“Partizani na mundi me penallti të paqenë”, trajneri i Besëlidhjes ka besim te kthesa e ekipit: Nuk dorëzohemi kurrë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 4, 2021 | 11:46

“Partizani na mundi me penallti të paqenë”, trajneri i Besëlidhjes ka besim te kthesa e ekipit: Nuk dorëzohemi kurrë!

Trajneri Alban Bruka ka mbetur i kënaqur nga ekipi i tij, ndonëse u mundën në Kupë nga Partizani, që sipas tij, i ndëshkoi me një penallti të paqenë. Trajneri lezhjan pohoi se nëse ekipi i tij jep 50% të asaj që tregoi me të kuqtë, është e sigurt që marrin rezultat pozitiv në Fier dhe mbijetesa nuk vihet kurrë në dyshim.

alban bruka

“Besëlidhja bëri një paraqitje dinjitoze, kështu që jam shumë i kënaqur me lojën që ka zhvilluar sot (dje) ekipi në fushën e lojës. Besëlidhja është një ekip me traditë që i vlerëson si ndeshjet e kampionatit, por edhe të Kupës.

Ka vite që po ndeshemi në Kupë me Partizanin. Mendoj se u ndëshkuam me një penallti të paqenë. Ekipi doli në lojën e tij dhe shikoj një përmirësim të frytshëm për të ardhmen, ashtu si në Kupë dhe në kampionat. Lufta është e hapur, sepse 1-0 është rezultat minimal, kështu që do të shkojmë për të luftuar edhe në ndeshjen e kthimit me Partizanin.

Do të japim maksimumin edhe në ndeshjen tjetër të Kupës. Kampionati? Me shenjat që dha sot ekipi në Kupë jam optimist sa i përket ndeshjes së radhës në kampionat, ndaj do të shkojmë në Fier për rezultat pozitiv.

Sikur 50% të lojës që treguam ndaj Partizanit të zhvillojmë ndaj Apolonisë, e sigurt është marrja e rezultatit pozitiv këtë fundjavë. Mbijetesa? As që e vë në dyshim mbijetesën e Besëlidhjes në Kategorinë e Parë”, u shpreh trajneri Alban Bruka pas humbjes në Kupë me Partizanin.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"