Partizani guxon, i gjithi në sulm në Korçë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 15, 2018 | 18:30

Partizani guxon, i gjithi në sulm në Korçë

Partizani iu është rikthyer përgatitjeve në kompleksin “Pepa” të qytetit të Elbasanit, në kuadër të sfidës me Skënderbeun në Korçë. Tekniku Gega është duke i dhënë direktivat e fundit skuadrës që drejton, me shpresën që do të marrë një rezultat pozitiv ndaj kampionëve në fuqi. Për fat të mirë, nuk shihen shqetësime te lojtarët, pasi të gjithë kanë qenë të pranishëm dhe janë stërvitur normalisht.

partizani

MBËSHTETJA
– Pak ditë para startimit të kampionatit, ku të kuqtë kërkojnë rikthimin te titulli kampion prej më shumë se dy dekadash, po ndiejnë nga afër edhe mbështetjen e drejtuesve më të lartë të skuadrës, me drejtorin e përgjithshëm, Olsi Rama, i cili ndoqi nga afër stërvitjen. Përpara nisjes së përgatitjeve, drejtori Rama iu bashkua ekipit më në krye Gegën, teknikun që mbajti edhe një fjalim të shkurtër përpara lojtarëve. Më pas skuadra nisi përgatitjet normalisht, ndërkohë që Rama me Gegën biseduan sërish së bashku për disa minuta. Gjithsesi, e rëndësishme në këto momente është mbështetja dhe qëndrimi afër i drejtuesve, teksa here pas here vizitohen në seancat stërvitore nga drejtori i përgjithshëm i klubit të kuq.

partizani2

PROVAT
– Përpara se të bënin një lojë me njëritjetrin në fushë të madhe, tekniku Gega provoi disa skema në lojë, me lojtarë të ndryshëm që u provuan. Iu kushtua shumë rëndësi fazës ofensive, madje një pjesë e mirë e ushtrimeve ishin kryesisht në këtë aspekt. Me sa duket, Gega kërkon me çdo kusht golin në Korçë, ndaj po bën përpjekjet në stërvitje për të kapur “mat” kundërshtarin.

FORMACIONI– Duket sikur nuk do të ketë dilema për sa i përket formacionit që do të hidhet në fushë ditën e premte në Korçë, me Gegën që çdo ditë e më shumë po krijon idenë për lojtarët më në formë dhe që u përgjigjen skemave dhe idesë së tij për lojën. Pak a shumë do të luhet si në 45-minutëshin me Lirinë e Prizrenit. Kështu, Hoxha në portë, një mbrojtje me katër lojtarë, Trashi me Ibrahimin në krahë, Atanda formon dyshen e qendrës me njërin mes Gojkoviç dhe Belicës. Hila me Telushin formojnë “digën” para mbrojtjes. Më tej, faza ofensive iu besua tre lojtarëve, me Prognin nga e majta dhe Mala ose Asani në të djathtë, ndërsa Mensah pritet pas sulmuesit kryesor, Hebaj. Deri të premten mund të ketë lëvizje në formacion, por për momentin ky duket i preferuari i Gegës.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"