Partizani kërkon ta rikthejë, flet mbrojtësi Franc Lala: Luftëtari më dha mundësinë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Mars 28, 2020 | 16:08


Partizani kërkon ta rikthejë, flet mbrojtësi Franc Lala: Luftëtari më dha mundësinë…

Franci Lala u formua si futbollist te Partizani, por debutimin e tij në elitën e futbollit shqiptar e bëri me fanellën e Luftëtarit. 20-vjeçari nga kryeqyteti është një titullar fiks në qendër të mbrojtjes, duke qenë një zbulim këtë sezon te gjirokastritët, pavarësisht faktit se skuadra nuk ka marrë rezultatet e pritshme. Lidhur me ditët e izolimit në shtëpi pas ndërprerjes së kampionatit, i riu flet për “Panorama Sport”, duke treguar për stërvitjen individuale dhe të ardhmen e tij. Partizani pritet ta rikthejë qendërmbrojtësin pas debutimit këtë sezon në Superiore, por vetë Lala tregon se është nën kontratë me Luftëtarin, teksa shprehet mirënjohës  për besimin.franc lala

Lala, si po i kaloni ditët e izolimit në shtëpi dhe a i ke respektuar  rregullat?

Si të gjithë edhe unë i kam respektuar rregullat dhe po mundohem që në kushte shtëpie të bëj stërvitje për të mbajtur trupin në formë.

Stërviteni vetëm në kushte shtëpie apo edhe në terrene sportive?

Çdo ditë stërvitem në kushte shtëpie, më tepër bëj izometri. Nuk lë mënjanë edhe ushtrimet me top. Kur kam topin përpara më largohet nga mendja edhe situata që po kalon vendi. Shpresojmë që ky virus të zhduket sa më shpejt dhe t’i kthehemi normalitetit.lala

Tashmë që jeni larg futbollit, jeni në kontakt të vazhdueshëm me shokët e skuadrës?

Jo vetëm në këto kushte, por edhe kur kemi pas disa ditë pushim në të kaluarën, komunikojmë çdo ditë me shokët e skuadrës. Natyrisht, pyesim për shëndetin, veçanërisht kur kemi patur edhe probleme dëmtimi. Raportet e mira shoqërore ndërtojnë grup dhe formojnë skuadër  kompakte, pavarësisht ndonjë keqkuptimi momental të pranueshëm. luftetari

Keni frikë nga virusi?

Normale që jam i frikësuar, por me kujdes do ta kalojmë këtë situatë.

Luftëtari ka pak shanse për të qëndruar në Superiore. Cila do të jetë e ardhmja juaj, për më tepër që ka zëra se mund të riktheheni te Partizani…?

Jam i prirur të respektoj kontratën me klubin. Është normale që do ta  respektojë, sepse Luftëtari është ekipi që më dha mundësinë për të shfaqur vlerat e mia në Superiore. Kam respekt për drejtuesit dhe tifozët, që më kanë mbështetur dhe u jam të gjithëve mirënjohës.    lala franc

Si e shikon vazhdimësinë e skuadrës?

Me trajnerin Neritan Novi kemi bërë lojëra të mira, përpos rezultateve. Ndeshja me Bylisin ishte një prej tyre. Kam bindjen se  do të kthehemi më të fortë dhe më ambicioz si skuadër, menjëherë pasi të kemi harruar koronavirusin.

 

Franci Lala duke bërë stërvitje në kushte shtëpie

 

TOMOR SHEHU-PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com