Partizani ka dhe historinë kundër me Bylisin, të kuqtë nuk fitojnë në Ballsh prej një kohe të gjatë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 4, 2020 | 17:44

Partizani ka dhe historinë kundër me Bylisin, të kuqtë nuk fitojnë në Ballsh prej një kohe të gjatë

Partizani i drejtuar nga trajneri Adolfo Sormani, në pesë ndeshjet e mbetura, luan fatin e sezonit. Dihet tashmë që shpëtimi i vetëm ka mbetur sigurimi i pjesëmarrjes në Ligën e Europës, pasi nga beteja për trofe është dorëzuar me kohë. “Demat” e nisën sezonin si kampionët në fuqi, por u treguan të brishtë për ta ruajtur kurorën që arritën ta bënin të tyren pas 26 vitesh pritje.
Partizani2
Ngushëllimi i vetëm, që sezoni të mos quhet totalisht i dështuar, ka mbetur sigurimi i një bilete europiane, mision i cili është disi i vështirë, por i arritshëm nëse të besuarit e trajnerit Sormani bëjnë detyrën në sfidat e mbetura. Europa e Partizanit deri diku kalon nga Ballshi, ku duhet marrë trepikëshi i radhës.

Të kuqtë udhëtojnë të hënën drejt stadiumit “Adush Muça” me moral pozitiv, pasi vijnë në këtë transfertë pas tri fitoreve radhazi. Ekipi duhet të ruajë vazhdimësinë, pasi dihet se rivali direkt për një biletë në Europë, Laçi, është i favorizuar edhe nga kalendari në dy javët në vijim, pasi kurbinasit presin në shtëpi dy ekipet që kanë rënë tashmë në Kategorinë e Parë, Flamurtari dhe Luftëtari.
bylis partizani
Bylisi ka rezultuar një “mace e zezë” për të kuqtë në sezonet e fundit, pasi kanë qenë ballshiotët ata që edhe në të shkuarën u kanë prishur punë kur luftonin për titullin kampion. Se sa i vështirë është Bylisi për kryeqytetasit e tregojnë edhe statistikat e ndeshjeve të fundit. Në tri përballjet e këtij edicioni, Partizani nuk ka arritur të fitojë në asnjë rast, pasi dy ndeshjet në shtëpi kanë përfunduar në barazim, 1-1 dhe 2-2, ndërsa në fazën e dytë ballshiotët kanë fituar në shtëpi në shifrat 2-1. Në këto kushte i bie që të hënën Partizani do të kërkojë fitoren e parë sezonale me Bylisin, një sukses i cili është shumë i nevojshëm për situatën ku ndodhen “demat”.

Por, një tjetër statistikë e demoralizon skuadrën e drejtuar nga trajneri Sormani, pasi me Bylis nuk fitojnë prej më shumë se katër vitesh. Për herë të fundit Partizani ka triumfuar në “Adush Muça” më 9 mars 2016, ku fitonin në shifrat 2-0 me gola të Emiljano Violës dhe Lorenc Trashit. Faktori pozitiv për të kuqtë para kësaj sfide është freskia fizike, pasi dihet se ballshiotët kanë luajtur të enjten në Kupën e Shqipërisë, ku arritën të përmbysnin Tiranën në gjysmëfinalen e parë.

bylis partizani

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"