Partizani në universin e dy Ilirëve, ja shtatë mrekullitë për të krijuar një ekipi konkurues

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2020 | 18:47

Partizani në universin e dy Ilirëve, ja shtatë mrekullitë për të krijuar një ekipi konkurues

Partizani i sezonit të ri është një realitet ndryshe, pasi është i detyruar që të funksionojë sipas universit të Ilirëve, pikërisht bëhet fjalë për timonierin e të kuqve, Ilir Daja, dhe trajnerin e portierëve, Ilir Bozhiqi. Pa dyshim bëhet fjalë për një dyshe nga më të spikaturat në futbollin shqiptar, që kanë përvojë, si dhe rezultate të faktuara si fitues trofesh. Në kushtet e bllokimit të merkatos, duke mos pasur mundësi që të bëjnë asnjë përforcim në verë, “demat” u falen ideve dhe shpikjeve të Ilirëve të stafit teknik.
GJK_9990-1536x1024-1-1000x600
Daja ka treguar se di të bëjë mirë edhe kur drejton skuadra me probleme, ku falë strategjisë së tij di të mbajë ekipin e lidhur, jashtë trysnisë dhe duke e vendosur mirë taktikisht në fushë arrin t’u marrë maksimumin futbollistëve. Kjo gjë kërkohet aktualisht edhe te Partizani nga dy Ilirët e pankinës, ndonëse vështirësitë dihen, kryesisht në konfigurimin e skuadrës me një grup të reduktuar në alternativa, dukshëm në fazën mbrojtëse. “Panorama Sport” do të rreshtojë disa pika dhe detyrat që u dalin përpara dy Ilirëve të stafit të Partizanit për të pasur një skuadër konkurruese në sezonin e ri, në kushtet e merkatos së bllokuar në hyrje:

1-  Ilir Daja duhet të shpikë alternativa në qendër të mbrojtjes. Eneid Kodra, një produkt i akademisë së Partizanit, i aktivuar në sezonet e fundit edhe tek ekipi i parë, nga mesfushor i duhet të përshtatet si qendërmbrojtës, ndonëse më herët trajneri e ka provuar edhe në rolin e ekranit para mbrojtjes. Agim Dajçi është tjetër alternativë.
boldor belica bitri broja
2- Trajnerit Daja do t’i duhet që të sjellë në maksimumin e tyre qendrën e mbrojtjes, të përbëra nga Belica dhe Bitri, kur dihet se në sezonin e fundit mbrojtja e humbi soliditetin që e ka karakterizuar Partizanin që pas kthimit në elitë në financimin e presidentit Gaz Demi. Do t’i duhet të shpikë alternativa në krahë të mbrojtjes, pasi mungojnë lojtarët tipikë në këto role. Kristi Kote, nga mesfushor po adaptohet si mbrojtës i majtë, ndërsa në krahun e djathtë janë provuar disa alternativa.
hYSENI
3- Dy Ilirëve u duhet të shpikin ekranin e famshëm nga hiçi, ndonëse kanë plot lojtarë në mesfushë. U duhet të përshtatë një lojtar në rolin e Sabien Lilajt, i cili ishte piketuar për atë pozicion, por bllokimi i merkatos nuk ua mundësoi dot afrimin dhe zgjidhja duhet të gjendet brenda familjes. Rikthimi në ekip i Alesio Hysenit shikohet si një mundësi për këtë rol. Më herët, përveç vlonjatit që ka një të shkuar me trajnerin Daja te Flamurtari, edhe Broja, Ferati, Lukas janë provuar në këtë rol të shumëdëshiruar nga stafi.
Cara, Braun, Solomon
4- Stafi ka për detyrë që dyshen zhgënjyese të sulmit, që është ndër më të paguarat në ekip, Solomon-Braun, ta ringjallë. Në sezonin e shkuar ata mbahen mend për irritimin që krijonin me rastet e humbura dhe kartonët e marrë. Ndaj, me Dajën shpresohet që ata të shndërrohen në lojtarë që do të zgjidhin ndeshjen duke marrë ekipin për dore. Solomon është piketuar nga Daja si pika referuese e sulmit, gjë e cila tregon se ekziston besimi te sulmuesi nigerian.
belica-bardhi-asani-mala-1024x683
5- Trajnerit Daja i del për detyrë që të kthejë harmoninë në ekip dhe funksionalitetin e “BAM”-it (Bardhi, Asani, Mala) të famshëm të sezonit të titullit kampion.

6- Përpos mungesave të alternativave, dy Ilirëve dhe zv.trajnerit Artim Pollozhani u del për detyrë që ta përgatisin ekipin edhe psikologjikisht, që të mos bjerë pre e presionit të kundërshtarëve dhe ambientit. Pa dyshim, rëndësi ka starti, ku kërkohet të merren rezultate pozitive për të rritur besimin për vazhdimësinë.

7- Natyrisht, këtë gjë nuk do ta kryejnë të vetëm dy Ilirët e stolit, pasi Partizani e ka brumin dhe jo më kot sipas “transfermarkt” është skuadra më e shtrenjtë e Kategorisë Superiore. Elementët janë kryesisht në fazën ofensive dhe frika vjen vetëm nga mungesa e alternativave në repartin defensiv. Armë plus për stafin është se Partizani ka një tifozëri që e mbështet ekipin në çdo fushë, si dhe klubi ka treguar se është i shëndoshë financiarisht, pasi nuk ka pasur probleme të tilla në të shkuarën.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"