Partizani “në ajër” për trajnerin e lojtarët. Ikin titullarë të rëndësishëm para Europës dhe ka hezitim për rinovimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2022 | 17:40

Partizani “në ajër” për trajnerin e lojtarët. Ikin titullarë të rëndësishëm para Europës dhe ka hezitim për rinovimet

Partizani mundi Kastriotin dhe u kualifikua në Ligën e Konferencës, ku do të luajë ndeshjet eliminatore. Nëse ky mision u arrit me sukses, tashmë veçanërisht për drejtuesit, dalin përpara sfida të reja, shumë të rëndësishme, të cilat detyrimisht do të duhet të kërkojnë zgjidhje sa më shpejt, pasi ndeshjet kualifikuese nuk janë aspak larg.

PARTIZANI

TRAJNERI – Edhe pse objektivi u arrit, drejtuesit nuk e kanë marrë mundimin t’i ofrojnë një kontratë të re Dritan Mehmetit. Prej javësh te Partizani kanë kontaktuar emra të tjerë, ku më i përfoluri ka qenë Tomas Brdariç, por ende nuk ka një vendim në lidhje me të ardhmen e stolit të klubit të kuq. Në fakt, ka një dilemë të drejtuesve, nëse duhet të veprojnë siç bëri Tirana vitin e shkuar me Shehin apo të sjellin një trajner tjetër, me përvojë më të madhe se Mehmeti. Burime për gazetën bëjnë me dije se dy eprorët e lartë, drejtori i përgjithshëm Olsi Rama dhe presidenti Gazment Demi, kanë mendime të ndryshme. Nëse Demi ka besim te Mehmeti, drejtori është më skeptik dhe i dyzuar. Ata duhet të vendosin shpejt, pasi trajneri është një rol që lidhet ngushtë edhe me merkaton e verës, për të cilën duhet të nisë puna.

HOXHA DHE ZHUNIOR – Këta janë dy nga lojtarët që mbyllin kontratën e tyre me Partizanin në fund të qershorit. Të dy janë shumë të rëndësishëm në rolet e tyre dhe titullarë absolutë, por ashtu si me Mehmetin, klubi nuk u ka bërë asnjë ofertë për të rinovuar. Braziliani është thuajse një largim i sigurt dhe një shtysë për këtë është edhe hezitimi i Partizanit për të rinovuar kontratën me të. Hoxha nga ana tjetër është 34 vjeç dhe klubi po mendon edhe për një emër të ri në portë. Kapiteni nga ana e tij është i hapur për rinovimin.

HUAZIMET – Dy titullarë të tjerë, Esat Mala dhe Albion Marku, nuk do të jenë në ndeshjet e Ligës së Konferencës. Mala kthehet në Turqi te Giresunspori, ndërsa Marku në Kroaci te Lokomotiva e Zagrebit. Sherif Kallaku do të ndjekë gjithashtu të njëjtën rrugë. Dean Liço do të kthehet tek Askoli duke ulur numrin e alternativave në stol.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"