Partizani nuk i ndahet kreut, vendos serbi Raçiç

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Tetor 28, 2014 | 9:21

Partizani nuk i ndahet kreut, vendos serbi Raçiç

Partizani-Elbasani 1-0PARTIZANI-ELBASANI   1-0
GOLI: Raçiç 41′
PARTIZANI: Hoxha, Fejzullahu, Vrapi, Cuculi, Batha, Trashi, Mazrekaj (Osmanaj 78′), Nexhipi (A.Rahmani 85′),Vila (Shabani 68′), Raçiç, Fazliu. (Në dispozicion: Xhika, Dishliev, Daja, Mustafa). Trajner: Shpëtim Duro
ELBASANI: Kotorri, Vogli, Basriu, Pisha, Kaculi, Gava, Agboyi (Dosti 73′), Shazivari, Hila, Toçi (Tahirllari 69′), Malini (Çota 35′). (Në dispozicion: Ruçi, Jaupi, Musta, Lamçja). Trajner: Muharrem Dosti
KARTONË TË VERDHË: Batha 62’/ Toçi 25′, Gava 65′, Shazivari 81′
VËZHGUES: Prek Pjetrushi (Lezhë)
DELEGAT: Hito Hitaj (Tiranë)
GJYQTARET: L. Alla, D. Koreshi, E. Pashaj (Lushnjë)

MINUTAT
16′ Raçiç kombinon me Vilën, ky i fundit lëshon një krosim në zonë, por Fazliu është në kundërkohë dhe nuk e godet dot topin.
24′ Nexhipi lëshon një top në zonën mike, Raçiç godet me kokë, por topi përfundon jashtë.
25′ Nexhipi nga këndi e dërgon topin te Batha, i cili në zonë pason te Raçiç, cili pengohet nga Toçi dhe bie në tokë, gjyqtari Alla akordon 11-metërsh, i cili kontestohet nga elbasanasit.
26′ Vila godet topin nga pika e bardhë, por Kotorri i thotë “jo” duke e ndaluar gjuajtjen e mesfushorit të kuq.
29′ Fazliu pason te Vila, i cili në të djathtë të portës gjuan, por Kotorri e largon topin.
41′ Mazrekaj nga e majta e sulmit lëshon një top të gjatë në zonën e Elbasanit dhe aty Stevan Raçiç me të djathtën e devijon topin aq sa duhet për të befasuar portierin Kotorri dhe shënon, 1-0 për Partizanin.
48′ Mazrekaj lëshon një top të gjatë për Fazliun, i cili fiton duelin e shpejtësië me mbrojtjen mike, por jo me Kotorrin që del dhe e bllokon.
55′ Goditje dënimi për të kuqtë. Nexhipi nga e djathta vertikalizon një top për Mazrekajn në të majtë që gjuan fort, por jashtë.
59′ Kundërsulm i shpejtë i Partizanit. Mazrekaj kombinon me Raçiç, i cili nga e majta lëshon një top në zonë që përfundon te Vila i ndodhur i vetëm para portierit të Elbasanit. Por gjuajtja e Vilës është tërësisht e gabuar dhe topi përfundon jashtë kuadratit.
68′ Bunjamin Shabani nuk arrin të gjuajë si duhet, pasi topi i goditur nga ai ishte i lehtë dhe pritet me lehtësi nga Kotorri.
75′ Nexhipi nga një goditje standarde e dërgon topin te Raçiç që godet me kokë, por jashtë kuadratit.
82′ Sulmuesi Stevan Raçiç kombinon me Fazliun në të majtë, por gjuajtja e kosovarit përfundon jashtë kuadratit.

Partizani i trajnerit Shpëtim Duro vijon marshimin e tij duke mos iu ndarë kreut, ku dje fituan 1-0 me Elbasanin. Të kuqtë në përballjen e djeshme krijuan volum loje, raste për shënim, por arritën që të finalizojnë vetëm në një rast me sulmuesin serb Stevan Raçiç. Skuadra pat mundësi të shënonte që në minutën e 26- të, por Vila gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Partizani i Duros po kënaqet me fitoren 1-0, por “demat” janë kthyer në “bunker”, pasi nuk kanë pësuar gol në shtatë ndeshjet e fundit. Goli i fundit që ka pësuar portieri Alban Hoxha në kampionat është regjistruar më 30 gusht në transfertën e Fierit, ku Mikel Canaka i ndëshkoi në minutën e 80-të. Pa dyshim ecuria pozitive e të kuqve ka të bëjë edhe me pathyeshmërinë që skuadra ka treguar në repartin difensiv. Partizani e mbylli fazën e parë me 18 pikë dhe së bashku me Tiranën bashkëkryesojnë kampionatin.
Pjesa e parë Ndryshe nga ndeshjet e tjera, trajneri Shpëtim Duro ka përdorur një rreshtim të ri, ku mbrojtja përbëhej nga tre lojtarë: Fejzullahu, Vrapi dhe Cuculi, ndërsa para tyre qëndronin Batha dhe Trashi, që rezultuan dy nga lojtarët më të lëvizshëm dhe energjikë në fushë. Pastaj fantazia e lojës i ishte besuar treshes Mazrekaj- Nexhipi-Vila dhe sulmi përbëhej nga dyshja Fazliu-Raçiç. Elbasani nuk e kishte të mundur që të rikuperonte Dorian Bylykbashin dhe gjithçka ishte ndërtuar për të qenë solid në mbrojtje dhe për të goditur me kundërsulm, ku Malindi ishte i vetëm. Takimi nis i qetë dhe për rreth 15 minuta nuk ka asnjë rast për shënim, pasi loja u përqendrua në mesin e fushës. Rasti i parë i rrezikshëm vjen në minutën e 16-të, por Fazliu nuk ndodhet në pozicion për të goditur topin e marrë nga Vila. Në të 14-n, Raçiç provon me kokë, por topi përfundon jashtë, ndonëse ishte ngjitur me shtyllën pingule. Në minutën e 25-të të kuqtë fitojnë një 11-metërsh. Nexhipi nga këndi e dërgon topin te Batha, i cili në zonë pason te Raçiç, cili gjatë manovrës së tij pengohet nga Toçi dhe bie në tokë, gjyqtari Alla akordon 11- metërsh që kontestohet nga elbasanasit. Emiljano Vila merr përsipër të gjuajë topin nga pika e bardhë, por goditja e tij ishte e dobët dhe Kotorri e pret pa vështirësi. Pas këtij momenti, të kuqtë e shtojnë presionin ndaj portës verdheblu, por goli do të vijë në minutën e 41-të. Mazrekaj nga e majta e sulmit lëshon një top të gjatë në zonën e Elbasanit dhe aty Stevan Raçiç me të djathtën e devijon topin aq sa duhet për të befasuar portierin Kotorri dhe shënon, 1-0 për Partizanin. Me këtë rezultat përfundon pjesa e parë.
Pjesa e dytë Të dy trajnerët u besojnë të njëjtit grup lojtarësh edhe në pjesën e dytë. Fazliu ka një mundësi shënimi që në minutën e 48-të, por Elvis Kotorri tregohet më i vëmendshëm. Në minutën e 59-të, të kuqtë humbasin një mundësi “të artë” për të dyfishuar, por Vila finalizon gabim. Kundërsulm i shpejtë i Partizanit. Mazrekaj kombinon me Raçiç, i cili nga e majta lëshon një top në zonë që përfundon te Vila, i ndodhur i vetëm para portierit të Elbasanit. Por gjuajtja e Vilës është tërësisht e gabuar dhe topi përfundon jashtë kuadratit. Elbasanasit, ashtu si në pjesën e parë, edhe në 45 minutat e dyta nuk arritën që të tregoheshin të rrezikshëm, duke mos e vënë në vështirësi portierin Alban Hoxha që vijon të mbetet i pathyeshëm edhe pas kësaj sfide të fundit për fazën e parë. Përpos ndërrimeve nga të dy kampet dhe disa rasteve që patën të kuqtë, i gjithë takimi përfundoi me fitoren minimale të të kuqve.

MË I MIRI
Sulmuesi Stevan Raçiç edhe dje u tregua njeriu i fitoreve për Partizanin, pasi goli i serbit në minutën e 41-të i vlejti tri pikë kryeqytetasve. Përveçse shënoi Raçiç, ishte edhe shumë aktiv në fushë si në lojën në ajër, por edhe veprimet me këmbë. Paraqitje pozitive vijon të bëjë mbrojtja e Partizanit, ndërsa dy mesfushorët e qendrës Batha dhe Trashi mbeten konstantë në lojë dhe shumë rezultativë.

MË PAK AKTIVI
Sulmi i Elbasanit ishte në hije gjatë gjithë takimit. Malindi u dëmtua dhe në minutën e 35-të i la vendin Çotës që nuk dha asgjë në fushë. Te Partizani çaloi paraqitja e mesfushorit Vila, i cili në këtë sfidë rezultoi humbësi më i madh. Durrsaku humbi një 11-metërsh në minutën e 26-të, ndërsa në minutën e 59-të shpërdoroi një tjetër mundësi shënimi, ku vetëm me portierin Kotorri e dërgon topin jashtë kuadratit.

“Kaq janë mundësitë e Elbasanit”
Trajneri i Elbasanit, Muharrem Dosti, para ndeshjes me Partizanin u shpreh se vinte për pikë në kryeqytet, por kërkonte edhe gjykim korrekt. Pas ndeshjes, ai u shpreh se asnjëra nga ato që ai kishte kërkuar nuk u zbatua. Gjithsesi, trajneri i Elbasanit pranon se kundërshtari ishte i fortë dhe falënderoi lojtarët e tij për lojën që zhvilluan. “Para takimit me Partizanin pata kërkuar pikë dhe gjykim korrekt, por asnjëra prej tyre nuk u zbatua. Duhet të jemi të kënaqur nga loja që zhvilluan djemtë, pasi luanim përballë një Partizani që është pretendent për vendin e parë, ndërsa objektivat tona janë qëndrimi në Kategorinë Superiore. Po mundohemi, megjithatë dihet se në futboll lezeti janë pikët. Përveç lojës së mirë, ekipi ka nevojë edhe për pikët që na mungojnë. Kalendari është shumë i vështirë, por edhe situata jonë është shumë e keqe. Më keq se kaq, 3 pikë në 9 javë, nuk ka ku të shkojë. Po mundohemi dhe do Zoti të ngjitemi në klasifikim, duke mos u shkëputur nga zona e shpëtimit. Gjithsesi, kaq janë mundësitë tona”, u shpreh trajneri Dosti.

Policia ndalon banderolat anti-Serbi
Tifozët e Partizanit dje ishin përgatitur për të dhuruar spektakël në shkallët e stadiumit, ku gjithçka shkonte në përkrahje të kombëtares. Por, ndonëse kishin shpenzuar për këtë koreografi, policia nuk lejoi që banderolat anti-Serbi të hynin në stadium. Madje, duke parë se në fillim kishin hyrë disa nga banderolat, policia mbylli dyert e stadiumit duke lënë përjashta pjesën tjetër. Kushti i forcave të rendit ishte që tifozët, të cilët kishin hyrë brenda, të nxirrnin jashtë parullat kundër Serbisë dhe UEFA-s, si dhe flamurin e Shqipërisë etnike. Sipas “Ultras Guerrils”, të gjithë po ankohen nga keqtrajtimi i serbëve dhe UEFA-s, por më të keqen e kemi brenda, pasi policia nuk i lejoi që të shpalosnin në stadium simbolet kombëtare, sikur ndeshja po luhej në Beograd e jo në Tiranë.
ILIR CARA

 





www.minuta90.com