Partizani, një test për titullin. Ja pse kërkohet fitorja ndaj Flamurtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2018 | 23:38

Partizani, një test për titullin. Ja pse kërkohet fitorja ndaj Flamurtarit

Ndërprerja e kampionatit e gjeti Partizanin në vend të parë, ku në përfundim të 13 javëve skuadra e trajnerit Skënder Gega ka grumbulluar 31 pikë, me 10 fitore, 1 barazim dhe 2 humbje, me golavarazh 15-5. Të kuqtë kanë dy pikë më shumë se Skënderbeu, që është ndjekësi më i afërt, si dhe kundërshtari që u ka shkaktuar dy humbjet e vetme në kampionat.

Të premten Partizani është mysafir në Vlorë, për llogari të javës së 14-të të kampionatit. Ky duel me Flamurtarin ka shumë rëndësi për “demat”, madje mund të konsiderohet edhe si një barometër për vazhdimësinë e skuadrës së Gegës. Trepikëshi në Vlorë mund të ketë vlera të shumëfishta për të kuqtë. Flamurtari-Partizani luhet të premten, ora 18:00, në stadiumin e Vlorës, dhe në rast suksesi të kuqtë i presin me qetësi ndeshjet e tjera të javës, ku mund të prisnin edhe ndonjë dhuratë nga rivalët e kryeqytetit.

gega lojtaret partizani

Fitorja ndaj kuqezinjve do të bënte që Partizani ta përgatiste në qetësi dhe pa presion derbin me bardheblutë, duel i cili do të luhet në javën pasardhëse. Por, Partizani i trajnerit Gega ka treguar se mendon vetëm për kundërshtarin e radhës, ndaj transferta e Vlorës shikohet si një test për titullin, trofe i cili është kthyer në një mision të pamundur për “demat”, pasi u mungon prej 25 viteve.

STATISTIKAT- Përballja e së premtes do të jetë e 140-ta në histori mes dy klubeve. Shifrat, jo vetëm të këtij sezoni, por edhe të së shkuarës janë në favor të Partizanit. Të kuqtë janë superiorë ndaj vlonjatëve në 139 ndeshjet e luajtura deri tani, pasi kanë fituar 75 ndeshje, humbur 24 dhe 40 të tjera janë mbyllur në barazim. Golavarazhi është 226-109 për kryeqytetasit. Partizani ka treguar se di të fitojë edhe në Vlorë, ku për herë të fundit ka triumfuar në ndeshjen e fazës së katërt të sezonit të shkuar.

Më 19 maj të kuqtë e mposhtën 2-1 Flamurtarin në shtëpi, ku golat për “demat” i shënuan Besart Abdurrahimi dhe Gerhard Progni, por asnjëri prej tyre nuk është më pjesë e të kuqve. Ndërsa, golin e nderit për vlonjatët e shënoi Emiljano Musta. Takimi i fazës së parë, i luajtur më 23 shtator në “Selman Stërmasi”, u fitua 2-0 nga Partizani, me gola të Mensah dhe Telushit.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"