“Partizani nën sqetullën e sistemit, thikat pas shpine ia ngulën njerëzit e tij”, gazetari shpërthen për titullin e vitit 1989

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 29, 2020 | 22:30

“Partizani nën sqetullën e sistemit, thikat pas shpine ia ngulën njerëzit e tij”, gazetari shpërthen për titullin e vitit 1989

Gazetari i njohur Adriatik Dosti është kundër idesë se në vitin 1989 u shpikën enkas normat për të dëmtuar Partizanin.

Dosti

Si një njohës i historisë së atyre viteve dhe një gazetar me përvojë ai rendit një sërë faktesh, që sipas tij demonstrojnë qartë se Partizani të keqen shpesh herë e kishte nga brenda eradhëve të tij. Ja komenti i plotë:

Nga ADRIATIK DOSTI

…Ka disa javë që shoh një farë “rebelimi” dhe disa prononcime krejtësisht të pakuptimta, jashtë kohe e nuk e di se për çfarë arsye, konteksti e motivi bëhen publike pikërisht sot pas 31 vitesh, kur nuk i duhen e nuk i shërbejnë askujt…

Radhazi, miqtë e mi të mirë e të hershëm Neptun Bajko, Ilir Lame, Skënder Gega, Genc Tomorri, Ledio Pano e Perlat Musta mundohen të justifikojnë humbjen e titullit Kampion të skuadrës së tyre Partizani më 1989…. Ata fajësojnë normat që vendosi atëherë FSHF… duke akuzuar Tiranën se ju vodhi Titullin, e madje duke shkuar edhe më tej, e guximshëm akoma teksa ekipin e tyre e nxjerrin të persekutuar e të luftuar prej gjithkujt. Ndërkohë, Tiranën e klasifikojnë si skuadër që gëzonte përkrahjen e mbështetjen e regjimit të atëhershëm komunist. Jo, jo miqtë e mi. Kjo jo vetëm nuk shkon, por as nuk qëndron kërkund, aq më shumë që nuk arrij dot ta kuptoj se kujt i shërben kjo frymë, kjo gjuhë e kjo logjikë!

Partizani ka humbur edhe plot tituj të tjerë që nga 1981 – 1990 apo edhe nuk e ka fituar titullin për 26 vjet rresht, që nga 1993 – 2019. Dhe kush ia ka fajin për këtë, Tirana? Dinamo sot është shkatërruar krejtësisht si klub, si strukturë sportive, ia kanë përdhosur traditën e historinë dhe padrejtësisht edhe disa prej emrave të saj të mëdhenj e tepër të respektuar në sport e veçmas në futbollin shqiptar, mos ndoshta edhe për këtë fajin e ka Tirana? Edhe djepet e futbollit shqiptar Vllaznia e Tirana, më keq akoma ranë në Kategorinë e dytë duke e bërë pis sa më s’ka biografinë e tyre të shkëlqyer sportive, por as njëra e as tjetra nuk fajësuan për këtë as Partizanin e as Dinamon, apo jo? Ndaj, mbani mendjen në vendin e duhur o njerëz, mos bre burra se po gaboni rëndë… .

Ndaj kërkojini fajet, gjynahet, gabimet e mëkatet tuaja mes vedit e mos i adresoni te Tirana e te ndonjë ekip tjetër se gaboni rëndë. E duke dashur të vini vetulla, pa dashur druaj se do nxirrni sytë! Sepse doni apo nuk doni ju, historia me ngjarje, arkiva,  fakte, dokumente e personazhe realë, flet krejt ndryshe e aspak në favorin tuaj… Ok. Hejjjjjj, ndaluni o njerëz mos i jepni kaq fort shfryrjes së fantazisë e imagjinatës suaj. Njerëzit e atij brezi ende janë gjallë, shumica mirë e bukur nga ana shëndetësore e me një memorie brilante për t’u pasur zili.

Arkivat, dokumentet, letrat, shkrimet, gazetat, kronikat televizive, dëshmitarët okularë , personazhet drejtuese e interpretuese të ngjarjes për të cilën bëni fjalë, gjithashtu janë po aty. E gjithçka tjetër për t’i thënë të bardhës e bardhë dhe të zezës e zezë. Janë po aty. Ndaj merreni shtruar e vini në punë logjikën e faktet kokëfortë e jo pasionin e shfajësimin tuaj duke akuzuar padrejtësisht të tjerët. Lexova edhe prononcimin publik të Agustin Kolës, por edhe të Mirel Josës, dy prej futbollistëve më seriozë, të ndershëm e korrektë të Tiranës, por edhe të Kombëtares sonë të asaj kohe. Bëhet fjalë për fillim vitet ‘80 deri në fund të kësaj periudhe, pra deri me 1990. Personalisht jam i prirur të besoj sinqeritetin deri në naivitet të Agustin Kolës, pasi jo vetëm që e njoh si pak kush tjetër atë nga afër, dhe nga brenda e nga jashtë mentalitetin e karakterin e tij etj., por në atë kohe fatmirësisht kam qenë Anëtar i Kryesisë së Klubit “17 Nëntori” dhe di akoma edhe më shumë gjëra, “plane e kurthe” që thureshin sa në FSHF, në Ministrinë e Mbrojtjes, në atë të Brendshme e po aq edhe në Komitetin e Partisë të Tiranës. Veçmas kundër skuadrës bardheblu, që për drejtuesit e asaj kohe përfaqësonte armiqtë e pushtetit popullor. A e dini faktin që, më 1985 kur Agustin Kolës iu arratis djali i xhaxhait, propozimi për përjashtimin e tij për gjithnjë nga futbolli, por edhe për internimin e familjes së tij nga Tirana për në Rrëshen ka qenë në tavolinën e Ramiz Alisë por edhe në atë të Foto Çamit e Hekuran Isait?

Dhe ky propozim kishte ardhur e ish firmosur pikërisht nga zyrat e FSHF-së, të Sigurimit të Shtetit e të Komitetit të Partisë së Tiranës. Askush në atë kohë nuk e dënoi Partizanin përmes normave të shpikura nga Federata, pasi normat edhe pse të panevojshme, të palogjikshme në mes të kampionatit e të papranueshme, nuk u vendosën për të dënuar Partizanin e as qëllimisht ndonjë futbollist të tij, por ato ishin të njëjta për të gjithë futbollistët e Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të futbollit shqiptar të asaj kohe… brenda e jashtë Tirane. Partizani që sapo ishte dënuar nga UEFA, dihej me siguri absolute që më pas do dënohej edhe nga FSHF-ja jonë e asaj kohe, kryesisht e politizuar, ku drejtonin dhëndri i Hysni Kapos, Mehdi Bushati. Sekretari i Partisë Aziz Tahiri, militanti fanatik i Partisë shoku “parimor” Veiz Lelo, por edhe njerëzit e mirë e të ndershëm si Kristaq Mico, Ilia Shuke, Astrit Zhorda e co., por këta të fundit nuk i pyeste kurrë aslisj kur vinte puna te “ndarja e tortës” në futbollin shqiptar, të cilët me pas u zëvendësuan dhunshëm e anti-profesionalisht nga Kandidatët e KQ të PPSH.

Ali Vukatana e Nimet Cani. Pra, Partizani u dënua kryesisht po nga njerëzit e tij që teksa i shtireshin si miq, nga ana tjetër i ngulnin thikën pas shpine si  ata të mësipërmit që ishin në krye të sportit e të futbollit shqiptar. Por, edhe nga pseudo miqtë e tij si Petrit Lika e Muharrem Terihati me shokë. Partizani u dënua edhe nga kapriçot e disa trajnerëve e drejtuesve të tij, plus faktit tjetër që prej dekadash në krye të FSHF-së gjithmonë ka pasur ish-futbollistë, trajnerë e drejtues ndër vite të klubit “Partizani” e “Dinamo” dhe rrallë herë e tek -tuk edhe ndonjë prej Klubit “Tirana”, çka e rrëzon kategorikisht alibine se, e keqja Partizanit i ka ardhur nga Tirana apo se, dikush atje “lart” në FSHF të ketë ndihmuar e favorizuar Tiranën!

Nëse doni emra, mund t’u numëroj nja 30-40 të tillë, nisur që nga  Besim Fagu, M.Papadhopulli, B.Birçe e deri te Sul Starova, Bec Çela, T.Maçi, Gj.Thaka, V.Zëri e deri te Ilir Shulku i sotëm etj., etj. Klanet brenda Ministrive të Mbrojtjes e asaj të Brendshme ndërhynin rregullisht e brutalisht në sport, e në veçanti në futbollin shqiptar, madje banalisht duke kaluar e sfiduar çdo lloj ligji e rregulli sportiv… kombëtar e ndërkombëtar ku më se një herë ekipet tona deri edhe ekipi Kombëtar janë dënuar e paralajmëruar për përjashtime nga kompeticionet europiane prej FIFA-s dhe UEFA-s për përzierjen vulgare të politikës në sport. Mjafton të kujtosh 5 dënimet tona për mospërballje me ekipet sovjetike dhe izraelite si dhe 2 paralajmërimet ndaj ekipit Kombëtar dhe vetë FSHF-së për përjashtim e pezullim nga aktivitetet ndërkombëtare apo mospranimin e Dinamos në Kupat e Europës nga ana e UEFA-s më 1967 etj., etj., dhe  no coment. Thuhet që Komiteti i Partisë i Tiranës mbronte “17 Nentori”-n e luftonte Partizanin e Dinamon…seriozisht e keni këtë çmenduri tuajën o njerez? Kë quani mbrojtje e favorizim ju… mos vallë faktin që një nga legjendat e figurat ikonike e Presidentin e KF “Tirana”, z. Selman Stërmasi të diplomuar në Itali, ai reegjim e ai pushtet e çoi dhunshëm të punonte si punëtor tallashi në Kombinatin “Misto Mame”?

Ta zemë se dikush u ndihmua nga sportistët e klubit të Tiranës për një të drejtë studimi që i takonte çke me të, a për një apartament një dhomë e kuzhinë që i takonte gjithashtu se jetonin 7-8 vetë në të njëjtin apartament furrik në familjet e tyre. Edhe këtë ju e quani favorizim e përkrahje të KS “Tirana” nga regjimi i asaj kohe? Sa emra e shembuj doni t’u jap për futbollistë e sportistë të klubeve Partizani e Dinamo që kanë gëzuar priviliegje pa kufi, pikërisht falë statusit të klubeve të tyre, që vareshin direkt prej ministrive që bënin ligjin e mbanin në këmbë pikërisht atë regjim monstër? Kush ua rrëmbente talentet Shkodrës, Vlorës, Korçës, Elbasanit, Kavajës, Durrësit, Gjirokastrës etj., e pastaj i vishte kapterë e oficerë ose i kthente në policë e punonjës civilë të Ministrisë së Brendshme. Partizani e Dinamo, apo Tirana? Doni emra, doni shembuj? Mund t’u jap unë jo 1 por 500 të tillë. Ndaj ju them që në të tilla raste heshtja vlen më shumë se trimëria e shtirur apo se çdo lloj justifikimi banal. Duke mos mohuar gjithashtu faktin se sportistë e futbollistë të ndershëm nga këto klube kishte plot. Ata jo vetëm që s’mund t’i quash dot të përkëdhelurit e atij regjimi, por përkundrazi meritonin respektin, admirimin e mirënjohjen e gjithkujt për karakterin e personalitetin e tyre dinjitoz si sportistë e si njerëz.

Vërtetë besoni që Manush Myftiu, që desh e shkoi në hell trajnerin e famshëm Myslim Alla, Jashar Menzelxhiu, Nesip Ibrahimi, Llambi Gegprifti, Pirro Kondi, Piro Lako, etj., etj., të vinin Tiranën para Partisë së tyre, para ministrive që e mbanin në këmbë regjimin e tyre? Aq më shumë që asnjeri prej tyre nuk ishte tiranas, që të paktën të justifikonte deri diku këto broçkulla që thoni e bëni publike sot ju. Në krye të Klubit “17 Nëntori” në atë kohë kanë qene radhazi Lame Konomi, Nuri Bylyku, Çlirim Hysi e së fundi erdhi edhe Zija Shaba. Dhe, i kujtoj si sot disa takime të tyret me krerët e Komitetit të Partisë së Tiranës në atë kohë, pasi kam qenë vetë disa herë pjesëmarrës në ato takime dhe e kam dëgjuar me veshët e mi gjuhën e vrazhdë e arrogante, por dhe përbuzëse të tyre ndaj sportistëve e veçmas edhe ndaj futbollistëve të Tiranës.

Madje, kulmi mbërriti kur në një nga këto takime, Pirro Lako m’u drejtua mua e të mrekullueshmit Lame Konomi me fjalët: ”Prapë erdhët ju për t’u dalë në mbrojtje atyre horrave tuaj me biografi blozë?” E pra, ne kishim shkuar të ankoheshim pse nuk i nxirrnin të drejtën e studimit për në ILKF Pirro Dhimës, atij që më pas do të bëhej kampion i Botës, kampion Olimpik etj., etj. Vërtetë e keni o miqtë e mi, kur thoni që Tirana ishte ekip që mbrohej e favorizohej nga regjimi i kohës e nga PPSH e tij? E ju që ishit nën sqetullën e funksionarëve më të lartë të atij regjimi, Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Çakos, Kadri Hazbiut, Maliq Sadushit, Veli Llakajt, Prokop Murrës, Kiço Mustaqit, Raqi Ifticës, Feçor Shehut, Hysen Shahut etj., etj., tani po kërkoni të na dilni të keqtrajtuar e të persekutuar?

Ju lutem, jo deri  ketu. Pasi ju personalisht si emra e si persona nuk po ju akuzon kërkush që na keni persekutuar. Por, të paktën më mirë heshtni e mos na fyeni deri në këtë farë derexheje. Kini pak më shumë respekt për historinë e atij klubi, për ish-shokët e koleget tuaj ndër vite, ok. Ndaj mençurisht e qytetarisht, do bënit më mirë të heshtnit. Nuk e dënoi kush Perlatin nga Tirana që të mos luante e që në vend të tij në portë të ishte Nallbani, aq më shumë që Blendi ishte vlerësuar në atë kohë unanimisht prej të gjithë specialistëve të atëhershëm të futbollit si një ndër talentet më të mëdha të portës shqiptare  dhe koha vërtetoi se vërtet ishte i tillë….as Neptunin nuk e dënoi kush nga Tirana, por e dënuan miqtë e tij nga brenda FSHF. Ledion, Lamen, Tomorrin, Gegën jo e jo pasi ishin futbollistë, por edhe djem të mirë, të zot e të talentuar.

Të respektueshëm, korrekte e që meritonin respektin e gjithkujt. Nuk ju mjafton arrestimi skandaloz e më pas dënimi brutal me burg i yllit të futbollit të Tiranës e të Shqipërisë Skëndër Halilit nga ai regjim për të cilin thoni banalisht se u persekutonte ju, dhe mbronte Tiranën? Nuk ju mjafton gjithë çka ai regjim i ministrive nga vareshin klubet tuaja, bënë në mënyrë skandaloze më 1967 duke i hequr arbitrarisht titullin Kampion Tiranës e duke ia dhënë me vendim të Byrosë Politike Dinamos? Nuk ju mjaftojnë gjithë ato çka hoqën “armiku i klasës me biografi të keqe” Gëzim Kasmi, degdisja e S. Hykës, F. Frasherit, L. Bytyçit, A.Memes etj., etj., sa në Vlorë, Durrës e Shkodër, po aq edhe në tunelet e Skraparit? A e dini që, Skënder Hodja shpëtoi për një fije nga burgu pse para një ndeshje të Kombëtares sonë bëri kryqin para se të hynte në fushën e lojës? A e dini pse Sul Memën nuk e merrnin kurrë në Kombëtare e pse Sinan Bardhin e kishin në rreth të kuq? Apo pse portierët Habibi e Konomi, por edhe D.Hatibi kishin “dosje” e përndiqeshin nga Sigurimi i Shtetit?

A i kini pyetur ndonjëherë kolegët tuaj Millan Baçi, H.Frashëri, A. Naçi, T. Dibra, F.Llambi, L.Sengla, B.Bukoviku, Kazanxhiu, Ishka, Hyka etj., etj., përse hoqën të zitë e ullirit për të dalë njëherë të vetme jashtë shtetit me skuadrën e tyre, apo edhe më keq akoma nuk e kaluan dot kurrë kufirin e Shqipërisë? Apo ata më fatlumët e veshën fanelën e Kombëtares së tyre nja dy herë vetëm me urdhër nga lart e vetëm për të luajtur këtu në Shqipëri e kurrë jashtë saj? Ose që nuk e veshën dot asnjëherë  e nuk e shoqëruan ekipin e tyre për të cilin kishin vite që luanin, kurrë as deri në  Rinas? E kjo, pikërisht për shak të persekutimit biografik të tyre. A e dini se më se një herë Agustinit kanë dashur t’i vënë prangat aty në fushën e lojës dhe atë ditë kur vëllai i dhëndrit të diktatorit, kryehetuesi kriminel i atij sistemi Florian Kolaneci e kërcënoi me burg Kolën unë isha aty prezent dhe pashë e dëgjova gjithçka ndodhi në përplasjen mes tyre?

A e dini se, sa herë burgjet e rajonet e policisë janë mbushur me tifozë të Tiranës e kurrë me ata të Partizanit e të Dinamos, për fajin e vetëm pse përkrahnin me gjithë zemër skuadrën e tyre që për regjimin quhej skuadra e armiqve të klasës e të pushtetit popullor? A e dini se, të paktën mbi 50 % e sportistëve të Tiranës kishin dosje e përndiqeshin nga Sigurimi i Shtetit për shkak të biografisë së tyre familjare? Pohim ky i bërë nga vetë ministri i Brendshëm i asaj kohe Feçor Shehu në gjyqin e tij. Kush i rrëmbente talentet e lojtarët si të donte e kur të donte, pa asnjë lloj ligji përveç atij diktatorial të kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak, Tirana apo Dinamo e Partizani? Kini te paktën me shumë respekt për Fatmir Frashërin, Luigj Bytyçin, Skënder Halilin e trajnerin Myslim Alla, që luajtën e drejtuan klubin tuaj e ju dhanë jo një, por tre  tituj Kampionë, 2 Kupa të Shqipërisë, e ju nderuan në Lajpsig e Hanoi me kupa fituesi e medalje Argjendi.

Pak më shumë respekt e mirënjohje edhe për A.Ramadanin, A.Tafajn, B. Nallbanin e Sul Memën, që si lojtarë e trajnerë që përfaqësuan në kohë e periudha të ndryshme klubin tuaj, ju dhanë në vitet e mëpasme edhe nja 3 tituj të tjerë Kampion e Kupa Shqipërie. Kini më shumë respekt për një nga figurat më të ndritshme të klubit tuaj e për njërin nga më të mirët futbollistë të historisë së Partizanit tuaj e të futbollit shqiptar  për të pavdekshmin Refik Resmja, i cili derisa mbylli sytë, miqtë e tij më të mirë e më të ngushtë i pati pikërisht nga klubi bardheblu e ndër ta Enver Shehun e kishte vëlla e shkuar vëllait.

Kini pak më shumë respekt për Panon tuaj të madh, që veshi fanellën tuaj duke qenë  më parë produkt e lojtar i Tiranës së Xhavit Demnerit të  papërsëritshëm dhe jo rastësisht e mbylli karrierën e tij brilante në ndeshjen e tij të fundit e të lamtumirës pikërisht ndaj skuadrës prej edhe ku lindi, Tironës, të cilën aq shumë e donte dhe e respektonte derisa ishte gjallë! Heshtja në të tilla raste ka më shumë vlera burrërore e njerëzore se sa deklaratat e shoë i pavend mediatik, ku viktima vazhdon të akuzohet e të viktimizohet, ndërsa persekutorit çuditërisht por jo rastësisht, i pëlqen të marrë përsipër e të interpretojë rolin e të persekutuarit.

PANORAMASPORT.AL

 

LEXO EDHE: 

EKSKLUZIVE/ “Po të vendoste ushtria Partizani bëhej si Juvja”, rrëfimi special i Neptun Bajko: Të keqen e kishim brenda, ja kush e dënoi Mustën me shokë

EKSKLUZIVE/ “Tirana e persekutuar”, Nallbani: Musta ngeli në prova dhe ia zura vendin pa mik te Partizani, qava me pikën e lotit kur ika sepse… (E PLOTË)

EKSKLUZIVE/ “Lame dhe Musta ishin te shkolla e ‘Begsave’ “, Bedri Omuri: Partizani do që të dalë i persekutuar (E PLOTË)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"