Partizani nis merkaton, piketohet 2 përforcimet e para

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2018 | 9:10

Partizani nis merkaton, piketohet 2 përforcimet e para

Partizani prej kohësh ka nisur punën për merkaton e sezonit të ri, punë, e cila po kryhet në heshtje me shpresën që nëse marrin pjesë në Europë, stafi ta ketë gati grupin që në ditën e parë të grumbullimit. Burime të “Panorama Sport” kanë bërë me dije se në emrat e piketuar janë edhe mbrojtësi Renato Arapi, si dhe mesfushori Edon Hasani.

partizani

Madje, mësohet se me këtë lojtarë kanë nisur bisedimet, meqë janë pa kontratë në përfundim të këtij sezoni dhe ata janë njohur me projektin që drejtuesit e Partizanit kanë për edicionin e ri.

RENATO ARAPI- Mbrojtësi durrsak është një njohje e vjetër për të kuqtë, pasi para dy vitesh ishte pjesë e suksesit të “demave” në Kupat Europës, ku arritën të eliminonin Ferencvaroshin. Më pas, presidenti Demi nuk u bë pengesë dhe e laArapin që të transferohej në Turqi te Boluspor.

arapi

31-vjeçari mund të luajë në prapavijë në të majtë të mbrojtjes, por edhe në qendër. Gjasat janë që Renato Arapi të kthehet sërish në Superiore, duke mbajtur veshur fanellën e kuqe. Mbetet për të parë se për cilin pozicion e thërret Partizani Arapin, por gjasat janë që ai të vijë si një alternativë për krahun e majtë të mbrojtjes, pasi dyshja e qendrës, Belica-Gojkoviç konsiderohet si e prekshme.

EDON HASANI- Mesfushori shkodran është lakuar shpeshherë si një përforcim i mundshëm te “demat e kuq”, por në asnjë rast nuk është bërë i mundur finalizimi. Gjasat janë që kësaj here të realizohet kjo tratativë, pasi mesfushori e ka mbyllur aventurën e shkurtër që pati në Iran te Sepahani.

edon hasani

Me kapitenin Batha thuajse të larguar, Hasani mund të ishte zëvendësuesi te Partizani. Ashtu si Arapi, edhe me mesfushorin shkodran kanë nisur kontaktet dhe mbetet për të parë se çfarë do të vendoset në ditët në vijim. Me afrimin e këtyre dy lojtarëve, të kuqtë shtojnë eksperiencën dhe me shpresë edhe kualitetin në ekip.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"