” gjatë këtij viti kanë fituar tetë herë dhe kanë barazuar gjashtë të tjerat. Një skuadër që duket e pamundur që ta gjunjëzosh, madje edhe ta ndëshkosh. Në të 14-ta takimet, e kanë parë veten duke e nxjerrë topin nga rrjeta katër herë. Në fakt, sa herë që ka pësuar gol, nuk ka arritur as ta fitojë sfidën. Të gjitha triumfet janë realizuar duke e ruajtur portën të paprekur. Shifrat e kreut të pankinës japin besimin se nuk do arrijnë të thyen në derbi, por nëse shpresojnë për titullin kampion, atyre u shërben vetëm fitorja.

Tirana e “palexueshme”

Janë skuadra që ka pasur më shumë “halle” me mungesat e futbollistëve të rëndësishëm gjatë këtij edicioni, çka ka ndikuar jo pak edhe në ecurinë me luhatje. Por, ajo që e ka karakterizuar skuadrën e trajnerit Daja është dinjiteti dhe, mbi të gjitha, befasia. Në disa ndeshje është mposhtur, duke dominuar ndaj kundërshtarit (përfshirë ndeshjen e fundit me Skënderbeun).

Por, në disa të tjera ka triumfuar në takime që nuk ishte cilësuar aspak si favorite për shkak të rrethanave. Nëse edhe në derbin e sotëm ndaj Partizanit, bardheblutë cilësohen si lehtësisht të thyeshëm, për shkak të diferencës prej 21 pikësh me Partizanin dhe prej mungesave shumë të rëndësishme, atëherë gabohen. Tirana di të fitojë edhe kur është duke ecur me “gjysmë gazi” për shkak se nuk e ka të mbushur serbatorin plot.

E njëjta Tiranë ka arritur të fitojë 0- 3 në Laç, atje ku shumë pak skuadra mund t’ia dalin. E njëjta Tiranë ka triumfuar sidomos në Kukës, atje ku vetëm Partizani ia doli të përsërisë të njëjtën gjë. Ishin djemtë e Dajës që me një gol të Muçës befasuan duke marrë pikë të plotë në transfertën veriore. Një arsye më shumë për të mos besuar se janë të dorëzuar apo se nuk ia dalin dot të thyejnë “demat”, në një derbi me motivim ekstra. Kanë mjaftueshëm potencial dhe “eksperiencë” për të befasuar.

Barazimet

I vetmi rezultat që nuk u bën asnjë prej skuadrave sa i përket renditjes është që të ndajnë me nga një pikë. Por, specialiteti i secilës prej tyre është që të barazojë. Një statistikë që “hedh dyshime” nëse do luajnë një ndeshje neutralizuese, apo do kërkojnë të dalin nga tradita e këtij edicioni. Bardheblutë janë edhe ekipi që ka dalë nga fusha e lojës me një pikë, më shumë se kushdo tjetër (13 herë në 32 takime).

Nga ana tjetër, Partizani zë vendin e dytë, me dhjetë barazime. Madje, gjashtë i ka arritur vetëm në 14 ndeshjet e fundit. Me një fund të tillë në derbi, i dëmtuari më i madh do ishte pikërisht klubi i kuq, që po lufton për titullin kampion. Ndërsa Tirana është në situatë shpresuese; kërkon një vend në Europë, duke uruar që të gabojnë shumë dy ekipet e sipërme në renditje.

Golat në fund

Partizani i Agostinelit ka një shpërqendrim në minutat e fundit, i cili e ka penalizuar në tri ndeshje. Katër nga gjashtë barazimet e vitit 2016 në kampionat, kanë përfunduar me rezultatin 1- 1, ndërsa dy të tjerat 0-0. Në tre prej këtyre barazimeve është pësuar gol në minutat e fundit. Saktësisht me Skënderbeun (Vangjeli 88′), me Vllazninë (Dibra 90′) dhe me Flamurtarin (Danilo Alvesh 86′).

Përgatiti: FATION SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"