Partizani kënaq të gjithë me 8 gola në miqësore, por dëmtohet mbrojtësi i kuq dhe përfundon në spital

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 28, 2020 | 23:59

Partizani kënaq të gjithë me 8 gola në miqësore, por dëmtohet mbrojtësi i kuq dhe përfundon në spital

Partizani dhe Turbi na janë përballur dje mes tyre në një ndeshje miqësore, e cila ndryshe nga parashikimet, nuk është zhvilluar në Cërrik, por në kompleksin “Football Republic” në fshatin Barbas të Tiranës. Stafi teknik i të kuqve e ka shfrytëzuar këtë takim për të parë gjendjen e skuadrës pas ndërprerjes së gjatë dhe sinjalet kanë qenë pozitive, ku spikat shpërthimi i lojtarëve sulmues, pasi të gjithë e kanë gjetur rrugën e rrjetës.partizani

Takimi është gjykuar nga ish-arbitri i FIFA-s, Lorenc Jemini dhe është mbyllur me fitoren e thellë 8-1 të Partizanit. Ky sukses ka lënë shije të mirë edhe te zyrtarët e lartë të klubit kryeqytetas që kanë qenë të pranishëm për të ndjekur miqësoren.

NDESHJA– Ky takim shkon në funksion të sfidës së radhës me Skënderbeun, i programuar për t’u luajtur më 3 qershor. Kështu që edhe formacioni i përdorur në fillim shikohet si një projeksion për duelin me korçarët në kampionat, ku mungesë e sigurt është braziliani Melo i pezulluar nga kartonët. Risitë në rreshtim kanë qenë të prekshme, pasi Bitri e ka nisur këtë radhë si mbrojtës i djathtë, që mund të jetë një rol i ri për beratasin në vazhdim.

Treshja sulmuese u përbë nga Cara, Çinari dhe Bardhi, gjë e cila lë të kuptosh se të huajt kanë humbur ndjeshëm terren në fazën ofensive. Pjesa e parë është mbyllur në shifrat 5-0 për Partizanin. Në fillim ka shënuar Tedi Cara për “demat”. Më pas Turbina ka pasur rast për të barazuar me penallti, por portieri cërrikas i Partizanit, Alban Hoxha, ka treguar aftësitë duke pritur gjuajtjen e Peqinit. Të kuqtë kanë dominuar totalisht ndaj skuadrës së Kategorisë së Parë dhe me radhë kanë ardhur edhe katër gola të tjerë. Bardhi ka shënuar dy gola, ndërsa Çinari një.partizani

Nga një gol kanë shënuar edhe Telushi (me penallti), si dhe të aktivizuarit në pjesën e dytë si Solomon, Braun dhe Llanaj. Golin e vetëm për cërrikasit e shënoi Shanaj në pjesën e dytë të ndeshjes. Në pjesën e dytë trajneri Sormani u ka dhënë mundësinë të gjithë lojtarëve që ka pasur në dispozicion, duke bërë që formacioni i pjesës së parë të mos merrte shumë ngarkesë. Lojtarët e të dyja ekipeve janë munduar që të zbatojnë sa të mundin rregullat e reja që janë miratuar pas pandemisë “COVID-19”.

DËMTOHET BILALI- Miqësorja ka dhënë shkëndija pozitive te Partizani sa i përket lojës dhe finalizimit, por jo gjithçka ka shkuar mbarë. Amir Bilali, i aktivizuar në pjesën e dytë, ka pësuar një dëmtim që e detyroi të dalë menjëherë nga fusha për të shkuar në spital për një kontroll të hollësishëm. Mbrojtësi ka pësuar një shembje në shpatull dhe në ditët në vijim do të shikohet sesa problematik ka qenë dëmtimi për mbrojtësin e Partizanit.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"