Partizani mund Kamzën, Duro mbyll merkaton

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 21, 2014 | 9:30

Partizani mund Kamzën, Duro mbyll merkaton

Partizani ne stervitjePARTIZANI-KAMZA 3-0
GOLAT: Mazrekaj 68′, Fazlliu 75′ (p), Mustafa 88′
PARTIZANI: Hoxha, Fejzullahu, Dishliev, Rrahmani, Cuculi, Batha, Nexhipi, Vatnikaj, Mazreku, Vila, Raçiç. Trajner: Shpëtim Duro. (U aktivizuan: Xhika, Muskaj, Ibrahimi, Mustafa, Trashi, Daja, Fazlliu, Vatnikaj, Çema.)
KAMZA: Sejdini, Sharko, Ibrahimllari, Gjonaj, Keta, Koleci, Xhemalaj, Zuna, Olatunji, Maho, Blloku. Trajner: Fatjon Tafaj. (U aktivizuan: Dedej, Lame, Naska, Selimi, Patushi, Doku, Ahmetaj, Cenmurati, Klosi, Aga, Cani.)
GJYQTARË: B.Kaimi/ M.Shazivari dhe D.Tomori
KARTONË TË VERDHË: Batha 12’/ Ibrahimi 14′, Patushi 58′

Partizani ka zhvilluar dje pasdite në stadiumin e Kamzës ndeshjen e dytë miqësore brenda vendit. Kjo ndeshje kishte rëndësi të madhe për formatimin e formacionit, në prag të sfidës së të dielës me Laçin, në javën e parë të kampionatit. Ky takim pati ngjallur mjaft interes, pasi një ditë më parë këto dy skuadra u stërvitën në të njëjtin ambient. Në shkallët e stadiumit nuk munguan në numër i madh i tifozëve të të dyja ekipeve. Të pranishëm ishin rreth 600 tifozë, duke pasur parasysh edhe faktin se qyteti i Kamzës shquhet për një numër të madh të tifozërisë së kuqe.
Ndeshja – Në ndjekje të këtij takimi ishin edhe dy presidentët e klubeve përkatëse, Gaz Demi dhe Naim Qarri. Gjithashtu në tribunën VIP kishin zënë vend edhe drejtues të tjerë të stafit të Partizanit, si Sulejman Starova, Genci Tomori etj. Takimi ka nisur mjaft bukur, ku shkelmin e parë nga qendra e bën dyshja e të kuqve Vila-Raçiç. Sakaq, duhet thënë se futbollistët e Partizanit luajnë disi të rezervuar, për të mos u dëmtuar në radhë të parë, por edhe për të mos harxhuar energjitë, në prag të javës së parë të Superiores. Në këtë miqësore u regjistruan 4 raste të pastra të Partizanit, nga ku dy i përkasin futbollistit Mazrekaj, i cili ishte dhe lojtari më aktiv tek të kuqtë. Te kamzalinjtë dallohen portieri Sejdini dhe kapiteni Maho, të cilët organizuan mjaft mirë lojën e ekipit vendës. Pjesa e dytë nis me zëvendësimin e lojtarëve, te Partizani mbetet vetëm Cuculi i pazëvendësueshëm, ndërsa te kamzalinjtë zëvendësohen të gjithë ata që ishin në dispozicion të trajnerit. Tek “demat” nuk luajti Shabani, i cili ishte i dëmtuar.
Golat – Në minutën e 68-të depërton bukur në mesin e fushës Mazrekaj, i cili pasi ka çarë boshtin mbrojtës kamzali, në hyrjen ballore, gjuan fort dhe topi i tij shkon në rrjetë. Shtatë minuta më pas vjen radha e sulmuesit të sapoardhur, Faslliu. Mbrojtësi Selimi te kamzalinjtë pengon në mënyrë të gabuar sulmuesin e Partizanit, Vatnikaj, dhe gjyqtari Kaimi nuk heziton duke akorduar 11-metërsh. Gjuan Faslliu dhe 2-0. Ndërsa goli i tretë u shënua në minutën e 88-të. Mustafa, pasi mori një asist nga Vatnikaj në hyrje të zonës së rreptësisë, ballë për ballë me portierin Dedej gjuan duke shënuar.
Duro – Në fund të takimit, Shpëtim Duro ka bërë një analizë të lojës dhe merkatos. “Në këtë paraqitje përpara tifozëve të kuq, skuadra dha sinjale pozitive që mundet të implementohen edhe në takimin e së dielës. Gjithsesi ende nuk jam i bindur me ekipin dhe kemi punë për të bërë. Ndërsa lidhur me merkaton, me Astrit Faslliun është mbyllur gjithçka”, pohoi Duro.
Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"