Partizani i volejbollit bën goditje të dyfishtë në merkato, por nuk di ende kur fillon sezoni

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 18, 2017 | 18:22

Partizani i volejbollit bën goditje të dyfishtë në merkato, por nuk di ende kur fillon sezoni

Pas sezonit të vjetshëm debutues, i kurorëzuar me triumfin në finalen e Kupës së Shqipërisë në volejboll për meshkuj, Partizani i drejtuar nga trajneri Ylli Tomorri ka nisur përgatitjet për sezonin e ri sportiv. Grumbullimi i parë ka startuar me ndryshime në radhët e “Demave të Kuq”, mes largimeve dhe afrimeve.

partizani volejboll

Largimit të organizatorit Adri Arapi nga kryeqytetasit për 2017- 2018-ën, tekniku Tomorri i është përgjigjur me dy afrime të reja. Fjala është për Redi Bakirin nga Elbasani dhe qendrën e Farka Volej, Henri Mimani. “Grupi është thuajse ai i sezonit të mëparshëm me pak ndryshime. Është larguar organizatori Adri Arapi, ndërkohë që kemi afruar këtë sezon Redi Bakirin nga Elbasani dhe qendrën e Farka Volej, Henri Mimani”, deklaroi fillimisht për gazetën “Panorama Sport” trajneri Tomorri.

KAMPIONATI

Ndërsa starti i fazës përgatitore tashmë është fakt, ajo që shqetëson edhe më shumë trajnerin e të kuqve është mungesa e një informacioni, sipas tij, nga Federata se kur do të nisë kampionati. “Më vjen keq për faktin që kemi nisur stërvitjen pa pasur një informacion kur starton kampionati, pa pasur një strukturë. Jemi në gjysmën e muajit gusht dhe ende nuk dihet se kur nis. Na njoftuan që do të hidhet shorti më datën 28 gusht. Imagjinojeni se me çfarë do ta fillojnë, si do ta fillojnë. I bie që të fillojë tetornëntor. Ndërkohë përfshijnë edhe muajin dhjetor kur e gjithë bota e ka pushim nga data 20.

Ylli Tomorri

Pra tre muaj kampionat, 6 muaj pushim. Faza përgatitore do ta nisim me seancat e atletikës, më pas do të kalojmë në bregdet. Por, e përsëris, nuk e dimë kur do të fillojë kampionati që edhe ne të dimë çfarë të programojmë. Kryesorja është që të kishim ditur, për shembull, me çfarë aktiviteti fillon, ndoshta me një finale Superkupe që është normale që duhet bërë, apo me Kupën e Federatës dhe kur, me kampionatin dhe kur… Domethënë edhe përgatitjet nisin me stade”, e mbylli deklaratën e tij trajneri Tomorri.

BILANCI DEBUTUES

Të kuqtë e mbyllën sezonin e parë pas një mungese më shumë se një dekadë në elitën e volejbollit të meshkujve, në vend të parë me 44 pikë (15 fitore dhe 1 humbje). Ndërkohë në gjysmëfinalet e “play off”-it, Partizani do të eliminohej nga Vllaznia si shenjë hakmarrje pas asaj humbjeje në finalen e Kupës së Shqipërisë me rezultatin final dramatik 3-2. Ky ishte trofeu i 10-të në histori për skuadrën kryeqytetase, ndërsa i rikthehej një feste të munguar në parket pas 23 viteve.

Në finalet e një viti më parë në “play off”, Partizani afroi ukrainasin Stepashkin, një njohje e hershme e kampionatit shqiptar dhe kolumbianin Melo Luis Fernandez. Ashtu si dhe një vit më parë, edhe këtë sezon Partizani kuotohet si një nga kandidatët potencialë në garën për titullin. Kampione në fuqi është Vllaznia, e cila bëri historinë me suksesin e parë.

OLGERT SERANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"