Partizani “gradon” Tomorin, ja prapaskena me trajnerin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2016 | 11:25

Partizani “gradon” Tomorin, ja prapaskena me trajnerin

Presidenti i Partizan it, Gaz Demi, dje ka dalë para mediave, ashtu siç ka vepruar në çdo sezon për të prezantuar ndryshimet në kupolën drejtuese. demi genc tomoriDemi ka prezantuar Genc Tomorin si drejtor të përgjithshëm, një zgjedhje e tij personale dhe po sipas presidentit është një zgjedhje afatgjatë, jo si të tjerët. Ai është emëruar i plotfuqishëm nga Demi, i cili ka dhënë sqarimet përkatëse për çdo rast.

Fjala e presidentit

Fillimisht, Demi preferoi të fliste vetë, më pas iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.

“Ëndrra e Partizanit nuk ka qenë titulli kampion, pasi ai do të vijë, por fillimi i investimeve dhe ka tri javë që kanë nisur punimet për ndërtimin e kompleksit sportiv dhe ministadiumit. Po punohet intensivisht me 3 turne në objekt dhe shpresojmë që brenda muajit shtator të kemi gati kampin tonë stërvitor. E dini arritjen tonë, ku Partizani B u ngjit në Kategorinë e Parë dhe për mua si president është arritja më e madhe. Kjo erdhi falë stafit të Partizanit, por njeriu më besnik i klubit, Genc Tomori, e mori vetë përsipër dhe arritëm aty ku jemi. Partizani B do të jetë një lloj çerdheje për klubin, jo se kemi dy Partizanë.

Kështu që këtë e shikoj si një ndihmesë të madhe për Partizanin. Në vazhdën e këtyre zhvillimeve të reja, kam bërë ndryshim në drejtimin e Partizanit. Vendimi për të zgjedhur në postin e Drejtorit të Përgjithshëm Genc Tomorin ka qenë vendimi im personal, pasi në rastet e tjera është bërë me konsultime, me miqësira e ndërhyrje. Tomori emërohet i plotfuqishëm në klubin Partizani. S’do të jetë në provë si të tjerët, përveç Sulës (Starovës), por me një afat pesëvjeçar.

Tomori do të ketë mbështetjen time maksimale. Opinioni im është se kam bërë një zgjedhje shumë të mirë, për virtytin që Genci ka treguar te Partizani në këto vite që unë e drejtoj klubin. Por edhe në informacionet e mia, Tomori, gjatë gjithë kohës që ka punuar te Partizani, i ka qëndruar pranë skuadrës edhe në ditë më të vështira. Unë e kam për nder dhe e falënderoj Gencin e i uroj punë të mbarë dhe suksese”, tha Demi.

Arsyeja e ndryshimit

“Unë si biznesmen kërkoj maksimumin. Kjo është një fushë e re dhe sigurisht kërkoj të arrij më të mirën duke e kthyer në një biznes fitimprurës edhe këtë iniciativë në futboll. Nuk mund të them që kam qenë i pakënaqur nga puna e Dervishit, gjithnjë synoj më të mirën. Nuk kam pasur ndonjë problematikë të veçantë, ndonëse ndonjë gjë që nuk ka shkuar mirë. Pasi kemi analizuar sezonin, me një vendimmarrje timen, mendova të sjell në drejtim Tomorin, vendim të cilin e përforcoj edhe një herë, është zgjedhje e imja personale”.

Struktura e re

“Do të vazhdojë thuajse ajo strukturë që ka qenë, por pa dyshim do të ketë edhe prurje të tjera në staf. Gjersa bëjmë gjithë këto investime, duhet të mendojmë që tani se si do të ecë puna. Jo pa qëllim kemi marrë staf italian, pasi jemi akademia e parë që u kemi vënë theksin përgatitjeve të portierëve. Kemi marrë personalitete në çdo fushë, por do të pasurohemi edhe në aspektin e trajnimit. Pra, do të ketë zhvillime, por kjo varet edhe nga mbarimi i punimeve të kompleksit. Gazetat kanë nxjerrë foto të punimeve, por ju siguroj që nëse shkoni pas tri jav- ëve, do të shikoni ndryshime të mëdha”.

Analiza e sezonit

“Jemi duke bërë analizat e sezonit të fundit për të gjithë pjesëtarët tanë, nga punëtori i fushës deri te trajneri. Mundësitë janë që trajneri të vazhdojë, por kërkojmë më të mirën. Nuk kam ndonjë pakënaqësi të madhe te stafi, por mbetem në kërkim të më së mirës. Kurba e Partizanit në këto 3 vjet është në ngritje, ku së fundmi rivalizuam fort me Skënderbeun, që vite më parë ka dalë kampion më herët se këtë sezon. Ne i shkuam titullit deri në ndeshjen e fundit, por nuk varej nga këmbët tona, kjo edhe për faktin se kemi bërë gabime gjatë rrugës dhe këto gabime do të jenë pjesë e analizës sonë”, vijoi më tej presidenti i Partizanit.

Detyrat e Tomorit

“Ka thënë një fjalë dikur Shpëtim Duro, pa i thënë unë, por Tomori do të jetë vërtet ‘Gaz Demi i Partizanit’. Do të ketë të gjitha përgjegjësitë dhe duke filluar nga unë si president dhe gjithë stafi do të jenë në ndihmë të tij. Që tani, Genci së bashku me këshilltarin tim (Starova) do të nisin të mendojnë për rritjen e Partizanit. Nëse tani kemi 100 fëmijë në akademi, synojmë që shumë shpejt të kemi 500 të rinj. Genci ka pasur shumë detyrë në të shkuarën, por tani do të jetë i fokusuar vetëm te detyra e re, pasi me zgjerimin e akademisë do të jemi të gjithë në punë nga 8 orë aty”.

Dënimi i Skënderbeut

“Për sa u përket sanksioneve që mund të pësojë Skënderbeu, ne nuk i dimë, por do të përgatitemi që të përfaqësohemi aty ku na takon, në Ligën e Europës. Nuk mund të gëzohemi me fatkeqësinë e të tjerëve, por me atë që kemi arritur me djersën tonë. Ndaj, jemi të fokusuar në përfaqësimin tonë në Europë, që sipas kalendarit të UEFA-s përkon me datën 30 qershor. Pra, i bëjmë hyzmetin asaj që kemi marrë vetë dhe nuk mund të themi se çfarë do të ndodhë më pas. Prandaj jemi gjithë ky staf, për të qenë gati për çdo gjë, por planet i kemi nga ajo që kemi arritur vetë”, vazhdoi Demi.

Dritan Dervishi

“Aktualisht, Dritan Dervishi ndodhet në Itali pranë familjes dhe është pjesë e klubit, pasi i kemi ofruar një tjetër post. Kam folur me të dhe ai e kishte ndier që kishte marrë shumë përgjegjësi. I kam dhënë një pozicion si menaxher, por nuk mund të them e ka pranuar apo jo. Parimisht më ka thënë po, të shikojmë. Unë e prisja të ishte këtu, por më ka lajmëruar se ndodhet në Itali pranë familjes. Ai është një djalë i mirë dhe me të mirat e të këqijat e tij nuk ka punuar keq, por filozofia ime personale është tjetër”, përfundoi Demi

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"