Partizani largoi Mensah dhe Lukas, por Ekuban e Braun nuk “shkrepin”. Dy afrimet e verës ngrohin stolin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2019 | 21:05

Partizani largoi Mensah dhe Lukas, por Ekuban e Braun nuk “shkrepin”. Dy afrimet e verës ngrohin stolin

Partizani gjatë merkatos së verës tregoi guxim duke cenuar strukturën e skuadrës që rikthen titullin kampion pas 26 viteve. Ndërhyrjet në sulm ishin kërkuar prej kohësh dhe drejtuesit afruan tre lojtarë me karakteristika për të bërë qendërsulmuesin, ose siç quhet ndryshe “pykën”. 

Braun22

Theofilus Solomon, Brajan Braun dhe Jozef Ekuban ishin afrimet në fazën sulmuese. Me ardhjen e kësaj tresheje, të kuqtë shtuan numrin e lojtarëve të huaj dhe mbingarkuan sulmin. Ndaj, trajneri Lerda dhe stafi, për t’u bërë vend 3 afrimeve, nisën një fushatë “spastrimi” në radhët e futbollistëve të huaj. Emanuel Mensah, Lukas Kradozo dhe Tijan Jaiteh ishin ata që dolën dukshëm jashtë planeve të trajnerit Lerda, i cili mbase për t’i mërzitur dhe mbushur mendjen për t’u larguar i aneksoi të tre, duke mos i pranuar as në stërvitjet që bënte me skuadrën.

Nisur nga ajo që kanë dhënë tri përforcimet e verës në 12 javë kampionat, tregon se drejtuesit kanë gabuar me largimet, kryesisht me Emanuele Mensah, i cili e nisi edhe si titullar ndeshjen e parë me Karabakun në Champions. Ndërsa Lukas, i cili nuk e mori veten pas operacionit, si dhe “milioneri” Jaiteh, ishin të pranueshëm si lëvizje. Nga sulmuesit e ardhur në verë, shenja të mira ka treguar vetëm Solomon, por edhe ai ka pasur probleme dëmtimesh dhe në 4 javët e fundit ku nuk është aktivizuar. Në verë Partizani afroi Ekuban, por nuk bëhet fjalë për Kalebin që shkëlqeu para 4 sezonesh, por për vëllanë e tij Jozefin. 19-vjeçari duket shumë larg asaj që ka treguar vëllai i tij. Jozefi nuk ka lidhje me Kalebin, pasi nuk shënon dot as kur luan me Partizanin B në Kategorinë e Dytë.

Capture

Por, duhet pranuar se është vetëm 19 vjeç dhe pa eksperiencë. Largimi i Emanuele Mensah për t’i bërë vend Jozef Ekubanit ishte si një bast për drejtuesit e Partizanit, por duket se kanë gabuar në këtë rast. Ndërsa Brajan Braun po tregon se e ka të vështirë të përshtatet me Superioren, ndonëse në finalen e Superkupës bëri një superparaqitje duke shënuar 3 gola. Mosshkrepja e sulmuesve të verës mund t’i detyrojë drejtuesit e që në janar të hyjnë sërish në merkato për të gjetur një “bomber”.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"