Partizani-Kolela, zbulohen prapaskenat. S’bindën alternativat shqiptare, Demi nuk vendosi vetë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 11, 2022 | 8:20

Partizani-Kolela, zbulohen prapaskenat. S’bindën alternativat shqiptare, Demi nuk vendosi vetë

Xhovani Kolela është trajneri i ri i Partizanit. Vetëm para dy ditësh klubi i kuq vendosi të ndërpresë bashkëpunimin me Dritan Mehmetin, teksa fiks pas 24 orësh nga kjo lëvizje, u emërua edhe kreu u ri i stolit. Kolela është një emër i njohur në arenën e futbollit shqiptar, megjithëse aventura e tij e fundit në Shqipëri ka qenë mjaft e shkurtër.

kolela

Ai ka drejtuar Apoloninë në vitin 2020, me të cilën fitoi 1 ndeshje, barazoi 2 dhe humbi 4 beteja. Lajmin e emërimit, i paralajmëruar nga “Panorama Sport” e zyrtarizoi vetë klubi me një postim në rrjetet sociale, ku shkruan: “FK Partizani zyrtarizon arritjen e marrëveshjes me trajnerin Xhovani Kolela. 56-vjeçari italian i cili do të drejtojë skuadrën përgjatë sezonit të ri, është prezantuar sot (dje) nga presidenti Gazment Demi dhe drejtori sportiv Elton Marini. Kolela do t’i bashkohet menjëherë ekipit për të nisur zyrtarisht punën në seancën e sotme (djeshme) stërvitore të programuar në orën 19:00 në kompleksin sportiv ‘Partizani'”.

demi kolela

KARRIERA – Aventura e fundit e Kolelës ishte me Lenjagon në Serinë C, por jo çdo gjë shkoi siç duhej, sepse skuadra ra në Serisë D dhe trajneri u nda me klubin italian. Apolonia dhe së fundmi Partizani janë klubet e vetme në të cilat Kolela ka drejtuar jashtë Italisë. Në të shkuarën ai ka trajnuar në skuadra si Komo, Renate, Siena apo Rimini, kryesisht në Serinë C.

PRAPASKENAT – Emrat e sugjeruar për trajner të Partizanit ishin disa, teksa një pjesë të tyre janë bërë të ditur. Drejtuesit, duke parë tregun e trajnerëve vendës, ishin të bindur se këtë herë duhej një trajner italian. Presidenti Demi ka vendosur të mos mendojë vetë për të gjetur teknikun e ri, por t’ia delegojë këtë detyrë drejtorit sportiv, Elton Marini, i cili gjithashtu është marrë me merkaton gjatë gjithë verës. Në fund, Marini vendosi të mos eksperimentojë shumë, por të zgjedhë një njohje të vjetër të tij, pikërisht Kolelën, me të cilin ka bashkëpunuar në rolin e menaxherit në të shkuarën. Ditën e djeshme Kolela ka firmosur kontratë për një sezon, teksa në orën 19:00 ai nisi praktikisht punën si trajneri i ri i Partizanit, ku objektivi do të jetë titulli kampion, një shije, të cilën 56-vjeçari s’e ka provuar si trajner.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"