Partizani me 5 mungesa ndaj Apolonisë, braziliani Melo mbetet jashtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 12, 2020 | 9:53

Partizani me 5 mungesa ndaj Apolonisë, braziliani Melo mbetet jashtë

Pas më shumë se pesë vitesh, Partizani do të përballet me Apoloninë, në ndeshjen e vlefshme për raundin e dytë të Kupës së Shqipërisë.

Partizani goli

“Demat e kuq” morën një fitore fantastike 0-2 në transfertë kundër Kukësit falë golave të Kardozos dhe Solomon, ndërsa tani, fokusi i djemve të Ilir Dajës është te Kupa e Shqipërisë, kundër Apolonisë. Në letër, Partizani është skuadra favorite, ndërsa Apolonia do të tentojë të surprizojë.

MUNGESAT – Partizani vjen në këtë sfidë delikate pa 5 futbollistë të rëndësishëm. Portieri dhe kapiteni i skuadrës, Alban Hoxha, është i grumbulluar me Shqipërinë, ndërsa mesfushori Esat Mala me kombëtaren U-21.

Formacioni i mundshem Partizani

Jasir Asani nuk është stërvitur me grupin, për shkak të një tërheqjeje muskulore, të njëjtin dëmtim ka dhe braziliani Uilliam Kordeiro, i cili po ashtu është stërvitur i diferencuar dje dhe nuk ka udhëtuar me skuadrën drejt Elbasanit, ku është kryer seanca e fundit stërvitore para sfidës me Apoloninë. Edhe sulmuesi anësor Llanaj, do të mungojë ndaj Apolonisë, me 21-vjeçarin që po ashtu është i dëmtuar.

GOLASHËNUESIT – Një start shumë të mirë të sezonit, kanë bërë tre lojtarët e sulmit te Partizani: Asani, Kardozo dhe Solomon. Asani është autor i dy golave, Solomon ka shënuar tre gola, ndërsa Kardozo, është autor i një goli. Tek Apolonia, futbollisti më i rrezikshëm është padiskutim Mihana. Sulmuesi 21-vjeçar ka shënuar dy gola këtë sezon të ri për ekipin fierak, një në Kupën e Shqipërisë dhe një gol në takimin kundër Bylisit, i vlefshëm për javën e dytë në Superiore.

TRAJNERËT – Kjo sfidë vë përballë dy trajnerët Daja dhe Kolela. Për trajnerin e Partizanit, nuk ka nevojë për shumë prezantim, pasi është një ndër më të suksesshmit në futbollin shqiptar ndër vite. Ndërsa Kolella, vjen nga Italia, pas shumë eksperiencave me skuadra të ndryshme në shtetin fqinj.

Hakaj Daja

Strategu 54-vjeçar ka një ekip shumë të ri në moshë, nën drejtim dhe deri më tani, ka marrë vetëm një fitore, pikërisht në Kupën e Shqipërisë përballë Cërrikut, ndërsa në Superiore, numëron vetëm një pikë pas dy javëve të para.

VERONIK ISTREFAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"