“Partizani ka Dajën dhe dy… bonuse!”, Cuculi: Asani, më i vështiri për t’u markuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2020 | 8:47

“Partizani ka Dajën dhe dy… bonuse!”, Cuculi: Asani, më i vështiri për t’u markuar

Ish-mbrojtësi i Partizanit, tashmë pjesë e Dritës, Ardian Cuculi, ka dhënë një intervistë për “Panorama Sport”. I pyetur nga gazeta se si e sheh ish-skuadrën e tij këtë sezon dhe deri ku mendon se do të arrijë, Cuculi pranoi se Partizani do të luftojë për kreun e tabelës. Gjithashtu, shqiptari nga Maqedonia i thuri elozhe dhe bashkëkombësit të tij Jasir Asani, duke thënë se ai është futbollisti më i vështirë për t’u markuar.

Cuculi
Partizani nuk ka pasur mundësinë këtë sezon që të përforcohet në merkato. Gjithsesi, i shihni “demat” si një skuadër pretendente për titull?
Partizani nuk ka pasur mundësi të përforcohet këtë sezon, por ka kthyer lojtarët të cilët i ka pasur në huazim. Si Alesio Hyseni, ashtu dhe Jasir Asani, janë dy “bonuse” të mëdha për Partizanin. Janë lojtarë tepër cilësorë, sidomos Asani, i cili ka shtuar cilësinë e Partizanit. Partizani do te ketë rol shumë të rëndësishëm në këtë kampionat dhe e shikoj ekip që do të luftojë për kreun e tabelës.

Reparti i mbrojtjes te Partizani nuk ka alternativa. Mendoni se Belica-Bitri do të ruajnë vazhdimësinë gjatë gjithë sezonit?
Janë një dyshe solide, shpresojmë që të mos kenë lëndime ose kartonë, por gjithsesi, mendoj se stafi teknik do të gjejë zgjidhje edhe në rast zëvendësimi të njërit nga mbrojtësit.

Keni luajtur 36 ndeshje për Partizanin dhe keni shënuar një gol. Si do ta përshkruanit eksperiencën tuaj si futbollist i të kuqve?
Eksperiencën time te Partizani e përshkruaj mjaft pozitive, pasi pas shumë viteve, arritëm klubin ta kthejmë të luajë në garat evropiane. Gjithsesi, them që kemi pasur një grup të mirë lojtarësh dhe fat i imi që isha pjesë e atij ekipi dhe të jepja kontributin tim. Edhe pse luajta vetëm 1 sezon, unë ruaj miqësi të mëdha me njerëzit e klubit.
Hakaj Daja
Trajnerin Ilir Daja e keni pasur gjithmonë kundërshtar kur keni luajtur në Shqipëri. Mendoni se ai është trajneri i duhur për Partizanin?
Unë mendoj se Ilir Daja është përforcimi më i mirë i Partizanit. Një trajner ekspert, profesionist dhe që ka fituar tituj me ekipe të ndryshme. Në qoftë se ka një trajner që mund të marrë maksimumin e këtij Partizani, edhe pse ka pasur merkato te bllokuar, ai është vetëm Ilir Daja.
Solomon Asani
Partizani ka një ndër sulmet më të mira në Shqipëri. Për ju si qendërmbrojtës, cili është më i vështiri për t’u markuar: Asani, Bardhi apo Solomon?
Secili ka ato lëvizjet e veta dhe që të tre janë lojtarë me shumë kualitet. Do zgjidhja Asanin si me të vështirin për t’u markuar.
VERONIK ISTREFAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"