Partizani mund Besën, zbardhen ndryshimet në ekip

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2014 | 9:12

Partizani mund Besën, zbardhen ndryshimet në ekip

Besa-Partizani 1-2, ndeshje miqesoreBESA-PARTIZANI 1-2
GOLAT: Nuri 88’/ Mustafa 45′, Osmanaj 50′
BESA: Laço, Perja, Bitincka, Zeqo, Pelingu, Muça, Mezini, S.Sallaku, Celhaka, Shaba, Magani. (U aktivizuan: Lika, Bajaziti, Hasa, Lushkja, Nuri). Trajner: A.Mërgjyshi
PARTIZANI: Hoxha, Shabani, Vrapi, Fejzullahu, Rahmani, Trashi, Batha, Mustafa, Nexhipi, Raçiç, Fazliu. (U aktivizuan: Daja, Labinoti, Muskaj, Vatnikaj, Osmanaj, Xhika, Dushku, Ismaili, Çema). Trajner: Sh.Duro
KARTONË TË VERDHË: Perja, S.Sallaku, Muskaj, Fejzullahu, Cena
GJYQTARË: Xh.Rada, K.Cenaj, O.Isaku (Durrës)

Partizani e ka shfrytëzuar këtë periudhë të ndërprerjes së kampionatit për të zhvilluar një ndeshje miqësore. Të kuqtë janë përballur me Besën në Kavajë ku kanë fituar 2-1. Golat për “demat” janë shënuar nga Mustafa dhe Osmanaj, në një kohë që Nuri ka shënuar golin e vetëm për kavajasit. Të kuqtë vinin në këtë miqësore me katër mungesa të rëndësishme. Kështu, Vila e Cuculi të grumbulluar me Kombëtaret e Shqipërisë dhe Maqedonisë, bullgari Dishniev me karton të kuq dhe nuk llogaritet për sfidën e kampionatit e Mazrekaj i dëmtuar ishin mungesat e të kuqve. Ndërsa për verdhezinjtë mungonte kapiteni Bekim Kuli për shkak dëmtimi. Nga ana tjetër, miqësorja e djeshme ka rikthyer në memorien e kavajasve vitet e arta të Besës kur e drejtonte Shpëtim Duro. Nën drejtimin e tij, verdhezinjtë arritën të fitonin një Kupë të Shqipërisë dhe një Superkupë.
Ndeshja – Partizani zbriti në stadiumin Besa me skemën 4-3-3 ku trajneri Duro kishte menduar ta sulmonte Besën me Raçiç, Fazliun e Shabanin. Gjithashtu, sfida e djeshme ishte debutim për Vrapin. Mërgjyshi, nga ana e tij, e nisi lojën me skemën taktike 4-1-4- 1 me Maganin të vetëm në sulm. Loja nis me një dëshirë të Partizanit për ta spostuar lojën drejt portës së Besës, por me kalimin e minutave shohin se nuk po realizonin dot këtë. Mesfusha verdhezi me kapitenin Muça lufton fort për topin e parë. Falë luftës së fortë në mesfushë është Besa ajo që del pastër dy herë përpara portës. Fillimisht Shaba, pas një asisti të Mezinit, del i lirë, por godet keq. Më pas, radha i vjen Maganit, por edhe ky i vetëm përballë gardianit, gabon. Partizani, nga ana e tij, e ka të vështirë të depërtojë në zonën verdhezi. Kur mendohej se 45 minutat e para do mbylleshin në barazim, ish-futbollisti i Besës Argjend Mustafa pas një krosimi në zonë lirohet bukur dhe shënon me kokë, 0-1 duke kaluar të kuqtë në avantazh. Në fillimin e pjesës së dytë, trajneri Duro fut në lojë Ibrahimin, Muskaj, Osmanaj dhe portierin Xhika. Përtej kësaj ndërron edhe skemën taktike të lojës ku nga 4-3-3 kalon në 4- 1-3-2 duke spostuar Fejzullahun para mbrojtjes dhe në sulm dyshen Vatnikaj-Shabani. Në minutën e 50-të, Muskaj nga e majta kroson në zonë dhe Osmanaj nuk e ka të vështirë të shënojë i harruar nga mbrojtja verdhezi. Mërgjyshi freskon ekipin duke futur Bajazitin, Lushkjen, Hasën e Nurin dhe gjithçka ndryshon. Tani është Besa që pas minutës së 60-të luan më mirë se Partizani dhe Lushkja, Bajaziti e Celhaka në mesfushë thuajse bëjnë ligjin. Është i riu Buri, i cili në minutën e 88-të, pas një gabimi të një mbrojtësi të kuq, lëshon një parabol perfekte duke shënuar golin e vetëm për verdhezinjtë.

Duro: Nuk duhet të gabojmë më
Pas ndeshjes së djeshme, trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro, u shpreh: “Shfrytëzuam ndërprerjen e kampionatit dhe e dimë që Besa luan futboll të bukur dhe mbetet ekip i fortë. Mua më interesonte të shihja formën e disa futbollistëve dhe ndryshimin e pozicioneve për disa të tjerë. Në tërësi jam i kënaqur, por përsëri theksoj se nuk duhet të vazhdojmë të gabojmë si në rastin e golit të Besës. Miqësorja na vlejti jo pak. Nga ana tjetër, pashë një skuadër me djem të rinj dhe plot dëshirë e ambicie dhe pres që të rikthehen në Superiore. Me Besën kam kujtimet më të bukura si trajner”, përfundon prononcimin e tij tekniku Duro.

Mergjyshi: Na penalizoi mungesa e Kulit
Pas ndeshjes së djeshme, trajneri i Besës, Artan Mërgjyshi, në prononcimin e tij u shpreh: “Ishte një test real për ne. Ndikoi jo pak në lojën tonë edhe mungesa e kapitenit Bekim Kuli, lojtari që bën diferencën në ekip. Duke respektuar forcën e Partizanit, u munduam të bllokonim lojën e tyre dhe mendoj që në momente të caktuara ia arritëm. Jam i kënaqur nga paraqitja e sotme (dje) duke ditur kë kishim përballë. Megjithatë, na kanë mbetur edhe disa ditë deri në fillimin e kampionatit dhe mendoj se do të kemi rregulluar gjithçka. Për sa i përket garës, mendoj se do të jetë një kampionat i fortë”, përfundon prononcimin e tij Mërgjyshi.
FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"