Partizani i frikshëm, rrëmben fantazistin Nexhipi: U vesha i kuq prej Duros e Demirit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 1, 2014 | 11:58

Partizani i frikshëm, rrëmben fantazistin Nexhipi: U vesha i kuq prej Duros e Demirit

Nexhipi me Genc TomorinQë në hapat e para të merkatos drejtuesit e Partizanit e patën deklaruar se ata do të mbeteshin në treg deri në orët e fundit të afatit të lëvizjeve të futbollistëve. Realisht kështu ndodhi. Në ditën e fundit të merkatos Partizani afroi në radhët e tij një futbollist me CV të pasur si Nderim Nexhipi. Mesfushori me tipare sulmuese, i cili pritet të plotësojë boshllëkun e fantazistit te Partizani, dje ka pranuar ofertën e “demave” deri në maj, me opsion për ta rinovuar edhe në edicionin pasardhës. Me afrimin e 29- vjeçarit nga Shkupi, Partizani ndihet i kompletuar në fazën sulmuese dhe tashmë ekipit i mbetet për të realizuar objektivat e klubit. Nexhipi ka një karrierë të pasur, ndërsa ka luajtur në Bundesligën gjermane me Hertën e Berlinit dhe Volfsburgun, në Belgjikë dhe Azerbajxhan, si dhe me disa skuadra në Maqedoni. Nga afrimet e Partizanit në merkaton e janarit, mund të thuhet se Nderim Nexhipi është “goditja” e madhe. Pas arritjes së akordit, mbrëmë lojtari është pajisur edhe me dokumentacionin përkatës, duke qenë kështu i gatshëm për derbin me Tiranën. Në pjesën e parë të sezonit, ai ka qenë pjesë e Shkëndijës së Tetovës, ku një ditë më parë vendosi të ndahet nga kuqezinjtë. Për disa javë Nexhipi bashkëpunoi te Shkëndija me ish-trajnerin e Partizanit, Shpëtim Duro. Në Tiranë 29-vjeçari gjen tre shqiptarë të tjerë të Maqedonisë, ku veçon Ertan Demirin, me të cilin ka një miqësi të gjatë. Pa dyshim në kalimin e Nexhipit te Partizani ka ndikuar trajneri Shpëtim Duro, Ertan Demiri, por edhe oferta e bërë nga presidenti Gaz Demi. Para largimit nga Shkëndija e Tetovës, lojtari për mediat maqedonase tregoi edhe arsyet që, sipas tij, janë të karakterit privat. Gjithsesi, ai i falënderon të gjithë faktorët që kanë të bëjnë me klubin tetovar, kryesisht tifozët, ku do të kishte dëshirë që të ndahej duke parë këdo në sy. Ai i ka falënderuar të gjithë, ndërsa i ka mbetur peng që në dy aventurat që ka pasur me kuqezinjtë, me Shkëndijën e Tetovës, nuk fitoi një titull. Në fund, Nderim Nexhipi tha se Shkëndija do të mbetet një miqësi dhe dashuri e sinqertë për të.

Nderim Nexhipi me franellen e PartizanitNexhipi: U vesha i kuq prej Duros dhe Demirit
Afrimi i Nderim Nexhipit te Partizani ka ndodhur shumë shpejt ndërsa, fill pas ndarjes me Shkëndijën e Tetovës, mori ofertën e drejtuesve të kuq. Pa dyshim në këtë afrim të shpejtë ka ndikuar trajneri Shpëtim Duro, i cili i ka rekomanduar Partizanin, por edhe mesfushori Ertan Demiri. Madje, mesfushori i të kuqve, Demiri, e konsideron si vëlla Nexhipin, duke qenë se i lidhë një shoqëri 20-vjeçare. Demiri ka garantuar se Nderimi është një lojtar klasi, që ka për të dhënë një kontribut të madh për ekipin. Në prononcimin e tij për “Panorama Sport”, lojtari tregon për mënyrën se si ndodhi transferimi i tij te Partizani dhe premton se do të japë maksimumin që klubi të realizojë objektivat që ka.
Nderim, afrimi juaj te Partizani ndodhi rrufeshëm dhe konsideroheni si përforcimi më i madh në këtë merkato. Mund të na i tregoni arsyet pse zgjodhët të kuqtë?
Kalimi im te Partizani ndodhi shumë shpejt. Gjithçka rrodhi në kuadrin e 24 orëve. Pasi u ndava nga Shkëndija, menjëherë më mbërriti një ofertë nga drejtuesit e Partizanit dhe shumë shpejt u binda të jem pjesë e skuadrës për periudhën e mbetur të sezonit, ndonëse mund të rinovoj në fund edhe për një edicion më tej. Para se të vendosja, u konsultova me mikun tim Ertan Demiri, i cili më sqaroi gjithë situatën. Ertani më foli për një klub serioz me ambicie dhe me dëshirë për të qenë triumfues. Kaq m’u desh dhe e kuqja më bëri për vete, më ngjiti menjëherë.
Pra, Demiri ka ndikuar në afrimin tuaj te Partizani ku, përveç mikut tuaj të vjetër, do të gjeni edhe dy bashkëkombës të tjerë?
Realisht, i pari që më sugjeroi kalimin te Partizani, ishte trajneri Shpëtim Duro, pastaj qe “vëllai” im Demiri, i cili më sqaroi gjithçka. Ertani më ka treguar për popullaritetin e Partizanit në Shqipëri, tifozerinë e zjarrtë, por edhe etjen e madhe për trofe. Por, mbi të gjitha, më bindi edhe projekti serioz i drejtuesve. Me afrimin tim ne tashmë bëhemi 4 shqiptarë nga Maqedonia, por edhe unë do të veproj si ata, do plotësoj dokumentacionin që të pajisem me pasaportë shqiptare. Ne jemi shqiptarë dhe nuk duhet të konsiderohemi të huaj.
Cili është roli juaj në fushë dhe çfarë u premtoni tifozëve e drejtuesve të Partizanit?
Zakonisht në fushë luaj pas sulmit, ose siç thuhet ndryshe në rolin e fantazistit. Gjithsesi, e vendos trajneri. Mezi pres të zbres në fushë dhe të jap kontributin tim në të mirë të Partizanit. Me gjasa do debutoj në derbi dhe dua ta nis mbarë karrierën te Partizani. Premtimi im është: maksimumi në të mirë të skuadrës.

Rregulli i të huajve, sakrifikohet Pliska
Në miqësoren me Dinamon trajneri Lika provoi formacionin e mundshëm për ndeshjen e sotme me Kukësin. Dëmtimi i Memellit bën që një nga mesfushorët e huaj të sakrifikohet, pasi zëvendësuesi i 33-vjeçarit pritet të jetë kroati Saçer. Me shumë gjasa, i sakrifikuari në mesfushë mund të jetë Almir Pliska, kështu që në të djathtë pritet të spostohet Hyshmeri, ndërsa mesfushor i majtë do pozicionohet Mazrekaj. Pra, mesfusha mendohet të jetë e përbërë nga Demiri dhe Antanasijeviç në qendër dhe më pas vjen Mazrekaj, Hysmeri dhe në mes tyre kroati Dunkoviç. Mbrojtja pritet të jetë e përbërë nga B.Krasniqi, Rrahmani, G.Krasniqi dhe Ibrahimi. Megjithatë, mund të ketë edhe ndryshime, pasi jo të gjitha prurjeve të janarit u kanë mbërritur lejekalimet.
ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"