Partizani, historia vazhdon…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2016 | 14:56

Partizani, historia vazhdon…

SAIMIR DEMI

 

Janë shtatë dekada histori që vazhdojnë me të njëjtin ritëm dhe kjo për një arsye shumë të madhe, pasi flitet për një emër që është i mbuluar me shumë dashuri. Në të mirë dhe në të keq. Midis të mëdhenjve, diku në një kategori inferiore, madje edhe kur preku tabanin e detit. U munduan ta fyenin, ta shpërfillnin, ta trajtonin si të barabartë edhe me ata që fushat i përdornin një ditë për futboll dhe gjashtë të tjera për kullota apo që i kishin dhënë topit formën e kokës së tyre. Dhe, në fund, u ngrit, për të mbërritur tek orët e së mërkurës në Budapest.

partizani hoxha

Thuhet se u ndërtua, pasi regjimi i atëhershëm e kishte të nevojshme dhe unë gjithmonë e kam besuar këtë variant të historisë, por të ndiqesh në një kohë rekord nga pjesa më e madhe e shqiptarëve të sportit është thjesht dashuri, e cila nuk mund të imponohet nga sistemet politike. Imponohet kuptohet, por nga ata që i kanë prezantuar me këtë uniformë që nga dita e themelimit dhe deri tek orët e së mërkurës në Budapest. Ky është Partizani, fare i natyrshëm, sigurisht e tillë edhe historia që ka tërhequr pas vetes.

13692474_529975893863478_4987706176354084097_n

Ndërsa për ta provuar një gjë të tillë nuk është e nevojshme të jesh as tifoz, por thjesht një dashamirës i gjithçkaje që prodhohet në këtë vend dhe që herë-herë ka aftësinë të të bëjë krenar. Mjafton vetëm një udhëtim i shkurtër nga shtëpia ku banon deri në “Groupama Arena”, që është shtëpia e hungarezëve të Ferencvaroshit, për të kuptuar se kualifikimi i kësaj skuadre në turin e tretë të Champions League nuk ka ardhur vetëm për hir të aftësive teknike të skuadrës në fushë, por kryesisht për hir të mënyrës se si është konceptuar ajo… për hir të kësaj histori dashurie që vazhdon.

Duhet të qëndroje i heshtur në bordin e atij çarteri që po transportonte Partizanin (pasi po të tentoje të bëheshe pjesë e atmosferës, kishte shumë mundësi të stonoje) dhe mund të gjeje lehtësisht arsyet pse ky klub është ringritur për të qenë sërish një kampion i madh. Aty ishte i gjithë Partizani, pra e gjithë familja. Një pjesë në moshë që prodhonin dashuri dhe entuziazëm dhe këta të rinjtë me uniformë që dukej qartë se ndiheshin mirë, si ata që në fund të ditës këmbët i çojnë instinktivisht në shtëpinë e prindërve. Më pas, vjen pjesa profesionale.

tifoze partizani

Për presidentin Demi, avioni duhet të ishte i përbashkët, ndërsa hotelet larg njëri-tjetrit, pasi entuziazmi i tepërt ka tendenca të kthehet në bezdi. Dhe, për t’i shërbyer kësaj logjike, në klub është thërritur së fundmi një trajner si Sormani, një lloj diktatori sportiv. Pra, shumë stërvitje, taktikën po e ka të lindur, pasi ka mbërritur nga krahu tjetër i Otrantos, si dhe shumë disiplinë, kjo e fundit një nga arsyet e forta pse Partizani i dikurshëm u kthye në një dashuri publike.

Sidoqoftë, pikërisht këtu duhet të marrin fund edhe fjalitë e mia të ndjera, pasi grupit i përfundoi koha e shijimit të bukurive të Budës dhe Peshtit e i duhej të nisej në stadiumin që përfaqëson një pjesë të mirë të historisë së futbollit hungarez. Në fushë do të jenë këta që kanë përkëdhelur, ndërkohë që trajneri italian ka përmendur më shumë se një herë, që kundërshtarët janë dukshëm më në avantazh për nga cilësia.

festa partizani

Atëherë kaq ishte gjithçka, këta i morën tri pikët e tyre me këtë organizim spektakolar dhe këtë mirësi që shpërndanë, ndërsa të tjerat, për t’u arritur kërkojnë gjëra më specifike. Por, në fakt, nuk kishte përfunduar asgjë, madje historia e re sapo ka filluar… sepse ky është Partizani.

Ai Fili është vetëm 20 vjeç dhe më bëri përshtypje kur iu drejtua dikujt: “Ne luajmë për fanellën jo për premio”. Ndërsa, më pas, u tregua disi arrogant për moshën: “Nuk e thashë për të qeshur”, kur vuri re që ai që kishte përballë pikërisht këtë po bënte, por me ironi. Labinot Ibrahimi më tha se ndjente dhimbje të forta në gishtin e madh të dorës, por festonte me të gjithkënd që i afrohej, me një pamje të lumtur që e kishte stampuar në fytyrë. Presidenti Demi, ndoshta edhe për të ulur tensionet, që përpara ndeshjes na bëri të ditur se është duke menduar seriozisht për organizimin e transfertës së turit të ardhshëm.

Ky, pra, është edhe Partizani i rindërtuar, një histori besimi, karakteri… dhe pa dyshim e njëjta dashuri.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"