Partizani mendon për mbrojtësin e Shkëndijës, lojtari lë gjithçka të hapur për një rikthim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 10, 2018 | 13:55

Partizani mendon për mbrojtësin e Shkëndijës, lojtari lë gjithçka të hapur për një rikthim

Partizani i sezonit të ri është ideuar në kokën e drejtuesve të kuq, por ata nuk po nxitohen në prezantimin e tij, pasi ende nuk e kanë të qartë se cila do të jetë axhenda që do të ndjekin në fillim. Përgjegjësit e merkatos së “demave” janë të prirur që të mos bëjnë “çmenduri” si vjet, ndaj prioritet mbetet afrimi i lojtarëve që u njihet kontributi, aq më shumë që përshtaten edhe me nivelin e Kategorisë Superiore. Partizani kërkon të përforcohet në të gjitha repartet, por plani varet nga vendimi përfundimtar për Skënderbeun.

Ardian-Cuculi-1024x682

Dihet që te kryeqytetasit kanë shënjestruar disa lojtarë të korçarëve, që në rast pezullimi të kampionëve, i bie që Partizani të marrë pjesë në Ligën e Europës. Por, përveç këtyre piketave, mësohet se “demat” kanë piketuar edhe alternativa të tjera për Partizanin e edicionit 2018-2019.

Një nga këta është mbrojtësi Ardian Cuculi, një lojtar me përvojë dhe që e tregoi veten në prezantimin e parë me fanellën e kuqe në sezonin 2014-2015, në të majtë dhe në qendër. Burime pranë merkatos së 15 herë kampionëve të vendit kanë bërë me dije për “Panorama Sport” se drejtuesit e synojnë rikthimin e Cuculit, i cili në sezonin e fundit fitoi titullin kampion dhe Kupën e Maqedonisë me Shkëndijën e Tetovës. 30-vjeçarit i përfundon kontrata me tetovarët në fund të këtij muaji dhe ai ende nuk ka rinovuar me Shkëndijën, proces të cilin e kanë bërë disa lojtarë të tjerë të kampionëve të Maqedonisë. Ndaj të kuqtë janë në ndjekje të situatës të ish-mbrojtësit të tyre dhe kanë nisur kontaktet për rikthimin e Cuculit.

cuculi

Këtë lëvizje të merkatos e ka konfirmuar për “Panorama Sport” edhe vetë mbrojtësi, por gjithçka e lë të hapur. I pyetur se a ka mundësi që të rikthehet në Shqipëri te Partizani, për gazetë Cuculi u shpreh: “Nuk i dihet, gjithçka mund të ndodhë, aq më shumë kur bëhet fjalë për periudhë merkatoje”. 30- vjeçari ka konfirmuar se ka kontakte nga “demat”, por për momentin nuk ka gjë konkrete. “Merkatoja sapo ka nisur, ndaj kontaktet janë normale. Janë thjesht kontakte mes palëve, por për momentin nuk ka gjë konkrete”, u shpreh Cuculi. Mbase me zgjimin e Partizanit kjo mundësi lëvizjeje mund të sqarohet më shumë në ditët në vijim, pasi drejtuesit po shqyrtojnë disa alternativa

ILIR CARA

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"