Partizani me sytë nga… Skënderbeu, nesër ndryshimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 29, 2016 | 15:50

Partizani me sytë nga… Skënderbeu, nesër ndryshimet

Futbollistët e Parti zanit kanë nisur pushimet që nga mbyllja e sezonit dhe shumë shpejt do të grumbullohen për të nisur punën për pjesëmarrjen në Kupat e Europës. skenderbeu partizani 0-1Por, para se të fillojë puna për Europën, të kuqtë duhet që të zgjidhin disa enigma, pasi ditët e fundit kanë sjellë shumë pështjellime në kampin e kuq.

Çështja “Skënderbeu” mban pezull edhe planin e Partizanit për përfaqësimin në Europë, pasi, në rast të një ndëshkimi të mundshëm të korçarëve, nuk përjashtohet mundësia që kryeqytetasit të marrin pjesë në turet eliminatore të Champions-it, të cilat nisin pak më vonë se raundet e Ligës së Europës.

Në rast të një përfaqësimi në Champions, drejtuesit janë të detyruar që ta rrisin “pjacën” e merkatos, në mënyrë që të krijohet një Partizan i denjë. Pra, përgatitjet europiane të Partizanit deri diku varen edhe nga vendimi që do të marrë UEFA për Skënderbeun, i cili ndodhet nën hetim. Për momentin qarkullojnë shumë emra si përforcime të mundshme të Partizanit të sezonit të ri, por gjithçka mund të qartësohet pas 1 qershorit. Aktualisht, të kuqtë janë përfshirë në një situatë amullie, e cila vjen nga zërat që kanë të bëjnë me ndryshimet e mundshme në kullën drejtuese të skuadrës së edicionit të ri.

Drejtori i ri dhe braziliani

Enigmat që e kanë shoqëruar Partizanin gjatë këtyre ditëve pritet të marrin zgjidhje që nga e hëna. Flitet që nesër klubi të bëjë të ditur se cila do të jetë struktura e re drejtuese e Partizanit të ri. I pari do të prezantohet drejtori i ri i skuadrës. Ditë më parë është folur se do të jetë Edmond Haxhija. Përpos drejtorit të ri, mund të prezantohet edhe goditja e parë e merkatos.

Flitet se do të jetë një mesfushor brazilian, i cili prej vitesh luan në Hong Kong, Gustavo Klaudio Da Silva. Pas zyrtarizimit të strukturës do të vendoset edhe për trajnerin, pasi Agostineli herë vjen dhe herë ikën, madje në skenë kanë dalë edhe disa emra të tjerë, që me gjasa do të mbeten kalimtarë. Gjithashtu, në ditët në vijim, klubi mund të prezantojë edhe sponsorin gjeneral, i cili pritet të financojë rreth 400 mijë euro në sezon, për një afat kohor 3-vjeçar. Partizani i viteve të fundit ka treguar se nuk di të ruajë stabilitet në struktura, pasi i ndërron çdo vit, madje ka pasur raste edhe 2-3 herë brenda një sezoni.

Përgatiti: Ilir Cara

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"