Partizani – ky “i panjohur”…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2016 | 19:04

Partizani – ky “i panjohur”…

BESNIK DIZDARI

 

Titullin e këtij shkrimi e mora nga vepra e famshme e shkencëtarit dhe filozofit francez Alexis Carrel, botuar më 1935, një vepër që pati një sukses të menjëhershëm sa, si të thuash, brenda “disa çasteve” u përkthye në 20 gjuhë. Deri aty saqë edhe Shqipëria nuk mbeti mbrapa duke e përuruar edhe ajo në faqet e të mirënjohurës sonë “Përpjekja Shqiptare” (1938) të Branko Merxhanit. I pata lexuar qysh në adoleshencë ato fragmente të Carrel-it përthyer prej Tajar Zavalanit sepse “Përpjekja Shqiptare” për fat ndodhet prej rreth 80 vjetësh në bibliotekën atërore dhe timen. Me vite kam arritur të kuptoj, mbi të gjitha, një ide të Carrel-it, që një kritik e ka quajtur “pazotësia e njeriut modern për të organizuar një tip të shoqërisë sipas kërkesave të natyrës për shkak se ai nuk njeh mirë vetveten”.

partizani feston

Duke iu kthyer Partizanit tonë, duke qenë se edhe ai përbëhet prej njerëzve, në këtë rast njeriut të moshës së re, çka janë futbollistët, kam përshtypjen se ai nuk e njeh mirë vetveten. Madje, me çka shoh vitet e fundit, ky klub, që është një ndër tre më historikët e Shqipërisë (Vllaznia, SK Tirana, Partizani), vërej se vërtet ai nuk e njeh mirë vetveten.

Historia e kohëve të fundit të Partizanit më duket se vërteton pikërisht këtë mosnjohje. Zbriti deri në Kategorinë e Tretë, siç e emërton edhe FIFA (këtë që FSHF-ja jonë ahistorike e quan Kategori të Dytë), sepse nuk arriti të kuptonte shpejt që nuk do të kishte më nga mbrapa as Ministrinë e Mbrojtjes dhe aq më pak Partinë. Dhe u rrëzua keqas. Mandej, krejt papritmas, dikush u kujtua se mbrapa kësaj skuadre legjendë për historinë e sportit shqiptar qëndronte pra një histori e madhe. Rilindën ndërkaq disa pasione, të cilat tash kishin edhe një mveshje komerciale duke synuar mû për të kuptuar, pra e njohur vetveten. Mbi tryezë, me sa u pa, u vunë paratë.

Shndërrimi erdhi i menjëhershëm dhe sot ky klub, falë mbështetjes qeveritare, po ndërton ndoshta kampingun apo qendrën e parë përgatitëse dhe “formuese” më të bujshme që një klub ka pasur ndonjëherë në Shqipëri. Në njëfarë mënyre, kjo është një nga arritjet më me kuptim të klubeve shqiptare vitet e fundit. Ajo që të bën të mendosh më tej është diçka tjetër. E në këtë rast retorika është e pamëshirshme. E pra, po të tjerët?… Siç më pyeste këto ditë një mbështetës i hershëm i Sportklub Tiranës. Rasti i Partizanit, nëse këtu ka vërtet një qeveri sportnxitëse, urgjentisht duhet të mbërrijë po asisoj edhe te klubet e tjerë. Dy stadiumet e modernizuar, ai i Elbasanit dhe ky i Shkodrës, ndonëse tash e parë me prepotencë përmenden si “arena të Kombëtares”, mendja ta do se ata duhet të shndërrohen në radhë të parë në “shtëpi moderne” për dy klube të shquara të Shqipërisë, siç janë ai i Elbasanit dhe ai i Shkodrës. Edhe kjo do të nënkuptonte njohjen, madje njohjen prej vetvetes dhe njohjen prej të tjerëve. Po ta lexosh me vëmendje Carrelin, ai i kërkon të dyja.

Partizani, ky “i panjohur”, me sa duket, po njeh vetveten. Për një çast mund të them se me një kualifikim të tij befasues e la në fuqi edhe për pak kohë qëndresën e emrit të tij të mirë për futbollin shqiptar mbas arritjes në FRANCË 2016. Europa e futbollit ka folur këto ditë edhe për risinë shqiptare shfaqur në turneun francez. Ndonëse me “naivitet” kjo Europë kujton se kjo arritje shqiptare ka ndikime në futbollin e brendshëm shqiptar. Çka kështu duhet të ndodhë dhe kështu ka ndodhur edhe me shtete të tjerë. E, këtyre, mbas një arritje të Kombëtares së tyre, kjo u ka ndikuar tejet në fuqizimin e futbollit të brendshëm (skuadrave të klubeve).

Disa komentatorë të huaj e lidhin kualifikimin befasues të Partizanit pikërisht me trysninë e këtij nënteksti. Mirëpo, ndërkaq, vëren se ndërmjet humbjes 0-5 të Teutës dhe të 1-4 të KF Kukësit, komentatori me mend në krye shtron pyetjen: a ka një lidhje midis këtij Partizani dhe Shqipërisë së FRANCA 2016? Njërit prej tyre, i cili komunikoi shoqërisht me mua, i thashë se nuk ka asnjë lidhje.

Në të vërtetë, e gjitha kjo ka një lidhje thjesht me punën e pavarur të këtij Partizani të rilindur, edhe në këtë verë tejet të nxehtë të 2016-ës. Madje e gjitha është një aventurë, çka prapë më çon te vetënjohja e Partizanit, më çon te historia.

1982n17-lin1

Tirana=Linfilld

Kjo histori shqiptare në Kupën e Kampioneve të Europës, sot Liga e Kampioneve, është tejet e varfër. Për këtë mjafton të kujtojmë se në 55 vjet pjesëmarrje, Shqipëria ka arritur të kalojë vetëm 12 herë një tur. Historia është kjo:

më 1982-1983: SK Tirana – Linfild e Irland- ës së Veriut 1-0, 1-2; më 1988-1989: Hamrun S. – SK Tirana 2-1, 0-2; më 1989-1990 SliemaW. – SK Tirana 1-0, 0-5; më 2001-2002: KR Reikjavik – Vllaznia 2-1, 0-1; më 2002-2003: Kaunas – Dinamo 2-3, 0-0: më 2003-2004: Dinamo Tbilis – SK Tirana 0-3, 3-0 (2-1 me 11- metërsha); më 2004-2005: Gomel – SK Tirana 0-2, 1-0; më 2005-2006: Hit Gorica – SK Tirana 2-0, 0-3; më 2013-2014: Neftchi – Skënderbeu 0-0, 0-1; më 2015-2016: Skënderbeu – Crusaders 4-1, 2-3; më 2015-2016 Milsami – Skënderbeu 0-2, 0-2.; më 2016-2017 Partizani – Ferencvarosh 1-1, 1-1 (1-3 me 11-m).

Shumë pak për 55 vjet pjesëmarrje. Edhe më e pakët bëhet kjo kur kujton se plot 11 kualifikime janë arritur në skuadra modeste të Europës. Madje plot 8 prej tyre janë arritur falë golavarazhit dhe dy falë 11-metërshave. Kjo histori e varfër e 12 kualifikimeve ka megjithatë edhe një histori tjetër. Është ajo e eliminimeve prej të cilëve do të gjesh ndeshje të nivelit të lartë europian, duke e shndërruar këtë Partizan përmes huazimit tonë “figurativ” të një filozofie, në nga “i panjohur” te një “i njohur”. Kujtoj pra se Shqipëria ka pas një prolog gati të bujshëm të pjesëmarrjes së saj në Kupën apo Ligën e Kampioneve të Europës. Çka, edhe pse kanë qenë eliminime, ato më duken shumë të larta, madje edhe më të larta se ky kualifikim i sotëm i Partizanit me Ferencvarosh.

Prologu niste më 26 gusht 1962 në qytetin Norrköping (Norçeping) të Suedisë me ndeshjen IFK Norrköping – Partizani 2-0. Shqipëria ishte e vetmja, e cila kishte munguar të shfaqet në Europë në shtatë vitet e para të Kupave të Europës (1955-1962). Dhe papritmas pjesëmarrja e parë, dy ndeshjet tona të para: IFK Norrköping – Partizani 2- 0, por dhe Partizani – IFK Norrköping 1-1 më 12 shtator 1962. Emrat janë tejet të çmueshëm jo vetëm për ne, por edhe për kampionen e Suedisë, e cila katër vjet më parë kishte qenë nënkampione e botës: Nyholm, Johansson, Nordqvist, Martinsson, Bild, Kindvall, Maliqati, Deliallisi, Frashëri, Shllaku, Merja, Kraja, Pano, Resmja…

Duke rezistuar në ndeshjen e parë, atë të 26 gushtit 1962 (dhe kjo është dita përuruese e futbollit shqiptar në arenën e klubeve të Europës) deri në të 55-ën, Partizani i Loro Boriçit kishte mbajtur në ankth “Idrottsparken” të Norrköping-ut, kur ndeshja e kthimit në Tiranë, një 1-1 i paharrueshëm, kishte befasuar Europën e futbollit se si kishte qenë e mundur që Shqipëria të kishte vonuar kësisoj të merrte pjesë në garat e klubeve! Tre kombëtaras të shquar të Suedisë, Nyholm, Bild dhe Johansson, shto këtu dy kombëtarasit e tjerë të një talenti të madh që sapo mbërrinin siç ishin 20-vjeçari Nordqvist dhe 19-vjeçari Kindvall, të drejtuar nga trajneri hungarez Vilmos Varszegi i përvijonin kampiones së Suedisë një skuadër të mrekullueshme, çka bënte që të ngriheshin edhe më lart kuotat e paraqitjes së kampiones shqiptare.

Një vit më vonë, më 1963, Partizani fiton 1-0 në Tiranë me Kampionen e Bullgarisë Spartak Plovdiv, përsëri me golin e pamungueshëm të Kolec Krajës së paharrueshëm, sulmues i krahut të djathtë, i shpejtë, teknik, goditës i shkëlqyer. Por humbje 1-3 në Plovdiv. Një vit tjetër më vonë, më 1964, vjen Kampionia e parë e Bundesligës, Köln i Gjermanisë, me në krye kapitenin e Kombëtares së Gjermanisë, kampionin e botës (1954) Schafer dhe kampionin e ardhshëm të botës Owerath, po edhe dy nënkampionët e ardhshëm të botës Weber e Löhr. Dhe Partizani – Köln 0-0 para 25.000 shikuesve të shtrënguar në tribunat e gurta të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, këtij monumenti të kulturës kombëtare që këto ditë e shkatërruan “për pak çaste” e pra që nuk është më. Ka qenë një 0-0 përtej historisë. Saktësisht, një nga ndeshjet më të mëdha të historisë së futbollit shqiptar, deri sot e kësaj dite. Një 0-0, të cilin për 90 minuta të tëra Partizani e kërkon ta shndërronte të paktën në 1-0 për të. Mendo për një çast se kush ishin aty përballë: Weber, Schafer, Overath, Lohr!…

1964par-koe

Partizani-Keln

Kjo ishte kryevepra e parë e përmasave botërore e trajnerit Loro Boriçi dhe nxënësve të tij: Janku – Deliallisi, T.Vaso, Frashëri, O.Mema – Shllaku, Kraja – Bespalla, Ndini, P.Pano, Jashari.

Dhe përsëris: ndeshjet PARTIZANI – IFK NORRKÖPING E SUEDISË 1-1 DHE PARTIZANI – KÖLN I GJERMANISË 0-0 – vështirë të jenë kaluar në ndeshjet për Kupën e Kampioneve deri më sot për kah vlerat dhe rëndësia për kohën “antike” që u zhvilluan. Më vonë do t’i afroheshin vetëm edhe katër të tjera të Kupës së Kampioneve: 17 Nëntori – Ajax i Amsterdamit 2-2, Vllaznia – Austria e Vjenës 2-0 dhe Partizani – Celtic i Gllaskout 1-0.

Ato kanë qenë ndeshjet e para europiane të Shqipërisë në Europë, ndeshjet e para që thanë se ky vend i vogël mund të bëka një futboll të stilit të lartë ndërkombëtar me klubet e tij. Emblema e kishte emrin Partizani. Pak rëndësi nëse quhej i “Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë Popullore”, apo thjesht i “Ushtrisë Popullore”.

Ato kanë qenë ndeshje që flasin vetëm për madhështinë e tyre. Vështroni! Të dy golat e Kampiones së Gjermanisë i përkasin minutave 80 dhe 90! S’ka nevojë për koment. Loro Boriçi me këto dy ndeshje, përveç ato të IFK Norrköpingut suedez, ka dy kryevepra të tjera të tij pa harruar ndeshjet e tij me Kombëtaren apo me Partizanin – Kampion i Ballkanit më 1970. Në ndeshjen e Kölnit, gjithçka ka qenë një ankth i vërtetë dhe betoni shqiptar është plasaritur vetëm në fund dhe vetëm me sakrifica të jashtëzakonshme të kampionëve të parë të Bundesligës. Dueli ka pasur jehonë në gjithë Europën dhe sot mbas gati 55 vjetëve na duket si legjendë edhe pse nuk përbënte një kualifikim. Mirëpo, eliminime kësisoj dramatike prej më të mëdhenjve të Europës përbëjnë ngjarje më të mëdha se një kualifikim i bukur me Ferencvaroshin e shekullit XXI.

Vërtet, mos kemi shkuar 55 vjet mbrapa me ndeshjet me klubet në Europë?

Dhe, krejt papritmas, si në përgjigje të kësaj pyetjeje, shfaqet Partizani datuar 2016, i cili, edhe pse zhvillon një ndeshje mjaft të mirë në Tiranë me Ferencvarosh, barazon 1-1. Ky ka qenë çasti kur dikush më pyeti: “A kualifikohet Partizani?”. “Them se do të eliminohet”, u përgjigja pak a shumë i vetsigurtë, ndërsa për fat shtova “parullën” e vjetër që thotë se “futbollit nuk i dihet”.

festa partizani

Dhe mû brenda në “Groupama Arena” të Budapestit Partizani ia arrin të rikthejë 0-1 e fillimit në 1-1. Reziston 120 minuta në barazim dhe ia arrin të shfaqë para Europës një nga dramat më të bukura të kualifikimit me 11-metërsha. Një portier, i cili demonstron ekzekutimin më “brazilian’ të 11-metërshit dhe mandej pret plot 3! Emri i tij është Alban Hoxha, 28 vjeç djalë, vetëm i 1 ndeshjeje i Kombëtares së Shqipërisë. Dhe një trajner italian i sapoardhur me emrin Adolfo Sormani, biri i të famshmit Angelo Sormani, të cilin brezi im ia ka arritur ta shohë paksa edhe në TV si sulmues “brazilian” nën fanellën e Milanit më 1969-1970. “Sormani – Rivera!”, siç e dëgjonin jo rrallë në radio ushtimën melodioze të Enrico Ameri-t për të.

Partizani dhuron kështu kualifikimin e 12-të të Shqipërisë në Kupën apo Ligën e Kampioneve dhe të parën e të vetmen e tij. Jo më si “i panjohur”, por si një “i njohur i vjetër”, i harruar e pakta tash 23 vjet, i rilindur dhe… le të presim.

A.Hoxha, Kalari, Ibrahimi, G.Krasniqi, Arapi, Fili (Bardhi 82′), Trashi, Batha (Ekuban 26′), Vila, Ramadani, Torasa (Atanda 71′) them se janë ndër emrat më modestë që Shqipëria ka pasur ndonjëherë në Ligën e Kampioneve. Një modesti që vjen e bëhet e madhe si grup. Nuk di a janë një apo dy të prodhuar prej farishtes autentike të Partizanit. Nja 6 prej tyre madje nuk janë as prodhim i futbollit të brendshëm shqiptar. Por sot është diçka tjetër. Kjo është dhe “njohja” e re që bën ky Partizan i vitit 2016 me vetveten – njohje që, ashtu si gjithë klubeve të sotme europiane, ia nxit ekonomia e tregut.

Partizani ferencvarosh goli

Dihet, ashtu si dhe Partizani i fillimit të viteve ’60, as ky nuk është Ferencvarosh i viteve ’60, madje fitues i Kupës së Panaireve (sot UEFA ose Liga e Europës) më 1965. Po megjithatë na duhet të pranojmë se Partizani u bë skuadra që eliminoi skuadrën më të famshme prej një klubi shqiptar në Kupën e Kampioneve. Ferencvaroshin e yjeve botërore të një Sarosi, Bukovi, Vadas, Kocish, Deak, Budai, Cibor, Matrai, Nyilasi. Albert, Kubala. Të përzier madje jo pak me Shqipërinë, teksa kujton se kundër saj kanë luajtur Kocsic, Kubala, Deak, Budfai, Zcibor. Kur kujton ndërkaq se prej tyre, njëri – prej shqiptarëve “i harrueshmi” Miklos Vadas (1906-1981) – qe trajneri i këtij Ferencvaroshi, e mandej ai qe dhe trajneri i Kombëtares së Shqipërisë më 1953 si dhe organizator i përgatitjes së ekipeve kombëtare shqiptare, madje përmes nja bukur 10 ndeshjeve fort interesante ndërkombëtare. Ndërsa një tjetër, Martin Bukovi – teoriku dhe praktiku i famës botërore të futbollit të madh hungarez, më 1955 Shqipëria i kishte rrëmbyer dy barazime legjendare me Dozhën e Budapestit, 1-1 Dinamo dhe 0-0 Vllaznia! Një Dozhë ku edhe lojtarët rezervë që kishin ardhur në Tiranë e kishin veshur fanellën e Hungarisë të Pushkashit të viteve ’50 që trondiste stadiumet e botës…

Alban Hoxha

Partizani ynë, i cili u bë shkas t’u kthehemi këtyre historirave, ia arriti pra të shfaqë një sfidë mû në Budapest me një nga skuadrat më historike të kontinentit. Një ndeshje që do mbetet gjatë në kujtesë. Rrallë një skuadër shqiptare ka qenë kaq taktike, kaq e qartë në synimet e saj të një mbrojtje të një elasticiteti po të rrallë, duke arritur gati në përsosmëri që papritmas të çlirohej nga kjo mbrojtje e të mbërrinte thuajse te goli tjetër ndaj hungarezëve. Dhe me një portier të një dite madhështore të tij, teksa hyri në mënyrën më të bujshme në panteonin e rasteve më historikë të Ligës së Kampioneve. Brenda disa orëve, ai pushtoi faqe gazetash e faqe interneti. A është pra Partizani, ky “i panjohur” i filozofisë së njeriut të Carreli-t?. Në këto pak radhë u përpoqa ta shndërroj në Partizanin “e njohur” të tij. Por dhe të Ferencvaroshit të Budapestit. Nuk di megjithatë nëse është shumë apo pak i tillë…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"